Një lëvizje nga Parlamenti mund të rrezikojë lirinë e medias në Shqipëri

    0
    122

    Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik,në mbledhjen e datës 24.05.2021, pas përfundimit të mandatit 5-vjeçar të 3 anëtarëve të Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe pas dorëheqjes së një anëtari (bazuar në nenin 9, pika 2, të ligjit nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”) vendosi rishpalljen e katër vakancave për anëtar të Autoritetit të Mediave Audiovizive.

    Anëtarët e Autoritetit të Mediave Audiovizive duhet të jenë juridikisht jopartiakë dhe politikisht të pavarur, ndërsa formulat ligjore për zgjedhjen e tyre u kanë dhënë shumicës dhe opozitës parlamentare të drejtën për të propozuar ose refuzuar kandidatë që garantojnë shumëllojshmëri në përbërjen e bordeve me përfaqësues të partive të ndryshme parlamentare.

    Përpjekja për të plotësuar vendet e lira në bordin e Autoritetit të Mediave Audiovizive në Shqipëri do të bëhet me mbështetjen e ‘opozitës parlamentare’ aktuale, e cila është vetëm një opozitë formale.

    Duke marrë parasysh këtë sfond, plotësimi i vendeve të lira të një institucioni thelbësor të pavarur siç është Autoriteti i Mediave Audiovizive rrezikon të vendosë atë, në kontrollin e maxhorancës aktuale, gjatë mandatit të saj të tretë në pushtet sipas edhe ekspertëve të medias dhe raportimit të BIRN Albania.

    Koloreto Çukali, kreu i Këshillit Shqiptar të Mediave, i tha BIRN Albania (Reporter.al) se nxitimi i parlamentit aktual për të plotësuar vakancat përbën një shkelje të frymës së ligjit dhe një tentativë për të kapur shtetin pa pritur ribalancimin e legjislativit. Sipas tij dhe ekspertëve të medias, institucione të tilla duhet të jenë të pavarura dhe jo siç kanë qenë deri më tani si borde ndërpartiake, nëse parlamenti aktual zgjedh të gjithë ata [anëtarët e bordit], reputacioni i AMA do të vuajë edhe më shumë.

    Kjo nuk është hera e parë që qeveria propozon legjislacionin që mund të çojnë drejt cënimit të pavarësisë së medias. Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safejournalists) ka reaguar në raste të tjera në 2020 dhe 2021 në lidhje me të ashtuquajturën paketë “anti-shpifje” dhe ndryshime të tjera të propozuara që ndikojnë pavarësinë e medias.

    “Nuk ka pasur transparencë rreth formës ose statusit aktual të ligjit dhe ai është ende në axhendën e parlamentit dhe nuk është tërhequr zyrtarisht”, thotë Alice Taylor nga Exit News.

    Blerjana Bino, Kërkuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri (Safejournalists) thekson se tre në katër pozicionet e anëtarëve të bordit të AMA-s janë vakant për më shumë se një vit, kështu që përpjekja për të mbushur këto vakanca me nxitim brenda Parlamentit aktual, që ka legjitimitet të kufizuar me një opozitë faktike të munguar, është një tregues i qartë se Qeveria po kërkon më shumë kontroll mbi institucionet e pavarura dhe në këtë rast mbi median.

    “Shqipëria tashmë ka kaluar një vit të vështirë në lidhje me pavarësinë e medias dhe kjo është një tjetër goditje e mundshme. Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit 2021, opozita (PD dhe LSI) do të kthehet në Parlament dhe për këtë arsye do të ishte më e përshtatshme që parlamenti i ri të votojë dhe të miratojë vakancat e Autoritetit të Mediave Audiovizive atëherë duke”, tha ajo.

    Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safejournalists), që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, qëndron në solidaritet me kolegët shqiptarë dhe shpreh shqetësimin për përpjekje të tilla nga zyrtarë qeveritarë që mund të rrezikojnë lirinë e medias. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë dhe Parlamentit të shtyjë plotësimin e vakancave pasi parlamenti i ri të fillojë punën e tij në shtator 2021 dhe të sigurojë përbërjen jo-partiake dhe pavarësinë e institucioneve kryesore siç është Autoriteti i Mediave Audiovizive.

    Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safejournalists) do të informojë të gjithë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për rastin.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 26.05.2021

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

    Shoqata e Gazetarëve të Bosnjes dhe Herzegovinës

    Shoqata e Gazetarëve Kroatë

    Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi