Home Blog Page 2

AGK-ja thellësisht e shqetësuar me presionet politike në RTK

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet e muajve të fundit në RTK, që kanë rezultuar të dielën me largimin e Shkumbin Ahmetxhekajt nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar në një letër të organizatave ndërkombëtare të lirisë së medies.

Ahmetxhekaj, një gazetar shumëvjeçar në Transmetuesin Publik ka treguar për “presion politik 7 mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”.

Bordi i RTK-së, duhet të shpjegojë nëse i nënshtrohet presionit politik në vendim-marrjen e vet, dhe nëse detyrimi për largimin e Ahmetxhekajt, ka ardhur si pasojë e kësaj.

Bordi aktual, që ka miratuar dorëheqjen e Ahmetxhekajt, më herët kishte emëruar në postin e Drejtorit të Televizionit, Rilind Gërvallën, një ish-aktivist dhe financues i partisë politike në pushtet, Vetëvendosje.

Qeveria e Kosovës, nëpërmjet eksponentëve të saj, duke përfshirë edhe deputetë, disa herë edhe publikisht e ka shfaqur tendencën për kontroll partiak të RTK-së, që është praktikë e papranueshme.

AGK-ja, bën thirrje për adresimin e duhur të ankesave për mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit në Radio Kosova 1.

Në vend të presionit politik nëpërmjet Bordit dhe përgjysmimit të buxhetit, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet të përkujdesen që të sigurojnë funksionimin e papenguar financiar të Transmetuesit Publik, dhe të gjejnë zgjidhje për pronën e saj.

AGK-ja, e çmon rolin krucial që Transmetuesi Publik luan në funksionimin demokratik të vendit, si shtyllë e rëndësishme për lirinë e medies në Kosovë.

Gazetarët, kameramanët dhe punëtorët e tjerë të RTK-së duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në interest të publikut, pa asnjë lloj presioni politik apo financiar.

Kosova këtë vit ka shënuar rënien më të madhe të viteve të fundit, kur është renditur për 19 vende më poshtë në Indeksin e Lirisë së Medies nga Reporterët Pa Kufij.

Zgjedhet Kryetari dhe Anëtarët e rinj të Bordit të AGK-së

0

Gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, kanë votuar gjatë ditës së sotme, në Kuvendin Zgjedhor të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Kryetar i organizatës është rizgjedhur, Xhemajl Rexha, edhe për një mandat tjetër trevjeçar. Ai ka fituar 161 vota, kurse kundërkandidati i tij, Mentor Buzhala, 31.

Me Statutin e votuar sot, parashihet të jetë edhe pozita e nënkryetarit/kryetares, në të cilën është përzgjedhur gazetarja e Radio Dukagjinit, Naile Dema Selmani, e cila ishte edhe në mandatin e kaluar pjesë e bordit. Ajo ka fituar 95 vota.

Teksa, shtatë (7) anëtarë të tjerë janë zgjedhur: Milot Hasimja – (Klan Kosova) – 95 vota, Florande Morina (T7) – 90 vota, Blerta Dalloshi (TV Klan) – 88 vota, Mehmet Krasniqi (TV Dukagjini) – 84 vota, Fatlum Jashari (ATV) – 80 vota, Jehona Hulaj – (Telegrafi) 73 vota dhe Besnik Velija (Gazeta Express) – 59 vota.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës falënderon të gjithë kolegët që kanë marrë pjesë në Kuvendin e sotëm, duke diskutuar e votuar Statutin e ri të AGK-së, si dhe në votimin e kryesisë së re. Gjithashtu, AGK-ja, falënderon edhe KQZ të cilët na kanë huazuar kutitë dhe kabinat e votimit, Korporata Ujë Rugove për donacionin e bërë me shishe të ujit, dhe Filarmoninë e Kosovës për ofrimin e ambientit për shfrytëzim.

“16 copa kam me ja njehë, rafall”, vazhdojnë kërcënimet me jetë ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi

0

R.Xh., nga Lugina e Preshevës është duke i vazhduar kërcënimet me jetë ndaj gazetarit, Vullnet Krasniqi.

Këto kërcënime, ai po i bën nëpërmjet videove të publikuara në TikTok, duke thënë disa herë se planifikon ta vrasë gazetarin.

“Mu’ s’mund te m’arrestoni, kurrë hiç, e 700 mijë vjet, harrojeni këtë…A Vullnet Krasniqi, ty të kam tregu se edhe sytë kam me t’i djegë cigare, mos gabo me dalë…Unë kam me ta q” f”miljen për Gold AG…Kur të më arrestoni ju Policia e Kosovës, unë ua jap dorë, ju thom hallall ju koftë…Vullnetin, kam me gjete, mbajeni në mend çka po ju thom, 16 copa kam me ja njeh, rafall…”, ka thënë ai ndër të tjera në një nga videot e publikuara.

R.Xh., ka vazhduar me ofendime, fyerje dhe sharje ndaj gazetarit Krasniqi dhe familjes së tij edhe në disa video të tjera të publikuara gjatë ditës së djeshme, ku shfaqet me armë të ftohtë në video, duke i dërguar të fala edhe prokurorit të rastit të gazetarit.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është i alarmuar me kërcënimet me jetë ndaj kolegut, Vullnet Krasniqi.

AGK-ja, ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të njoftohet për veprimet që i ka ndërmarrë pas paraqitjes së rastit nga Krasniqi, dhe nëse ka përparime në lokalizimin e individit që po kërcënon, nëse ai gjendet në territorin e Kosovës.

AGK-ja, i bën thirrje të gjithë personave publik që të mos kontribuojnë në gjuhën denigruese ndaj gazetarëve, pasi që siguria e tyre fizike vazhdon të jetë sfiduese në Kosovë, me theks të veçantë nga mungesa e shqiptimit të dënimeve meritore për sulmuesit e kërcënuesit.

Të papranueshme dhe të rrezikshme sulmet e deputetit Dimal Basha ndaj medieve dhe aktivistes Flutura Kusari

0

Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje të Kryeministrit Kurti, Dimal Basha, ka vazhduar sot sulmet e paprecedent ndaj medieve në Kosovë dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

“Kjo qeveri është e vetmja qeveri që ua ka ndalë komplet tagjinë dh asnjë cent nuk iu shkon më mediave. Kështu që, me dashtë me i kap kish vazhdu avazin e vjetër. Por, ndryshimi tregon se ne nuk jemi të asaj rruge dhe nuk kemi synim me kap”, ka thënë Basha.

Ky është një sulm i papranueshëm ndaj lirisë së medieve dhe pluralizimit medial në Kosovë. Basha ka etiketuar në mënyrë të veçantë, juristen e medies në ECPMF, aktivisten Flutura Kusari.

“Ka rëndësi edhe kanihere kush fol. Për shembull e kemi Flutura Kusarin që del dhe do me ta diktu komplet Kuvendin e Kosovës qysh me bo ti një ligj për KPM-në, kur e njëjta në emër të lirisë së mediave del dhe i mbron Devollët në rrugë. Në emër të lirisë së mediave nuk mund me e mbrojt lirinë e oligarkëve , por as me e zhvat këtë Republikë”, ka thënë Basha.

Sulmi ndaj zonjës Kusari është sulm i papranueshëm, i rrezikshëm dhe me bazë gjinore. Akuzat e zotit Basha nga foltorja e Kuvendit e vënë në rrezik sigurinë e zonjës Kusari, dhe kanë për qëllim heshtjen e zërave kritikues të shoqërisë civile.

Zonja Kusari bashkë me përfaqësues të Bordit të AGK-së dhe akterë të tjerë të medies dhe shoqërisë civile kanë dhënë vërejtjet e tyre për Ligjin e KPM-së në kuadër të Forumit për Integritetin e Informacionit të NDI.

Vërejtët e këtij forumi janë reflektuar edhe në Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës, që të mos e miratojë ligjin në formën aktuale, pasi që ai nuk përmbush standardet evropiane të Këshillit të Evropës. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Ambasadat e Gjermanisë dhe Italisë në Kosovë gjithashtu i kanë bërë thirrje Kuvendit që ta harmonizojë Ligjin me standardet evropiane, para miratimit të tij.

Gjuha e zotit Basha, fatkeqësisht, është reflektim i qëndrimeve dhe politikave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë së Kosovës kundër lirisë së medieve, lirisë së shprehjes dhe pluralitetitit medial në Kosovë.

Pengohet dhe kërcënohet gazetarja e Gazeta Infokus nga Drejtori i QKMF-së, në Obiliq

0
Gazetarja e Gazeta Infokus, Hateme Smajli, gjatë ditës së djeshme është kërcënuar nga Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Komunën e Obiliqit, Haki Jashari.

Në njoftimin dërguar AGK-së, bëhet e ditur se gazetarja kishte shkuar në këtë QKMF pas ankesave të bëra nga qytetarët e Komunës së Obiliqit, për mykun që është formuar në katin e dytë të ndërtesës.

“Gazetarja Hateme Smajli së bashku me kameramanin, Blerant Shala kanë hyrë në oborrin e QKMF-së ku i janë afruar drejtorit dhe gazetarja i është drejtuar drejtorit duke iu prezantuar dhe duke i treguar problemin për të cilin kishin shkuar e që ishin ankesat e qytetarëve se po i marrin shërbimet në myk për shkak se kati i parë i QKMF-së është gati tërësisht i mykur dhe se kundërmon erë. Pas kësaj edhe pse me një qasje shumë korrekte dhe me profesionalizëm siç mund ta shihni edhe në videon linkun e të cilës e gjeni më poshtë, drejtori Haki Jashari eskalon në ofendime e kërcënime ndaj gazetares.”, thuhet në njoftim.

Në video, Drejtori i QKMF-së, Haki Jashari, dëgjohet duke e ofenduar gazetaren dhe duke i thënë që është e vogël për t’u marrë me të, e duke e kërcënuar se do të bisedonte me eprorët e saj.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon gjuhën dhe qasjen e Jasharit karshi koleges nga Infokus, dhe njëherësh cilëson se është shkelje flagrante e së drejtës për qasje në informacion, dhe transparencës.

AGK-ja, i bën thirrje organeve kompetente që të marrin masa lidhur me sjelljen e Jasharit drejt gazetares së Gazeta Infokus.

Pengohet në kryerjen e detyrës ekipi i Syri TV në Gjakovë

0
Televizoni Syri nga Gjakova ka informuar se një ekip i tyre është penguar gjatë kryerjes së detyrës nga Kryeshefi Ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, Hasan Krasniqi.

“Ekipi i përbërë nga gazetari Ngadhnjim Haxhosaj dhe kameramani Valon Nixha i’ u përgjigjën kërkesës së banorëve të fshatit Bishtazhin të cilët na ftuan për të raportuar rreth një problemi që kishte shkaktuar vërshime në disa toka e në shkollën e fshatit. Të njëjtit u ofenduan e u penguan në kryerjen e detyrës nga kryeshefi Krasniqi, i cili tentoi t’i ndalojë gazetarin dhe kameramanin në raportim. Sipas ekipit gjuha e përdorur nga kryeshefi ishte banale, si dhe tentimi për ti penguar në detyrë ishte pengesë për raportimin e një shqetësimi të banorëve. Gjuhë e njëjtë në prezencë të ekipit tonë u përdorë edhe ndaj kolegëve të tij, gjë që gjithashtu kishte ndodhur edhe në raste tjera të mëhershme, ku kryeshefi Krasniqi nuk kishte kursyer kolegët nga kjo gjuhë, gjithashtu në prezencë të ekipeve tona”, thuhet në një njoftim për AGK-në, të këtij televizioni.

AGK-ja, e dënon këtë sjellje të Krasniqit ndaj ekipit televiziv, dhe fton ndërmarrjen ku punon ai që ta hetojë rastin dhe të ndërmarrë vendimet e nevojshme.

AGK-ja, u bën thirrje zyrtarëve të niveli lokal dhe qendror që të mos pengojnë punën e gazetarëve, raportimet e të cilave janë në interes të publikut.

Kërcënim me jetë ndaj gazetarit Vullnet Krasniqi

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është jashtëzakonisht i shqetësuar për kërcënimin me jetë që i është bërë gazetarit, Vullnet Krasniqi.

Krasniqi është kërcënuar me vrasje nga një qytetar i Luginës së Preshevës, nëpërmjet një videoje të publikuar në platformën Tik Tok.

“Unë jam në Prishtinë, dhëmbët kam me t’i shkulë me dane, kam me ta q* f*miljen, këtu kam me ta rrasë plumbin…Ta di adresën ku e ke saktë, ta dish, të banesës, mos shko në katund, mos thirr polici…”, dëgjohet ndër të tjera duke thënë personi në video.

AGK-ja, ka kontaktuar me gazetarin Krasniqi, dhe i njëjti aktualisht është duke e raportuar kërcënimin në Policinë e Kosovës.

Për AGK-në, një kërcënim i tillë është jashtëzakonisht shqetësues, i papranueshëm dhe i bëjmë thirrje urgjente Policisë së Kosovës që të marrë masat e duhura ta lokalizojë kërcënuesin e gazetarit Krasniqi.

Shqetësohemi për sigurinë fizike të Krasniqit, andaj ftojmë Policinë e Kosovës që t’i ofrojë mbrojtjen e duhur.

 

*** Për shkak të gjuhës së përdorur, AGK-ja, ka zgjedhur që të mos e publikoj videon ku kërcënohet me jetë gazetari, Vullnet Krasniqi.

Mbahet punëtoria dyditore për raportimin e shkeljeve të të drejtave të gazetarëve

0

Në Prishtinë, më 24 dhe 25 qershor, u mbajtë punëtoria për monitorimin dhe raportimin e shkeljeve të të drejtave të gazetareve.

Punëtoria që ligjëruese pati Neda Chalovska Dimovska, u mbajtë për hulumtuesit e Platformës Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Safe Journalists – anëtare e së cilës është edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Hulumtuesit diskutuan për dhunën në baza gjinore, format e saj, si ndikon tek gazetaret pabarazia gjinore dhe dhuna në baza gjinore, si duhet të parashtrohen pyetjet tek gazetaret që janë viktima të dhunës apo ngacmimeve, si duhet të raportohen, e tema të tjera.

Si rezultat i kësaj punëtorie, në vitin pasues do të publikohet një raport me fokus për të drejtat e gazetareve.

AGK-ja dënon kërcënimet ndaj gazetarëve dhe redaksisë së Insajderit

0

Redaksia e gazetës online, Insajderi, e ka njoftuar AGK-në për kërcënimet me të cilat është ballafaquar dy ditët e fundit, pas raportimeve rreth arrestimeve që Policia e Kosovës ka kryer në lidhje me krimin e shpërlarjes së parave.

Sipas redaksisë, të afërm të A.D., njërit prej të arrestuarve kanë telefonuar vazhdimisht për të kërcënuar në redaksi, dhe dikush që është paraqitur si vëllai i A.D., i ka kërcënuar gazetarët me jetë. Insajderi, e ka raportuar rastin në Polici si Kanosje.

AGK-ja, është e shqetësuar dhe dënon ashpër këto kërcënime, që vënë në rrezik jetën e gazetarëve dhe kanë qëllim ndalimin e raportimit për tema me rëndësi në aspektin e sigurisë.

AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që ta trajtojnë rastin me prioritet, dhe të ndërmarrin veprime konkrete.