SafeJournalists: Gazetarja e Top Channel u sulmua në veri të Kosovës

    0
    114
    photo: canva

    Gazetarja e Top Channel, Leonita Bajrami, u sulmua në Mitrovicë më 27 dhjetor me lende piroteknike teksa po transmetonte direkt në programin e mëngjesit të Top Channel “Shqiperia Live”.

    Sapo vuri re praninë e eksplozivit, ajo u largua, por transmetimi i drejtpërdrejtë nga vendndodhja vazhdoi pas sulmit. Ky sulm ndodhi teksa gazetari Bajrami po raportonte drejtpërdrejt nga lagjja boshnjake në Mitrovicë, për barrikadën e re që ishte vendosur aty më herët atë mëngjes. Pamjet nga sulmi mund të shihen këtu.

    Ky është sulmi i gjashtë kundër gazetarëve në Mitrovicë gjatë dhjetorit të vitit 2022 teksa tensionet përshkallëzohen.

    Vetura në të cilën udhëtonte gazetari dhe producenti i Kallxo.com është sulmuar në afërsi të Shkollës Teknike në Mitrovicë; Ekipi i RTV Dukagjinit është sulmuar me eksploziv gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë në pjesën veriore të Kosovës; Ekipi i Klan Kosovës është sulmuar derisa po raportonte në afërsi të barrikadave në fshatin Çabër të Zubin Potokut kur sulmuesit e gjuajtën me gurë ekipin dhe i ofenduan; Ekipi i televizionit TeVe1 ishte nën sulm me eksploziv në lagjen boshnjake në Komunën e Mitrovicës. Ekipi i përbërë nga gazetari dhe kameramani ishte i pranishëm në momentin e shpërthimit; Persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e Klanit të Kosovës në Zubin Potok të fshatit Zupç. Gazetari dhe shoferi kanë marrë trajtim mjekësor pasi xhamat e makinës të thyer nga gurët i kanë goditur në fytyrë.

    Sulmet e vazhdueshme paraqesin një kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe pengojnë raportimin për zhvillimet në veri të Kosovës. Në muajin e kaluar, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar që KFOR-i dhe EULEX-i të luajnë një rol shtesë për të garantuar sigurinë fizike të gazetarëve, të cilët vazhdojnë të jenë pre e sulmeve të organizuara nga grupe personash të maskuar.

    Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i dënon këto raste dhe u bën thirrje organeve kompetente që të garantojnë sigurinë e gazetarëve, veçanërisht në kohë delikate. Për më tepër, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të hedhin dritë mbi të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve që kanë ndodhur në Kosovë, sepse çdo rast i pandëshkuar sjell më shumë krime ndaj gazetarëve.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjithë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për rastet e fundit.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 29.12.2022

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi