PRISHTINË, 02.12.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon kërcënimin dhe gjuhën banale të zyrtarit Avni Olluri, drejtor i Administratës në Komunën e Lipjanit, ndaj gazetarit të “Kohës Ditore”, Agim Ademi.
AGK me shqetësim e ka pranuar një incizim telefonik në të cilin Olluri e kërcënon gazetarin duke i kërkuar të mos merret me të.
“Unë po të tregoj: mos u merrni me mua se nuk ja kom borxh askujt karrierën politike dhe ta keni të qartë këtë punë. Por dije se nëse vjen puna unë e heq kollaj kravatën dhe jap dorëheqje. E pastaj merrna me ty dhe ta zë rrugën”, i ka thënë Olluri gazetarit Ademi nëpërmjet telefonit.
Sipas Ademit, zyrtarët komunalë të Lipjanit, disa herë i kanë bërë presione dhe shantazhe me qëllim të zbrapsjes nga shkrimet për qeverisjen lokale.
Në telefonatën që ia ka bërë gazetarit, Olluri ka përdorur edhe gjuhë banale e denigruese.
AGK e dënon kërcënimin dhe gjuhën e zyrtarit komunal ndaj gazetarit dhe e fton Ollurin të distancohet nga kjo qasje ndaj Ademit dhe t’i kërkojë falje publike.
AGK e fton Ollurin, që në rast se ka pretendime ndaj shkrimeve të realizuara nga Ademi, t’i ndjek rrugët ligjore dhe assesi të mos përdorë gjuhë kërcënuese, banale e denigruese ndaj gazetarit.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës inkurajon gazetarët që të mos zbrapsen nga kërcënimet e tilla ndersa rastet e pengimit në punën e tyre profesionale t’i lajmërojnë në polici dhe në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.