SafeJournalists: Dënojmë kërcënimet ndaj gazetarëve në Mal të Zi dhe Kosovë

    0
    89
    photo: canva

    Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër kërcënimet ndaj gazetarit të televizionit Vijesti, Nikola Milosavic Aleksic në Mal të Zi, dhe ndaj gazetareve Ardiana Thaçi Mehmeti e Erjona Gjikolli në Kosovë. 

    Kërcënimet ndaj gazetarit Nikola Milosavic Aleksic u bënë pas telefonatës që ai kishte me pronarin e kompanisë “Trudbenik”, Vuksan Radonjic, ku e kishte pyetur lidhur me një temë që përfshinte kompaninë e tij. Radonjic e fyeu, shau dhe kërcënoi gazetarit, ku në mes të tjerash i kishte thënë se do “ia priste kokën”, dhe “mos të publikonte asgjë që kishte lidhje me të dhe restorantin e tij”.

    Policia në Podgoricë ka reaguar shpejt duke e arrestuar Vuksan Radonjic – i cili është i dyshuari për këto kërcënime. Ai ishte arrestuar me urdhër të prokurorit nga Zyra e Prokurorit të Shtetit në Podgoricë. 

    Një rast tjetër i kërcënimeve me jetë ka ndodhur në Kosovë, ndaj gazetareve Ardiana Thaçi Mehmeti dhe Erjona Gjikolli – autoreve të emisionit investigativ KIKS Kosova. 

    Thaçi, Mehmeti dhe Gjikolli – kanë marr kërcënime me jetë ndaj tyre dhe familjarëve, pas një hulumtimi ndaj këngëtarit Eroll Murati, i cili sipas këtij hulumtimi është i përfshirë në skemën e mashtrimeve me pasaporta Slovene, si dhe shitjen e veturave që i kishte marrë me qira. Në një email drejtuar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gazetaret kanë treguar se ato bashkë me familjet e tyre janë kërcënuar me jetë nga një profil i sapo hapur në rrjetin social Facebook. Siç thonë gazetaret, mesazhet janë si vijon “pak e ki, krejt t rrethekum me evlad kan me ti kall me cka ke”. Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës.

    “Jemi thellësisht të shqetësuar dhe i kundërshtojmë kërcënimet ndaj kolegëve tanë Nikola Millosavic Aleksic në Mal të Zi dhe Ardiana Thaçi Mehmeti e Erjona Gjikolli në Kosovë. Këto kërcënime janë sulme të drejtpërdrejta jo vetëm ndaj këtyre gazetarëve, por edhe mbi thelbin e lirisë së shtypit dhe demokracisë në të dy vendet. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të veprojnë me shpejtësi dhe vendosmëri në ndëshkimin e autorëve, duke ndjekur ligjet kombëtare. Angazhimi ynë është i vendosur: ne do të qëndrojmë gjithmonë për sigurinë e gazetarëve dhe të drejtën themelore të fjalës së lirë. Sulmi ndaj çdo gazetari është një sulm ndaj të drejtës së secilit për të qenë i informuar. Ne solidarizohemi me kolegët tanë dhe kundërshtojmë çdo formë të kërcënimit apo dhunës ndaj gazetarëve”, ka deklaruar Dragan Sekulovski, Drejtor i Rrjetit SafeJournalists. 

    Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarëve të saj TUMM dhe AGK-së, në dënimin e ashpër ndaj këtyre kërcënimeve drejtuar gazetarëve. Rrjeti e mirëpret reagimin e shpejt të policisë dhe prokurorisë në Mal të Zi, dhe u bën apel autoriteteve që ta çojnë procedurën deri në fund dhe të ndëshkojnë sa më parë autorët. Rrjeti, po ashtu, kërkon nga institucionet kompetente në Kosovë që ta trajtojnë me prioritet rastin e kërcënimeve ndaj gazetareve dhe të ndërmarrin hapat e duhur që personi që fshihet pas profilit të rremë, dhe kërcënimeve të gjendet dhe të ndëshkohet. Rrjeti SafeJournalists, thekson se institucionet duhet të demonstrojnë se nuk do të heshtin përballë asnjë sulmi dhe kërcënimi ndaj punonjësve të medias.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 1.12.2023

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës

    Asociacioni i Gazetarëve të Kroacisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave në Malin e Zi