PRISHTINË, 10.05.2018 – Me mbajtjen e fjalës përfundimtare të palëve të përfshira në procedurën juridiko – civile ka përfunduar edhe procesi gjyqësor ndërmjet organizatës “Çohu”, dhe ish-drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni. Gjatë fjalës përfundimtare, përfaqësuesi ligjorë i Hasan Pretenit, duke pretenduar në shpifjen e bërë nga organizata “Çohu”, ka kërkuar nga kjo e fundit dëmshpërblim material në vlerë prej 100 mijë euro, mirëpo, pretendimet e Pretenit i ka hedhur poshtë mbrojtja e organizatës “Çohu”, e cila këto pretendime i ka quajtur si të pa bazuara, me ç’rast ka kërkuar nga gjykata ta hedhë poshtë padinë e ish-drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Asdren Bytyqi, përfaqësuesi ligjorë i Hasan Preteni, ka thënë mbesin në tërësi prapa padisë së ushtruar pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës, sepse, sipas tij, publikimi i organizatës “Çohu”, përbënë shpifje ndaj ish-drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit.
“Duhet të rikujtojmë se objekt i këtij shqyrtimi gjyqësor janë akuzat e ngritura që përmbajnë shpifje ndaj paditësit, Hasan Preteni, për ndërhyrje, falsifikim, mbrojtje të deputetëve shkelës të ligjit dhe shkelje të detyrës zyrtare. Kjo shpifje është drejtuar ndaj një personaliteti të lartë publik, pozitës, funksionit dhe institucionit që ai drejtonte. Të gjitha këto akuza kanë synuar denigrimin e personalitetit të zotit Preteni dhe institucionit që drejtonte, të cilat janë bërë publikisht dhe janë përcjellur me kallëzim penal të ushtruar nga ana e të paditurve tek organet e prokurorisë së EULEX- it, e cila me njoftimin e datës 11.05.2012 i ka hedhur në tërësi si të pabazuara të gjitha akuzat e ngritura ndaj zotit Preteni, duke vërtetuar ekzistimin vetëm të natyrës së pastër të shpifjes”, ka deklaruar avokati mbrojtës i Hasan Pretenit.
Tutje, avokati Bytyqi tha thënë se qëndrimet e organizatës “Çohu”, ndaj Hasan Pretenit si ish-drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit kanë prodhuar pasoja të rënda morale për jetën dhe personalitetin e paditësit dhe familjes së tij, duke i shkaktuar të njëjtëve edhe vuajtje psikike dhe shpirtërore, shqetësime dhe stres të konstatuar me raportin psikiatrik të datës 2 maj 2012. Në lidhje me shpifjen e pretenduar, avokati mbrojtës i Pretenit ka kërkuar dëmshpërblim nga organizata “Çohu”, në vlerë prej 100 mijë euro, si dhe pagimin e të gjitha shpenzimeve procedurale gjyqësore si dhe i ka bërë thirrje gjykatës që ta aprovojë kërkesëpadinë e parashtruar nga klienti i tij.
Përveç avokatit mbrojtës të Pretenit, edhe përfaqësuesit ligjore të Agjencisë Kundër Korrupsionit nga avokatura e shtetit e kanë bërë të ditur se qëndrojnë pranë padisë së parashtruar.
Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjorë i organizatës “Çohu”, Admir Salihu, ka deklaruar se gjatë tërë këtij procesi gjyqësore padia e ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsionit dhe kërkesë padia e ushtruar nga ish-drejtori i saj, Hasan Preteni, në vetvete kanë pasur probleme ligjore.
“E para, nga vet padia shihet se nuk kemi asnjë elaborim rreth pretendimeve të paditësit të paraqitura në padi, mirëpo, qysh në fillim të kësaj padie elaborohet biografia dhe pretendimi për paditësin e dytë, do të thotë se paditësi i dytë edhe nga vet vulosja e kësaj padie shihet se këtë padi e ka bërë tek një avokat privat dhe i njëjti nuk ka pas të drejtë ligjore ta përfaqësojë Agjencionin Kundër Korrupsion. Së dyti, kjo padi është e parregullt edhe sa i përket ligjit special kundër shpifjes dhe fyerjes, sepse, është totalisht e paqartë dhe nuk ka asnjë justifikim edhe me përkufizimet që i jep ky ligj. Nuk është e specifikuar askund se me cilin veprim, cilën deklaratë, në cilin vend, cilat janë elementet mbi të cilat paditësi por edhe Agjencionit, organizata “Çohu”, i ka shkaktuar këto dëme. Duke pas parasysh se edhe gjatë këtyre shqyrtimeve përfaqësuesit e Agjencionit nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim të tillë rreth kësaj kërkese, mbi këto dy baza konsiderojmë se kjo padi është e parregullt dhe si e tillë do të duhej të hidhej poshtë”, ka deklaruar Salihu.
Avokati Salihu, e ka prezantuar edhe një dokument – formular të deklarimit të pasurisë së Agjencisë Kundër Korrupsionit, të deputetes së atëhershme, Sala Berisha Sala, që sipas avokatit Salihu dëshmohen ndërhyrjet në këtë formular nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
“Tek formulari i deklarimit të pasurisë së deputetes Sala Berisha- Shala, e shohim formularin e vjetër të datës së dorëzimit 28 mars 2011, në faqen e parë të formularit, këtu vërehet data e ndërhyrjes të këtij formulari me 12.05.2011, ku bashkangjitur me këtë formular është edhe formulari i regjistrit të deklarimit të pasurisë ku është paraqitur ndërhyrja. Dy muaj më vonë pas krejt këtyre polemikave, është bërë ndërhyrja edhe në formularin e ri të po të njëjtës deputete që ka datën 02.12.2011, ku tash janë të përfshira në këtë formular ato deklarime të cilat në formularin e parë nuk kanë qenë dhe, pas polemikave dhe shkrimeve në gazetë nga organizata “Çohu”, vërtetohet ndërhyrja e agjencionit”, ka thënë përfaqësuesi ligjorë i organizatës “Cohu”, Admir Salihu.
Lidhur me këto pretendime avokati Salihu i ka propozuar gjykatës që padinë e Agjencionit Kundër Korrupsionit ta hedhë si të palejuar, ndërsa pretendimet e Pretenit t’i refuzojë si të pabazuara dhe paligjshme. Ai ka kërkuar nga palët paditëse edhe mbulimin e shpenzimeve të procedurës gjyqësore të parapara me tarifën e Odës së Avokatëve.
Në fund të kësaj seance, gjyqtarja e këtij rasti, Mevlide Kosumi – Qarri, ka bërë të ditur se vendimi mbi këtë çështje juridiko-civile do t’iu dorëzohet palëve me shkrim brenda afateve të parapara me ligj.