Rrjeti Safe Journalist i dergon letër shqetësimi RTSH-së, Kuvendit të Shqipërisë, AMA-s

    0
    299

    Rrjeti Safe Journalists i dërgoi një letër shqetësimi RTSH-së, Kuvendit të Shqipërisë, AMA-s për një shkelje të mundshme të procesit të rregullt në lidhje me shkarkimin dhe punësimin e stafit të medias. Në interes të publikut dhe besueshmërisë së RTSH, Rrjeti Safe Journalists po kërkon informacion për situatën aktuale në RTSH, duke ritheksuar se çdo reformim i strukturës organizative dhe programit në RTSH duhet të bëhet duke garantuar respektimin e të drejtave të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias, duke ndjekur një proces të rregullt dhe në transparencë të plotë.

    Gjeni përmbajtjen e letrës më poshtë:

    *****

    I nderuar zoti Peza,

    Po ju shkruaj në emër të Rrjetit SafeJournalists, që mbledh më shumë se 8200 anëtarë në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë gazetarë nga Shqipëria, ne veprojmë për shkeljen e të drejtave të gazetarëve, rastet e cënimit të sigurisë së tyre dhe kufizimin e lirive të medias. Ne po ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet në skenën mediatike në Shqipëri. Jemi të shqetësuar nga ngjarjet e fundit në RTSH për largimin e stafit pa kujdesin e duhur.

    Javën e kaluar dhe pas zgjedhjes suaj si Drejtor i Përgjithshëm i RTSH më 13 qershor 2023, kemi marrë ankesa formale dhe burime të besueshme për një shkelje të mundshme në procesin e rregullt ligjor në lidhje me shkarkimin e stafit të medias, por edhe punësimin e stafit të ri pa proces të rregullt ligjor. Siç mund ta dini, për këtë kanë reaguar edhe shoqatat e gazetarëve në Shqipëri dhe Federata Evropiane e Gazetarëve.

    Ndërkohë që e kuptojmë nevojën e ristrukturimit dhe kryerjes së ndryshimeve programore në RTSH, ne jemi ende të shqetësuar për procesin e largimit nga puna dhe efektin që ka tek punonjësit. Bazuar në Ligjin Nr. 97/2013 për “Mediet Audiovizive në Republikën e Shqipërisë” (neni 103 dhe 105) jemi në dijeni të rolit tuaj në drejtimin e administratës së përgjithshme të veprimtarisë së RTSH-së dhe në mbajtjen e përgjegjësisë redaktuese të saj si dhe në emërimin dhe shkarkimin e stafit të RTSH-së. Megjithatë, dëshirojmë të ritheksojmë se kjo duhet bërë duke garantuar respektimin e të drejtave të punës së gazetarëve dhe punonjësve të medias, ndjekjen e procesit të rregullt dhe në transparencë të plotë.

    Që RTSH të ruajë besueshmërinë dhe besimin e punonjësve dhe publikut, është thelbësore që Drejtori i Përgjithshëm të sqarojë bazën e këtyre ndryshimeve të personelit, duke demonstruar se u ndoqën kanalet dhe procedurat e duhura siç e kërkon ligji.

    Në bazë të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” dhe në interes të publikut, dëshirojmë të mësojmë më shumë nga ju për këtë. A janë pushuar nga puna gazetarët, redaktorët dhe personeli tjetër administrativ apo mbështetës, dhe nëse po, sa janë pushuar nga puna, në çfarë kushtesh dhe për çfarë arsye? Sa persona të rinj janë punësuar dhe nëse po, a janë ndjekur procedurat e duhura duke respektuar ligjin dhe statutin e RTSH-së, duke shmangur konfliktin e mundshëm të interesit?

    Gjithashtu, nëse planifikoni ta bëni këtë, ju lutemi informoni publikun, pasi RTSH është një institucion publik dhe të gjithë qytetarët që kanë të drejtë të kenë një informacion të tillë dhe arsyet e pushimeve të mundshme.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. Presim të dëgjojmë nga ju.

    Sinqerisht,

    Marija Babic

    Në emër të

    Shoqata e Gazetarëve të BH

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi

    Shoqata e Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

    Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Letra në gjuhën angleze gjendet këtu: Letter of concern RTSH July 2023