Home Blog Page 53

EFJ adoptoi një rezolutë që thirr për hetimet ndaj gazetarëve të vrarë në Kosovë

0

PRISHTINË, 07.06.2018 – Federata Europiane e Gazetarëve ka adoptuar një rezolutë të enjten e cila bënë thirrje për hetime ndaj vrasjeve dhe zhdukjeve të gazetarëve ndërmjet viteve 1998 dhe 2005.

Rezoluta kaloi në takimin vjetor të EFJ-së në Lisbonë dhe ishte propozim i asociacioneve të gazetarëve në Serbi dhe Kosovë.

Njëra nga pikat e rezolutës ishte thirrje për zgjerim të mandatit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyres së Prokurorit që të përfshijnë rastet e gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur.

Po ashtu, rezoluta kërkon bashkëpunimin e prokurorive në Prishtinë dhe Beograd në rastet e vrasjeve të gazetarëve dhe punëtorëve tjerë medial që kanë ndodhurnë periudhën 1998 dhe 2005.

Rezoluta i bënë thirrje po ashtu Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe misionit të BE-së në Kosovës, EULEX, që të zbatojnë vendimet e Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, e cila I ka bërë thirrje për zgjidhje të këtyre rasteve dhe kompensimin e familjeve të viktimave.

Po ashtu, kërkohet që të krijohet një komision në Prishtinë, i ngjajshëm si me atë në Beograd, që do të përbëhet nga gazetarët, për të hulumtuar rastet e gazetarëve.

Platforma rajonale: Kërcënimet e ministrit kroat ndaj gazetarit Mazzocco janë sulme serioze kundër lirisë e të drejtave të gazetarëve

0

Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve, që përfaqëson më shumë se 8000 anëtarë, fuqimisht dënon kërcënimet ndaj gazetarit të Index-it, Mazzocco.

Gazetari Vojislav Mazzocco ka informuar Asociacionin e Gazetarëve kroat se ministri i veteranëve kroat, Tomo Medved, e ka kontaktuar atë përmes telefonit të shtunën, më 3 qershor 2018, i nervozuar rreth artikullit të tij që ka të bëjë me punësimin e të birit të ministrit në Agjencinë e Aktiviteteve Komerciale.

„Gjatë bisedës që zgjati 15 minuta ministri as që është munduar të sfidojë faktet e theksuara në shkrim. Në vend të kësaj, ai më kërcënoi duke thënë: „A je duke dëshiruar që të hysh në ring me mua? Nëse don, mund ta bëjmë. Nëse e prek të birin tim edhe njëherë, do të ngrisi shpirtin ushtarak tek unë. A dëshiron që unë të dal me një komnunikatë për shtyp javën e ardhshme rreth mënyrës se si ke ardhur në ministri të mbrojtjes, përmes cilit tender dhe sa para ke pranuar? E kam një sirtar plotë m dokumente dhe unë e di se me kë ke punuar dhe për kë ke punuar? Kujt i shërben z. Mazzocco? Kujt?“, tha Mazzocco.

Një orë më pas, Mazzocoo i ka raportuar këto kërcënime te stacioni policor numër në rrugën Baureova në Zagreb, por është i bindur që raporti i tij nuk është marë seriozisht. Në të vërtetë, zyrtari policor të cilin ai e kontaktoi dhe me të cilin ka biseduar, ka marë vetëm një notesë zyrtare dhe i ka thënë që që dikush do t’a kontaktojë ditën e ardhshme nga dikush prej kolegëve të saj nga hetusit policor të krimit. Mazzocco pritet që të kontaktohet nga policia, disa ditë më vonë.

Platforma i bënë thirrje organeve relevante që të reagojnë në mënyrë adekuate dhë në mënyrë të qartë të dënojnë kërcënimet e Tomo Medved. Platforma do të dërgojë letra tek të adresuarit e gjithë autoriteteve relevante në Kroaci, duke kërkuar nga ata që urgjentisht dhe me hetim të tërëishëm të të gjitha fakteve për këtë rast dhe të fillojnë të veprojnë në përputhje me rrethanat.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë sulme të drejtpërdrejta në lirinë e shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për informim. Secili sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracinë dhe në të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 06.06.2018.

Asociacioni i Gazetarëve të BeH
Sindikata e Mediave të Malit të Zi
Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Hasan Preteni humb betejën ligjore me organizatën “Çohu”

0

PRISHTINË, 04.06.2018 – Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhur poshtë padinë e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe ish-drejtorit të saj, Hasan Preteni për shpifje dhe fyerje të ushtruar kundrejt organizatës jo-qeveritare “Çohu”.

Padia e Pretenit, respektivisht e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) është hedhur si e pa bazuar nga ana e gjykatës me arsyetimin se nga provat e administruara gjykata nuk ka arritur të gjejë elemente të shpifjes dhe fyerjes siç pretendonte Agjencia Kundër Korrupsion dhe ish-drejtori i saj, Hasan Preteni si zyrtar publik.

Kjo lëndë e kontestit juridiko-civil e cila gjendet në sirtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës që nga vitit 2012, ka arritur të marrë një verdikt final juridik vetëm pas gjashtë vitesh, duke bërë kështu që padia e parashtruar nga Preteni më 16 shkurt 2012, të hedhet si e palejuar nga ana e gjyqtares së rastit, Mevlide Kasumi Qarri.

Hasan Preteni, në cilësinë e zyrtarit shtetëror si drejtor i AKK-së kishte pretenduar se organizata “Çohu”, në një konferencë për medie ka shpifur ndaj tij si person zyrtar duke thënë se “Hasan Preteni në cilësinë e drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit ka mbrojtur shtatë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët e kanë shkelur ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të zyrtarëve të lartë publik. Ka bërë ndërhyrje dhe ka falsifikuar formularët për deklarimin e pasurisë të paraqitur në AKK nga zyrtarët e lartë publik”, sipas gjykatës, këto pretendime nuk janë të bazuara ngase një deklaratë e tillë paditësit Hasan Preteni i referohet si Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Gjithnjë sipas aktgjykimit, ”paditësi Hasan Preteni, nuk ka arritur me asnjë provë ta argumentoj faktin qenësor se të paditurit përmes deklaratave të tyre kanë cenuar personalitetin e tij ngase të gjitha provat i referohen paditësit si përfaqësues i institucionit, në rastin konkret në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit”, thuhet ndër tjera në aktgjykim.

Gjykata këtë vendim e ka marrur duke u mbështetur në dispozitat ligjore të Ligjit Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, dispozitë kjo e cila nuk parashikon mundësinë e bartësve të funksioneve publike të padisin në cilësinë e tyre zyrtare, që do të thotë se përfaqësuesit e institucioneve nuk janë të mbrojtur më ligj.

Sipas kësaj dispozite, përfaqësuesi i institucionit mund të kërkoj mbrojtje juridike si individ, por nuk mund të padisë në cilësinë e tij zyrtar. Prandaj, në rastin konkret, gjykata ka konstatuar se paditësi Hasan Preteni, nuk ka arritur të argumentoj me asnjë provë se deklaratat e të paditurve, në këtë rast organizatës “Çohu”, kanë të bëjnë me shpifje kundër tij si individ.

Preteni, i cili në cilësinë e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, pretendonte se qëndrimet e organizatës “Çohu”, kanë prodhuar pasoja për personalitetin e tij, me ç’rast kishte kërkuar dëmshpërblim nga organizata “Çohu”, në vlerë prej 100 mijë euro, si dhe pagimin e të gjitha shpenzimeve procedurale gjyqësore.

Mirëpo, në vendimin e datës 10 maj 2018, gjykata përveç që e ka hedhur poshtë padinë e Pretenit, ajo e ka obliguar atë t’ia kompensoj organizatës “Çohu”, të gjitha shpenzimet e kësaj procedure kontestimore në vlerë prej 1,393.60 euro.

Kujtojmë se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka monitoruar dhe raportuar në vazhdimësi në lidhje më këtë çështje gjyqësore e cila ndërlidhet drejtpërsëdrejti më lirinë e shprehjes në vendin tonë.

AGK inkurajon të gjitha mediet, gazetarët dhe OJQ-të e ndryshme të cilat ndodhen në çfarëdo kontesti gjyqësor ta lajmërojnë AGK-në, në mënyrë që kjo organizatë t’i përcjellë nga afër seancat gjyqësore që kanë të bëjnë me të drejtën e lirisë së shprehjes në vendin tonë.

Konsiderojmë se monitorimi dhe raportimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës nga këto seanca, përveç që ndikon në rritjen e transparencës së gjyqësorit, pashmangshëm ky monitorim i bënë ata edhe me të përgjegjshëm në trajtimin e këtyre rasteve.

OSBE mbështet zbardhjen e krimeve ndaj gazetarëve të vrarë në Kosovë

0

PRISHTINË, 16.05.2018 – Misioni i OSBE-së në Kosovë do të mbështesë përpjekjet për të gjetur autorët e krimeve ndaj 14 gazetarëve të vrarë e të zhdukur në Kosovë.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i këtij misioni, Ambasadori Jan Braathu gjatë zbulimit të një pllake përkujtimore për dy reporterë serbë të rrëmbyer në vitin 1999.

“Ata po bënin një punë shumë të rëndësishme për të informuar njerëzit në lidhje me atë që ndodhi vërtetë në zonën e konfliktit dhe kjo është arsyeja pse këmbëngulja jonë është për të gjetur se çfarë ka ndodhur,” shtoi Braathu.

Ai bëri thirrje tek institucionet që të punojnë në zbardhjen e rasteve ndaj gazetarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë të këmbëngulim që institucionet të punojnë për të gjetur autorët e këtyre krimeve. Misioni i OSBE-së në Kosovë do të këmbëngulë më shumë për këtë çështje në të ardhme,” deklaroi ai.

Pllakën përkujtimore për dy gazetarët e zhdukur në vitin 1999, Djuro Slavuj dhe Ranko Perenic e ka ngritur Asociacioni i Gazetarëve Serb në Kosovë. Kjo pllakë po ngritet për të shtatën herë, pas rënimeve të njëpasnjëshme.

“Këtë pllakë të cilën UNS për të shtatën herë po e vendos paraqet dëshmi se sa janë institucionet e interesuara që të punojnë në këto raste, madje të zbulojnë se kush po e shkatërron këtë pllakë,” tha Budimir Nicic, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Serb në Kosovë.

Ai kritikoi punën e misionit të BE-së në Kosovë, EULEX duke thënë se ky mission nuk ka bërë asgjë për të ndriquar rastet e gazetarëve të vrarë.

“Këtë ne nuk e dimë, por ne e dimë se cila është puna jonë dhe ne do të vazhdojmë që ta punojmë, e kjo është që të flasim, të pyesim dhe të kërkojmë përgjigje se ku janë kolegët tanë dhe kush është përgjegjës për vrasjet e kolegëvë tanë të tjerë,’ tha Nicic.

Gazetarët e vrarë dhe të zhdukur janë: Djuro Slavuj dhe Ranko Perenic të Radio Prishtinës të zhdukur më 21 gusht 1998; Afrim Maliqi, i vrarë më 2 dhjetor 1998, Enver Maloku i vrarë më 11 janar 1999, Ljubomir Knezevic i zhdukur më 6 maj 1999, Milo Buljevic i zhdukur më 25 qershor 1999, Aleksandar Simovic i vrarë më 21 gusht 1999, Krist Gegaj i vrarë më 12 shtator 1999, Momir Stokuca i vrarë më 21 shtator 1999, Marjan Melonasi i zhdukur më 9 shtator 2000, Shefki Popova i vrarë më 10 shtator 2000, Xhemajl Mustafa i vrarë më 23 nëntor 2000, Bekim Kastrati i vrarë më 19 tetor 2001 dhe Bardhyl Ajeti i vrarë më 28 qershor 2005.

Platforma rajonale: Është e nevojshme të identifikohen se cilët dhe në urdhrat e të cilëve qëlluan në Olivera Lakić

0

PODGORICË, 09.05.2018- Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avansimin e Lirisë së Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve, që përfaqëson më shumë se 8000 anëtarë, dënon ashpër sulmin brutal ndaj gazetares sw të përditshmes “Vijesti” nga Podgorica Olivera Lakić, e cili u plagos në këmbë në pjesën e përparme të ndërtesës ku jeton.

Më 8 maj “Vijesti” raportoi se Lakiç tha se një njeri afrohej pranë hyrjes së ndërtesës ku jetonte dhe e qëlloi në këmbë. Ajo pa dy burra të tjerë duke ikur. Plumbi kaloi me këmbën e djathtë dhe Lakić është jashtë rrezikut.
Olivera Lakić është gazetarja më e shquar në Malin e Zi: në mars të vitit 2012 ajo u rrah para shtëpisë së saj, ndërsa një vit më parë ajo ishte kërcënuar dy herë për një seri artikujsh mbi prodhimin e supozuar të paligjshëm dhe kontrabandën e cigareve.

Në vitin 2014 ajo ka marrë kërcënime nga persona të afërt me njeriun që e ka sulmuar atë në vitin 2012. Autoritetet malazeze kanë ndjekur penalisht shumicën e personave që kërcënuan Lakić, por kurrë nuk kanë hetuar se kush i ka urdhëruar këto kërcënime dhe sulme.

Përveç kësaj, pretendimet e Lakiq lidhur me kontrabandën e cigareve nuk janë hetuar përfundimisht.

“E ardhmja e skenës së mediave në Malin e Zi varet nga zgjidhja e këtij rasti. Nëse mbetet e pazgjidhur, gazetarët duhet të shqyrtojnë seriozisht mënyrat alternative të mbrojtjes së jetës së tyre dhe integritetit profesional “, tha Marijana Camovic, kryetare e TUMM dhe arriti në përfundimin se shteti i Malit të Zi nuk duhet të jetë sinonim për një vend ku fjala e lirë kërcënohet nga plumbat “.

Sulmi ndaj Lakiq është rasti i tretë i sulmit dhe kërcënimit ndaj gazetarëve të regjistruar në Malin e Zi në vitin 2018 dhe e dhjeta nga viti 2017. Shumica e rasteve më serioze të sulmeve ndaj gazetarëve ende mbeten të pazgjidhura. Askush në polici apo prokurori nuk është përgjegjës për këtë.

Platforma rajonale përshëndet dënimin e deklaruar të sulmit ndaj Lakiqit nga institucionet relevante në Malin e Zi, por u kërkon atyre të bëjnë një hap më tej, të identifikojnë dhe përpunojnë autorët, por, më e rëndësishmja, organizatorët e këtij sulmi të tmerrshëm.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 09.05.2018

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje-Hercegovines
Sindikata e Mediave të Malit të Zi
Asociacioni i Gazetarëve Kroatë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

AGK reagon kundër iniciativës së komisionit parlamentar në draftimin e një ligji për media

0

PRISHTINË, 08/05/2018 – Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në mbledhjen e datës 07.05.2018 ka marrë iniciativë për hartimin e draft Ligjit të medieve në Kosove.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës si palë e interesit të veçantë në këtë fushë nuk është njoftuar fare nga komisioni parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media në lidhje me këtë nismë ligjore si dhe nuk është në dijeni për qëllimin që bartë në vetvete hartimi i një drafti i cili do të normonte fushën e medieve në Kosovë.

Prandaj, mos përfshirjen në konsultime që në fazën fillestare e akterëve relevant, të cilët merren me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të gazetarëve si dhe, trupave të tjerë vetërregullues që e mbulojnë fushën e medieve në Kosovë konsiderojmë se është një tendencë politike për ta kontrolluar, kufizuar dhe cenuar lirinë e shprehjes. AGK në parim kundërshton çfarëdo nisme legjislative nga cilido institucion i cili më parë nuk konsultohet me palët e interesit si dhe nuk i bënë të ditura arsyetimet e qëllimit për hartimin e një ligji, në këtë rast Ligjit për mediet në Kosovë.

Kosova ka një gamë të gjerë të ligjeve pozitive të cilat në mënyrë të qartë dhe të drejtë rregullojnë shumë fusha të cilat ndërlidhen drejtpërsëdrejti më lirinë e shprehjes, mirëpo, ajo që mungon në vazhdimësi është vullneti politik dhe institucional për t’i zbatuar në praktikë këto ligje.

Andaj, inkurajojmë të gjitha institucionet e vendit që para se të fillojnë çfarëdo iniciative për hartimin e ligjeve të reja, të angazhohen maksimalisht në zbatimin e ligjeve aktuale, sepse, zbatimi i tyre pashmangshëm ndikon një krijimin e një ambienti të sigurte të gazetarëve dhe rritjen e profesionalizmit të mediet.

Kërcënohet ekipi i Gazetës Express në Gjakovë

0

PRISHTINË, 03.05.2018 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është njoftuar nga gazetari i GazetësExpress, Mentor Gjergjaj se gjatë ditës së sotme ai së bashku me ekipin e kësaj gazetë kanë pranuar një kërcënim verbal nga një person në Gjakovë.

Gazetari Gjergjaj ka bërë të ditur se ka shkuar në Gjakovë për të raportuar për një rast vdekje të ndodhur në familjen Rizvanolli, me ç’rast ai ka pranuar kërcënime nga një person i cili ka drejtuar fjalë fyese dhe kërcënuese në drejtim të tij dhe ekipit të gazetës.

Gjergjaj ka thënë se personi i cili u prezantuar si dhëndër i familjes së të ndjerit Ilir Rizvanolli, e ka kërcënuar dhe është vërsulur në drejtim të tij.

“Me ka fy, me është vërsule, me ka thënë spiun dhe me ka thënë se do të kesh përgjegjësi”, ka deklaruar gazetari Gjergjaj.

AGK i bënë thirrje Policisë dhe Prokurorisë në Gjakovë që ta hetojnë këtë rast dhe kërcënuesi të sillet para drejtësisë.

Ky kërcënim është rasti i nëntë më radhë gjatë këtij viti dhe vije pikërisht sot ku po shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

Autoritetet duhen të garantojnë siguri për gazetarë

0

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit më 3 maj 2018, Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokimin e Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve, e cila përfaqëson më shumë se 8000 anëtarë, i bënë thirrje qeverive në rajon që të mbrojnë gazetarët dhe të punojnë në fuqizimin e lirisë së shtypit.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në dhjetor 1993, pasur nga rekomandimi i dal nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s. Prej atëherë, 3 maji, përvjetori i Deklaratës së Windhoek, festohet në mbarë botën se Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

Tema e festimit për 2018 nënvizon rëndësinë e mundësisë për ambient ligjor për lirinë e shtypit, dhe i kushton vëmendje të veçantë rolit të gjyqësorit të pavarur duke siguruar garancitë ligjore për lirinë e shtypit dhe ndjekjen ligjore te krimeve ndaj gazetarëve.

Në këtë aspekt, Platforma rikujton qeveritë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor se që nga fillimi i vitit 2014 ka regjistruar 446 sulme kundër gazetarëve dhe ende shumë pak raste janë zjgjidhur nga institucionet kompetente.

Që nga fillimi i 2014 kanë ndodhur tri tentim vrasje, 103 sulme fizike ndaj gazetarëve, 257 kërcënime, 48 sulme ndaj pronës dhe 5 arrestime janë regjistruar në rajon.

Shkalla më e lartë e dhunës së sigurisë kundër gazetarëve janë regjistruar në Serbi (143) dhe Bosnje e Hercegovinë (102), e pasuar nga Kosova (77), Maqedonia (59), Kroacia (43) dhe Mali i Zi (31).

Është evidente se gazetarët në Ballkanin Perëndimore ende punojnë nën rrethana shumë të rrezikshme. Kështu që Platforma i bënë thirrje qeverive të të gjitha shteteve të lartë përmendura që të rrisin përpjekjet sa i takon hetimeve të sulmeve ndaj gazetarëve dhe të krijojnë kushte më të sigurta për punë.

Platforma inkurajon të gjithë gazetarët që të raportojnë incidentet dhe rastet kurdoherë që ata janë kërcënuar apo sulmuar gjatë punës së tyre.

Platforma fuqishëm përkrah gazetarët dhe organizatat mediale në përpjekjet e tyre për mbrojtjen e gazetarëve dhe lirisë së shprehjes dhe po ashtu përpjekjet e tyre në luftimin kundër mosndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve.

Çdo sulm ndaj gazetarëve konsiderohet si një sulm në interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 03.05.2018.

Asociacioni i Gazetarëve të Bosne dhe Hercegovinës
Sindikata e Mediave të Malit të Zi
Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë
Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Klan Kosova dhe organizata YIHR ballafaqohen në gjykatë

0

PRISHTINË, 26.04.2018 – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndërmjet Klan Kosovës, respektivisht drejtorit të saj Baton Haxhiu dhe organizatës Youth Initiative for Human Rights (YIHR).

Ky kontest juridiko – civil ka të bëjë me një padi të cilën drejtori i Klan Kosovës, Baton Haxhiu, në qershor të vitit 2010 e kishte ushtruar ndaj organizatës YIHR e cila në një nga raportet e saj të publikuar na maj të po atij viti, siç pretendon Haxhiu kishte shpifur ndaj Klan Kosovës duke e paraqitur atë si medium i cili e “favorizonte Partinë Demokratike të Kosovës”.

Seanca e katërt gjyqësore ndërmjet palëve ka bërë që dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja e palës së paditur, në këtë rast organizata YIHR t’i japin dëshmitë e tyre para gjykatës në lidhje me pretendimet që rëndojnë mbi këtë organizatë.

Me 24 maj të vitit 2010, organizata YIHR kishte publikuar raportin e quajtur “State of

Constriction” qëllimi i të cilit sipas përfaqësueseve të organizatës YIHR ishte matja e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë.

Në njërin nga paragrafët kryesore të këtij raporti bëhej fjalë edhe për kufizimin e raportimit të medieve, me konkretisht për skenën mediale të viteve 2008-2009, në të cilën autori i këtij raporti, Alex Anderson kishte dhënë opinionin e tij mbi animet politike të subjekteve mediale në Kosovë me ç’rast e kishte vlerësuar Klan Kosovën si medium i cili organizonte debate dhe panele të cilat e “favorizonin Partinë Demokratike të Kosovës”, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2009.

“Konkludimi im për parapëlqimin për PDK-në kishte të bënte me atë se në kohën e shikueshmërisë më të lartë në panele dhe debate të këtij televizioni ka pasur të ftuar analist që kanë shprehur opinione pro PDK-së. Për ta mbështetur konkludimin tim, qëndrojnë fakte të tjera ku vetëm pak muaj më vonë, po ata analistë të atyre programeve iu kanë bashkangjitur PDK-së”, ka thënë Anderson para gjykatës.

Anderson deklaron se ky raport ishte pasqyrim i mendimit dhe gjykimit të tij, mbi analizat që iu kishte bërë emisioneve televizive për rreth 6 muaj si dhe bisedave që i kishte pasur me qytetarë – shikues të këtyre programeve televizive.

Ai ka deklaruar se pas publikimit të raportit, Klan Kosova dhe drejtori i saj kishin reaguar për përmbajtjen e këtij raporti, me ç’rast kishin bërë vërejtje me shkrim për çka Anderson thotë pas pranimit të këtyre vërejtjeve, raportit të formës elektronike ia ka shtuar një fusnotë, me nr 81, e cila sipas tij nënkuptonte elaborim të asaj çfarë është thënë në atë paragraf e ku bëhej fjalë për lirinë e medieve.

Ky elaborim sipas Andersonit kishte të bënte me një kompliment të cilin ia kishte bërë Klan Kosovës si televizion inovativ, dhe e dyta, sipas tij sqaroj tutje se pse ai i kishte paraqitur qëndrimet e tij për një parapëlqim të Klan Kosovës ndaj PDK-së.

Ndërkaq, dëshmitarja e dytë në këtë rast ishte ish-drejtoresha ekzekutive e YIHR-së, Sara Maliqi, dhe deklaroi para gjykatës se raporti “State of Constriction” është ndër raportet më të mira të cilin e kishte përpiluar organizata dhe se qëllimi i këtij raporti ka qenë që të hulumtoj mbi problematikat që ndërlidhen me të drejtat e njeriut dhe me punën që e bëjnë institucionet në respektim të këtyre të drejtave.

Në anën tjetër, përfaqësuesja ligjore e Baton Haxhiut, avokatja Nora Veliu, i ka kundërshtuar dëshmitë e dëshmitarëve duke thënë se pala e paditur nuk e ka përmbushur barrën e provës për të dëshmuar vërtetësinë e përmbajtjes kontestuese të raportit dhe as nuk ka vepruar me përgjegjësi në hartimin e këtij raporti, dhe sipas saj, organizata YIHR e ka publikuar në raport një deklaratë të pavërtetë.

Ndërsa, përfaqësuesja ligjore e organizatës YIHR, Merita Stublla, ka thënë se qëllimi i këtij raporti ka qenë interesi publik dhe se pretendimet e paditësit nuk qëndrojnë. Ajo ka kërkuar nga gjykata ta trajtoj këtë rast si të pa bazuar dhe ta hedhë poshtë padinë e parashtruar.

Gjatë kësaj seance u mbajt edhe shqyrtimi gjyqësor i kësaj lëndë të kontestit civil, me ç’rast u bë edhe administrimi i provave nga ana e gjyqtares së rastit, Naime Ahmeti.

Gjyqtarja Ahmeti i obligoi të dy përfaqësuesit ligjorë që fjalën përfundimtare t’ia dorëzojnë me shkrim gjykatës dhe vendimi mbi këtë çështje juridiko-civile do t’iu dorëzohet palëve me shkrim brenda afateve të parapara me ligj.