SafeJournalists: Shqetësime në lidhje me Ndryshimet e propozuara mbi aksesin e informacionit në Shqipëri

    0
    89
    photo: canva

    Më 19 tetor 2022, Ministria e Drejtësisë publikoi një projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”. Sipas qeverisë, ky projektligj synon përmirësimin dhe fuqizimin e legjislacionit aktual për të drejtën e informimit, duke u fokusuar në interesin e qytetarëve, transparencën dhe llogaridhënien e autoriteteve publike.

    Edhe pse projektligji merr parasysh disa nga propozimet e shoqërisë civile për të drejtën e aksesit në informacion, ai ka edhe disa propozime që ngrenë shqetësimin tonë.

    Shqetësimi i parë lidhet me parashikimet në projektligj për “kërkesat abuzive”. Në nenin 24/2 parashikohet: “Kur kërkesat për informacion janë në mënyrë të hapur abuzive, veçanërisht për shkak të karakterit të tyre të përsëritur, autoriteti publik mund të vendosë përfundimin e procedurës administrative pa një vendim përfundimtar. Barra e provës për të vërtetuar natyrën abuzive të kërkesës i takon autoritetit publik”.

    Jemi të shqetësuar se nëse miratohen, këto ndryshime do t’u mundësonin autoriteteve publike dhe ministrive që t’i hedhin poshtë kërkesat për informacion publik nga gazetarët si abuzive dhe nuk kanë detyrimin ta justifikojnë atë. Nëse miratohet në mënyrën e propozuar aktualisht, ndryshimet mund të pengojnë më tej gazetarinë profesionale investigative dhe cilësore që tashmë po përballet me shumë sfida në aksesin e informacionit publik, gjë që nga ana tjetër do të minonte më tej transparencën dhe llogaridhënien e qeverisë.

    Një çështje tjetër është moszbatimi i vendimeve nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave. Projektligji ka dispozita për të trajtuar këtë çështje, sipas të cilave moszbatimi i vendimeve të Komisionerit do të dënohet nga 150 000 deri në 300 000 lekë. Ky sanksion do të zbatohet për titullarin e institucionit. Ndonëse kjo është një përpjekje për të inkorporuar disa nga sugjerimet e shoqërisë civile për këtë çështje, ne jemi të shqetësuar se nuk adreson kërkesën e vazhdueshme të shoqërisë civile. Rekomandimi ndër vite ka qenë që vendimet e Komisionerit duhet të kenë tituj ekzekutivë dhe mosekzekutimi i tyre të përbëjë shkelje administrative. Përndryshe, autoritetet publike do të vazhdojnë të ruajnë informacionin pavarësisht vendimeve të Komisionerit.

    Gjithashtu, ne jemi të shqetësuar për çështjen e sigurimit që institucionet publike të jenë transparente dhe t’u përgjigjen në mënyrë të duhur kërkesave për informacion publik. Edhe pse ligji aktual kërkon që Komisioneri të vendosë për të gjitha rastet e mosdhënies së informacionit nga institucionet publike, Komisioneri vazhdon të marrë shumë pak vendime për ankesat e marra. Numri i ulët i vendimeve të Komisionerit dhe fakti që vendimet e Komisionerit nuk kanë fuqinë e titujve ekzekutivë janë çështje kritike të ligjit aktual dhe zbatimit të tij dhe ne jemi të shqetësuar se ato nuk trajtohen në ndryshimet e propozuara.

    Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësimin e tij për disa nga ndryshimet e propozuara dhe kërkon nga autoritetet që të rishqyrtojnë propozimet e shoqërisë civile për të miratuar ndryshimet që do të kontribuojnë në realizimin e kësaj të drejte të gazetarëve dhe të gjithë qytetarëve.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këto ndryshime të ligjit.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 15.11.2022