Home Blog

Gazetarë të medieve qendrore dhe lokale morën pjesë në punëtorinë dyditore të AQH dhe IHS për raportimin për shëndetësinë

0

Në një punëtori dyditore të IHS Project dhe AQH Project, projekte të Swiss Tropical and Public Health Institute (Swiss TPH), rreth 20 gazetarë nga mediume qendrore dhe lokale diskutuan për sëmundjet kronike jo-ngjitëse, raportimin e përgjegjshëm, si dhe shfrytëzimin e rrjeteve sociale në mënyrë efektive për promovimin e storieve që kanë ndikim dhe interes publik.

Në këtë punëtori, para gazetarëve ligjëroi ekspertja e komunikimit nga Swiss Tropical and Public Health Institute (Swiss TPH), njëherësh dhe ish-gazetare, Layla Hasler, si dhe dy gazetarët kosovarë, që trajtojnë tema të shëndetësisë, Arton Konushevci dhe Saranda Ramaj.

Gazetarët patën mundësinë të diskutojnë me ligjëruesit për praktikat më të mira për raportimin për temat e shëndetësisë, si duhet t’i qasen sinjalizuesve, si dhe në cilat instanca duhet të drejtohen kur bëjnë pyetje për çështje të caktuara në shëndetësi.

Në punëtori, ishin të pranishëm edhe zyrtarë të komunikimit me publikun në institucionet shëndetësore, ku gjithashtu u diskutua edhe për Simpoziumin Ndërkombëtar për Sëmundje Kronike Jo-ngjitëse, që do të mbahet më datat 27-29 shtator, në Kosovë.

Kjo punëtori është realizuar nga IHS, AQH në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Deklaratë e rrezikshme dhe e papranueshme e zv/kryeministrit Bislimi kundër medieve të Kosovës

0

Jo për herë të parë, zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, që udhëheq me negociatat me Serbinë, Besnik Bislimi ka sulmuar mediet kosovare, duke e bërë akuzën e rrezikshme se ato “financohen nga Serbia”.

Në konferencën për shtyp bashkë me Kryeministrin Kurti, kur është pyetur për lëshimet që ai i ka përmendur më herët në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, ai ka bërë deklarata skandaloze.

“Fjala lëshim është përdorur qëllimisht nga media kosovare që kanë financim nga Serbia për me i dhanë konotacion…”, ka thënë Bislimi në konferencë.

AGK-ja, e dënon ashpër këtë gjuhë të papranueshme të njeriut të dytë të Qeverisë, dhe vë në pah se kur vjen nga niveli më i lartë i pushtetit vë në rrezik serioz, edhe fizik gazetarët e medieve kosovare.

Qeveria Kurti duhet të ndalojë së sulmuari mediet kosovare, dhe të lejojë ato ta bëjnë punën e tyre, duke përfshirë komponentin shumë të rëndësishëm të mbajtjes përgjegjës të pushtetit.

Sulmohet në finalen e Superkupës mes Trepçës dhe Pejës gazetarja, Ulpiana Emra

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me lajmin për sulmin ndaj gazetares së ArtMotion, Ulpiana Emra.

Emra është sulmuar nga tifozët derisa po raportonte në finalen e Superkupës në basketboll mes Trepçës dhe Pejës.

Raportohet se gazetarja është sulmuar me shishe nga tifozët në tribunë, dhe ka marrë lëndime në trup.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon këtë sulm ndaj koleges Emra, dhe i bën thirrje Policisë së Kosovës që sa më parë të identifikojë sulmuesin/it, dhe t’i sjellë pranë drejtësisë ashtu që të marrin dënimet konform ligjit.

AGK dhe forumZFD publikojnë raportin dhe manualin mbi gazetarinë e ndjeshme ndaj konfliktit

0

Raporti “Harta mediatike dhe Ballafaqimi me të Kaluarën”, i hulumtuesve Getoarbë Mulliqi, Abit Hoxha dhe Milan Spirovski, u publikua sot në ngjarjen e përbashkët të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe forumZFD në Kosovë.

Në këtë raport është folur për kompleksitetin dhe diversitetin e peizazhit mediatik në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku gjithashtu është theksuar nevoja për lirinë e shtypit, transparencën dhe miratimin e standardeve profesionale.

Hulumtuesja Mulliqi tha se në Kosovë mjedisi mediatik është pluralist, me penetrim të lartë të internetit dhe një treg vibrant mediatik të përqendruar kryesisht në kryeqytet. Megjithatë, konteksti historik vendor, ndërhyrjet ndërkombëtare dhe ndihmat e pasluftës kanë ndikuar në këtë peizazh mediatik. Ndërsa, sa i përket Maqedonisë së Veriut, sfida më të mëdha u identifikuan në rënien e të ardhurave, si dhe ndikimin politik.

Ashtu si në Kosovë, edhe në Maqedoninë e Veriut gazetarët e kuptojnë rëndësinë e mbulimit objektiv të temave të ndjeshme dhe shmangies së sensacionalizmit, por ata përballen me sfida emocionale dhe etike. Mediat duhet të sigurojnë ndjeshmëri në qasjen e tyre dhe të japin paralajmërime kur është e nevojshme”, u shpreh ajo.

Në këtë event, u prezantua edhe Manuali për Raportimin e Përgjegjshëm të Ballafaqimit me të Shkuarën, nga Menaxherja e Projektit, Vjollca Islami Hajrullahu.

Për më tepër, një tryezë diskutimi me temën e njëjtë e përmbylli këtë event. Tryeza u udhëhoq nga gazetarja, Gresa Bardhecaj, ndërsa pjesëmarrës ishin Besa Luci (Kosovo 2.0), Serbeze Haxhijaj (RTK), Muhamet Hajrullahu (Telegrafi), si dhe Remzije Shahini – Hoxhaj (Profesoreshë, UP).

Raportin “Harta mediatike dhe Ballafaqimi me të Kaluarën” në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, mund ta gjeni në këtë link.

AGK-ja, e zhgënjyer me diskriminimin gjinor në pozitat menaxheriale në RTK

0

Bordi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës është vënë në dijeni me detajet e konkurseve të kohëve të fundit në Transmetuesin Publik, RTK për pozitat menaxheriale.

AGK-ja, shprehet e zhgënjyer me diskriminimin gjinor që rezulton të jetë praktikuar ndaj gazetareve shumëvjeçare, Ilire Zajmi e Flora Masurica Durmishi dhe juristes, Mihrije Beiqi, të cilat nuk janë zgjedhur në pozitat përkatëse përkundër faktit që kanë dalë më të poentuarat në konkurset e hapura.

AGK-ja, konsideron se ky është një shans i humbur për të promovuar barazinë gjinore në RTK nga ana e Bordit të këtij institucioni, që në përbërje reflekton barazi gjinore.

RTK-ja, duhet të motivojë gratë për të konkurruar në pozitat më të larta, dhe t’i bëjë ato pjesë të barabartë të vendimmarrjes, duke njohur kështu kontributin e jashtëzakonshëm që ato kanë dhënë ndër vite për zhvillimin e Transmetuesit Publik.

Përmbyllet cikli i trajnimeve për raportimin e përgjegjshëm dhe etik për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian

0

Terre des hommes – Kosovo në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës kanë përmbyllur sot ciklin e trajnimeve për gazetarë nga mediet qendrore dhe lokale për raportimin e përgjegjshëm dhe etik për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Për tre muaj në takime dyditore, gazetarja, Serbeze Haxhiaj, trajnoi gazetarët për rëndësinë e gazetarëve dhe medieve kundër gjuhës së urrejtjes dhe paragjykimeve, raportimin e përgjegjshëm dhe etik, pesha e gjuhës së përdorur në raportime, raportimin që shmang stereotipet, si dhe raportimin për varfërinë.

Gjithashtu, në kuadër të këtyre trajnimeve u shfaq edhe dokumentari “Mendo si verifikues faktesh”, me autore, Getoarbë Mulliqin, i cili është realizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe është mbështetur nga U.S. Embassy Pristina, Kosovo.

Dokumentari është realizuar në Washington DC, Los Angeles dhe Saint Petersburg të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Trajnimet u zhvilluan në kuadër të projektit “Drejtësia sociale për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian”, që zbatohet prej Terre des hommes – Kosovo në partneritet me organizatën Voice of Roma, Ashkali and Egyptians dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER), si dhe financohet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (Swiss Cooperation Agency).

Kërcënohet stafi i RTV Besa në Prizren

0

Stafi i RTV Besa në Komunën e Prizrenit është kanosur e kërcënuar gjatë ditës së djeshme nga ish kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në këtë komunë, Lulzim Kabashi.

Sipas një njoftimi drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, redaksia e këtij mediumi ka thënë se “Ish kryetari i AAK-së në Prizren Lulzim Kabashi ka “bastisur” dje pasdite zyret e RTV Besa ku duke u kanosur dhe kërcënuar mediumin lokal RTV Besa. Ai ka kërcënuar me jetë për shkak të një lajmi të publikuar nga mediumi për një ish kandidat të AAK-së në zgjedhjet e fundit lokale të arrestuar dje nën dyshimin për posedim të substancave narkotike. Rasti është paraqitur në Policinë e Prizrenit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon kërcënimin dhe kanosjen ndaj kolegëve të mediumit lokal, RTV Besa, njëherësh i bën thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet në mënyrë që kolegët të vazhdojnë të kryejnë profesionin e tyre pa u penguar.

Gazetarët ukrainas vizituan Maqedoninë e Veriut

0

Ekipi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës i programit Journalists in Residence – Kosovo, së bashku me gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë për dy ditë qëndruan në Maqedoninë e Veriut.

Lydmila Makei, Oksana Chikanchy, Viktoriia Kaidash, Liudmyla Mekh, Serhii Shevchenko, Olga Lisnycha, Olha Praidko, Liudmyla Lukianchenko, Tetiana Kraselnykova, Liliia Vorobiova, Volodymyr Martyno, Nazar Chaban dhe Yaroslav Tkachenko, vizituan Kanionin e Matkas, qytetin e Shkupit si dhe kopshtin zoologjik.

Gazetarët ukrainas janë strehuar në Kosovë në kuadër të programit Journalists in Residence – Kosovo, program i iniciuar nga European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, e që po implementohet nga AGK-ja, mbështetet financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, OSCE Mission in Kosovo, si dhe iniciativa Hannah Arendt.

Nga programi “Journalists in Residence – Kosovo”, kanë përfituar 18 gazetarë nga Ukraina, gjashtë prej të cilëve kanë përfunduar me sukses programin prej gjashtë muajve strehim në Kosovë.

Kërcënohen disa medie gjatë aksionit të shkyçjes nga KRU Prishtina në Shtime

0

Mëngjesin e sotëm janë kërcënuar e sulmuar disa ekipe të medieve në vend, përderisa po e përcillnin aksionin e KRU Prishtina Sulmohet fizikisht kameramani i Lajmi.net në Shtime për shkyçjen e borxhlinjve nga rrjeti i ujësjellësit në Shtime.

Krahas sulmit ndaj Lajmi.net, janë kërcënuar edhe disa kolegë të tjerë të cilët po e xhironin personin që po i fyente mediet.

Në një video të publikuar nga GazetaDemos, qytetari dëgjohet duke i thënë gazetares së këtij mediumi “Mos incizo, se me ardh aty t’mys”.

Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, kërcënime dhe sulme të tilla janë krejtësisht të papranueshme, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrin masat e duhura ndaj personit që kërcënoi sot mediet.