SafeJournalists: Arrestohet nga policia gazetari shqiptar, Elvis Hila

    0
    120

    Policia lokale ka arrestuar gazetarin Elvis Hila të “Report.TV News Channel”, përderisa ai ishte duke raportuar sesi autoritetet shtetërore ishin duke e rrënuar një ndërtesë pa leje. Hila u arrestua, pavarësisht asaj se tregoi qartë se është gazetar. Ai pastaj është liruar pasi që gazetarët që ishin prezent ushtruan presion ndaj policisë.

    Më 17 qershor, Hila ishte duke e xhiruar një ndërtesë që po rrënohej nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në një plazh në Lezhë të Shqipërisë. Gazetari ka raportuar se policët e Lezhës iu kanë afruar dhe i kanë kërkuar letrën identifikuese, përderisa ishte duke xhiruar me telefon. Pasi që Hila tregoi se është gazetar, një polic ia mori telefonin nga dora duke i thënë “Çfarë gazetari je ti?!?!?”.  Ai u intervistua edhe pasi që kishte treguar disa herë se ishte gazetar, si dhe pasi që policia kishte njoftuar shefin e policisë për profesionin e tij. Ai u mbajt në veturën e policisë, afër vendit ku po bëhej rrënimi i ndërtesës dhe u lirua vetëm pasi që gazetarët e tjerë që ishin prezent në vend të ngjarjes, ushtruan presion ndaj policisë. (Videon mund t’a shikoni këtu)

    “Qëllimi i tyre ishte që të më ndalonin mua të xhiroja përleshjen në mes të IKMT-së, policisë dhe pronarëve të ndërtimeve paleje. Unë isha duke e xhiruar dhunën e ushtruar ndaj një gruaje të moshuar, e cila po kundërshtonte rrënimin e ndërtesës së saj”, ka thënë Hila në një deklaratë për Reporter.al. Ani pse gazetarit iu kthye telefonit, ai nuk kishte mundësi të xhironte më tej situatën e krijuar.

    Hulumtuesja e SafeJournalists, Blerjana Bino, ka raportuar se Ministria e Infrastrukturës dhe Policia e Shtetit, ende nuk e kanë komentuar arrestimin e Hilës dhe arsyet pse ka ndodhur kjo. Sipas asaj që raporton Bino, pas reagimit të asociacioneve të gazetarëve dhe ankesës së paraqitur nga Hila, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave të Policisë së Shtetit, kanë filluar një hetim dhe kanë marrë deklaratat e gazetarit, si dhe zyrtarëve policorë që ishin në vendngjarje.

    “Veprimet e Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve dhe profesionistevë të mediave që janë në detyrë, sidomos në situatë tensionuese, përfshijnë presion dhe armiqësi të hapur. Sulmi me gojë, sekuestrimi i pajisjeve, ndalimi dhe format e tjera të frikësimit po normalizohen. Ky normalizim po nxitet nga mungesa e reagimit dhe hetimet e duhura të incidenteve të tilla – tha Blerjana Bino – Nëse ne i lëmë pas dore, ose edhe më keq i tolerojmë dhe i konsiderojmë veprimet e tilla si ‘normale’ ato bëhen përsëritëse dhe kërcënojnë sigurinë e gazetarëve, raportimin e tyre të pavarur dhe liria e përgjithshme e mediave në Shqipëri.

    SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të mediave në Ballkanin Perëndimor, dënon ashpër ndalimin e Elvis Hilës dhe u bën thirrje Shërbimit të Brendshëm dhe Ankesave të autoriteteve të Policisë së Shtetit, që të hetojnë në tërësi incidentin, të përcaktojnë përgjegjshmërinë e anëtarëve të forcave të policisë së Lezhës dhe të publikojnë gjetjet e saj. Rrjeti SafeJournalists është i shqetësuar nga raportet e rritjes së armiqësisë ndaj gazetarëve nga përfaqësuesit e Policisë dhe u kërkon autoriteteve shqiptare të mos pengojnë gazetarët, por të sigurojnë një mjedis të sigurt për ta. Ne mirëpresim reagimin e gazetarëve të pranishëm, të cilët qëndruan pranë kolegut të tyre, Elvis Hila dhe e demonstruan fuqinë e solidaritetit.

    SafeJournalists, do t’i informojë institucionet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 22.06.2020

    Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

    Sindikata e Mediave e Malit të Zi

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të  Serbisë