Gazetarja Arlinda Sejda ka njoftuar dorëheqjen nga puna në Transmetuesin Publik, RTK, ku ka punuar për 10 vjet. “Këtë vendim e kam marrë me qëllim të mbrojtjes së parimeve bazë mbi të cilat mbështetet ushtrimi i profesionit të gazetarit. Ai vjen si pasojë e pamundësisë për ta ushtruar profesionin në përputhje me bindjet e mia profesionale, standardet etike dhe përgjegjësinë që ndiej ndaj publikut”, ka shkruar Sejda.
AGK-ja shpreh keqardhje për largimin e Sejdës nga RTK dhe e sheh këtë akt si konfirmim të kapjes së këtij institucioni nga menaxhmenti i lidhur drejtpërdrejt me Qeverinë dhe partinë politike në pushtet, Vetëvendosje.
Largimi i Sejdës dhe largimi i emisioneve të disa gazetarëve e redaktorëve ndodhin si pasojë e politikave menaxhuese që ndëshkojnë dhe përndjekin këdo që synon t’i respektojë parimet themelore të etikës së profesionit.
RTK-ja është shndërruar tash e një kohë në makinë propaganduese të Vetëvendosjes nëpërmjet politikave redaktuese që censurojnë zërat kritikë brenda dhe jashtë mediumit.
Rënia e lirisë së medias në Kosovë, siç dokumentohet edhe në raporte ndërkombëtare, lidhet edhe me kontrollin politik dhe financiar të RTK-së nga Qeveria e zotit Kurti.
AGK-ja qëndron në solidaritet të plotë me gazetaren Sejda dhe me të gjithë gazetarët e redaktorët e Transmetuesit Publik që vazhdojnë rezistencën brenda RTK-së.
AGK-ja e fton Qeverinë e Kosovës dhe Vetëvendosjen që ta ndalin presionin politik dhe financiar ndaj RTK-së.
AGK-ja gjithashtu e fton Bordin e RTK-së që të mos qëndrojë indiferent dhe të kërkojë llogari nga Menaxhmenti, duke u përkujdesur që të mos ketë përndjekje ndaj gazetarëve dhe që raportimi të kthehet në shërbim të interesit publik, e jo të një partie politike.