PLATFORMA RAJONALE: Të papranueshme largimet e punonjësve nga Gazeta Zëri në Kosovë

    0
    128

    Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve e cila përfaqëson më shumë se 8.200 anëtarë, shpreh shqetësimin e saj për largimin e më shumë se 20 punonjësve, të cilët kanë punuar me vite në Gazetën Zëri në Kosovë. Në mesin e të larguarve janë tre gazetarë e një redaktor dhe, sipas kolegëve tanë, dy nga gazetaret janë gra shtatzëna.

    Gazetarët u informuan për ndërprerjen e punës përmes postës elektronike nga drejtori i mediumit, Shpend Dobranja. Dobranja deklaroi se dy muajt e fundit Gazeta Zëri ishte ballafaquar me vështirësi financiare për shkak të hyrave të ulëta nga reklamat dhe rënia e shitjes së gazetave, arsyeje për të cilat u morr vendimi.

    Në letrën dërguar nga një gazetar i Gazetës Zëri në Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AJK) thuhet: “Nuk është respektuar rregulli i njoftimit 15 ditë para largimit, përderisa lajmi na është kumtuar më 31 mars, e madje disa të tjerëve më 1 prill derisa ishin në vendin e tyre të punës. Edhe më i rëndë është fakti se dy prej gazetareve janë shtatzëna. Kjo përbën shkelje të ligjit”.

    – Pas marrjes së lajmit, AJK kërkoi menjëherë përgjigje nga drejtori i Gazetës Zëri Dobranja dhe tani jemi në pritje të sqarimit në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga ai – tha Gentiana Begolli Pustina, Kryetare e Bordit të AJK-s. – Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të punëtorëve dhe, për më keq, kjo përkoi me pandeminë e COVID-19. Duke ditur ambientin tashmë të brishtë në të cilin punojnë gazetarët, ne për herë të tretë kemi kërkuar sqarime nga Ministria e Financave dhe Transfereve nëse gazetarët do të përfshihen në Pakon Fiskale Emergjente të Qeverisë së Kosovës. Ende nuk kemi asnjë përgjigje.

    Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Mbrojtjen e Lirisë së Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve i bashkohet thirrjes së AJK-s për Inspektoratin e Punës që të hetojë me urgjencë çështjen e Gazetës Zëri dhe autoriteteve përkatëse të sigurojnë masa që do të ndihmojnë mediat gjatë pandemisë.

    Platforma u bën apel të gjithë drejtuesve të mediave që të mos shkelin ligjin dhe t’i trajtojnë kolegët tanë me respekt duke pasur parasysh se ata po e vënë veten në rrezik duke raportuar në vijën e parë të frontit kundër pandemisë. Platforma do t’i informojë të gjithë akterët përkatës shtetërorë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

     

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 3 Prill 2020

    Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

    Sindikata e Mediave e Malit të Zi

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë