PRISHTINË, 03.03.2019 – Përfaqësuesi i OSBE-së për liri të medias, Harlem Désir, së bashku me Amabasadorin e OSBE-së, Jan Braathu, priten në një darkë zyrtare kryetaren e AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe anëtaren e Bordit të AGK-së, Leonora Dalipin.
Gjatë këtij takimi u bisedua për gjendjen e lirisë së medias në Kosovë, sigurinë e gazetarëve, zhvillimet e fundit në transmetuesin publik, përkatësisht futjen e punonjësve të RTK-së në ligjin e pagave, dhe shumë shqetësime tjera me të cilat ballafaqohen gazetarët dhe në përgjithësi punonjësit e medias në Kosovë.
Begolli Pustina pos temave të lartcekura, informoi z.Désir lidhur me angazhimet e AGK-së në avansimin e pozitës së gazetarëve në Kosovë dhe bashkëpunimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës me institucionet vendase me qëllim mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve.
Dèsir dhe Begolli Pustina biseduan për zhvillimin e takimit të radhës në konferencën e OSBE-së, e cila do të mbahet këtë vit në Sarajevë.
Kryetarja e AGK-së, Begolli Pustina falënderoi z.Harlem Dèsir dhe Ambasadorin Jan Braathu për mbështetjen që OSBE i ka dhënë AGK-së në çdo nismë të saj për mbrojtjen, sigurinë dhe avansimin e mëtutjeshëm të pozitës së gazetarëve në vendin tonë.
Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e gazetarëve serb në Kosovë.