Reagim ndaj drejtorit të RTK-së

Reagim ndaj drejtorit të RTK-së

PRISHTINE, 08.02.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim një postim në rrjetin social Facebook të drejtorit gjeneral të RTK-së, Mentor Shala.

AGK konsideron se gjuha e përdorur nga z.Shala paraqet ofendim dhe kërcënim për punëtorët e mediumit publik, duke përfshirë anëtarët tonë që punojnë në këtë medium.

AGK është njoftuar nga punëtorët e mediumit publik se ky reagim i z.Shala vjen pas takimeve të ndara që drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të RTK-së kanë zhvilluar me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe me të gjitha grupet parlamentare lidhur me draftimin e ligjit per RTK-në dhe gjendjen e përgjithshme në Transmetuesin Publik.

AGK konsideron se gjuha ofenduese dhe denigruese e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së është e papranushme.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i rekomandon Bordit të RTK-së që si organ mbikëqyrës të distancohet nga fyerje të tilla.

Si gjithnjë, AGK kërkon një zgjidhje të qëndrueshme për Radio Televizionin e Kosovës. Kuvendi e ka për obligim që të bëjë një zgjidhje të qëndrueshme për RTK-në, gjithmonë duke dëgjuar zërat e të gjithë akterëve relevant në këtë proces.