SafeJournalists: Dy gazetare janë sulmuar fizikisht nga një çift në Prishtinë

    0
    40
    photo: canva

    Më 3 prill, gazetaret e Lajmi.net, Fjolla Hyseni dhe Lindita Berisha janë sulmuar fizikisht nga një çift në rrugë në Prishtinë.

    Në pamjet shqetësuese të publikuara nga media, shihen një grua dhe një burrë duke sulmuar fizikisht dhe ofenduar gazetaret, gjersa tentojnë t’i pengojnë ato të xhirojnë. Sipas medias, ngjarja ka nisur kur taksia në të cilën ndodheshin gazetarët u ka bllokuar rrugën atyre, duke çuar në përplasje fizike fillimisht me taksistin. Më tej, pavarësisht se ishin informuar se njëra nga gazetaret ishte shtatzënë, sulmuesja nuk është përmbajtur nga sulmi fizik ndaj saj. Gazetaret tentuan që nga taksia të xhirojnë të gjithë incidentin, dhe kur sulmuesit kuptuan se ato që po i xhironin ishin gazetare, sulmi u bë më agresiv ndaj tytre.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e konsideron sulmin fizik ndaj gazetarëve Hyseni dhe Berisha si tejet shqetësues, të papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve. Xhemajl Rexha, Kryetar i AGK-së, shprehu shqetësimin e thellë për sulmin ndaj kolegeve dhe natyrën e sulmit si të paprecedentë. “Jemi të tmerruar nga sulmi ndaj kolegeve tona, dhe nga ashpërsia e tij. Gazetaret po e kryenin detyrën duke dokumentuar një sulm nga të njëjtët individë në një hapësirë publike. Ne e përgëzojmë profesionalizmin e tyre në një mjedis armiqësor dhe sfidues”, tha Rexha.

    Policia dhe Prokuroria i posedojnë të gjitha provat përkatëse për të trajtuar në mënyrë të shpejtë dhe efektive rastin, si dhe për të mbajtur përgjegjës çiftin në video për ngjarjen e rëndë.

    Rrjeti SafeJournalists, së bashku me anëtaren e tij, AGK-në, kërkon që institucionet kompetente të veprojnë urgjentisht kundër autorëve lehtë të identifikuar në video, dhe të trajtojnë rastet e sulmeve ndaj gazetarëve me seriozitetin dhe prioritetin më të madh për të krijuar precedent të mirë për të ardhmen.

    Rrjeti SafeJournalists do të monitorojë nga afër zhvillimet në këtë rast dhe do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 04.04.2024

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Shoqata e Gazetarëve të BH

    Shoqata e Gazetarëve Kroatë

    Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi