SafeJournalists: Sjellje e papranueshme e autoriteteve gjyqësore në rastin e një sulmi ndaj një gazetari në Mal të Zi

    0
    72

     

    Rrjeti SafeJournalists është i shqetësuar për veprimet joadekuate të autoriteteve gjyqësore në rastin e sulmit ndaj gazetares së gazetës Vijesti, Jadranka Cetkovic, i cili po zhvillohet njëkohësisht pranë gjykatës për kundërvajtje në Bijelo Polje dhe Prokurorisë së Lartë të Shtetit. Për ankesën e palës së dëmtuar vendosin të dyja organet. Kjo ia mohoi gazetares mbrojtjen adekuate penale, në përputhje me ligjet përkatëse të Malit të Zi.

    Sulmi ndaj gazetares Jadranka Cetkovic ndodhi në qershor teksa ajo po përpiqej të bënte punën e saj. Rasti është raportuar në polici dhe Prokuroria Themelore ka vendosur se nuk ka vepër penale. Pas kundërshtimit të avokatit të gazetares së dëmtuar, Prokuroria e Lartë e ka pranuar kundërshtimin dhe e ka kthyer lëndën për rivendosje në Prokurorinë Themelore.

    Në ndërkohë, Prokuroria Themelore e Shtetit në Bijelo Polje ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën për Kundërvajtje për inicimin e procedurës për kundërvajtje për të njëjtën ngjarje dhe kundër të dyshuarit të njëjtë. Më pas, Prokuroria Themelore sërish ka marrë vendim për refuzimin e kallëzimit penal, ndërsa avokati i të dëmtuares sërish ka paraqitur ankesë në Prokurorinë e Lartë të Shtetit për shqyrtimin e vendimit të ri për refuzimin e kallëzimit penal. Në kohën kur Prokuroria e Lartë ishte në proces vendimi për ankim ndaj një vendimi të tillë, Gjykata për Kundërvajtje caktoi seancën për të njëjtën çështje.

    Pasi Prokuroria Themelore e Shtetit në Bijelo Polje kërkoi shtyrjen e seancës, për faktin se procedurat në prokurorinë kompetente ende nuk kanë përfunduar, Gjykata për Kundërvajtje në Bijelo Polje e refuzoi një propozim të tillë dhe e zhvilloi procedurën provuese me shpejtësi, dhe përfundoi seancën.

    Për ta bërë situatën edhe më absurde, Sindikata e Mediave të Malit të Zi ka marrë njoftim nga Prokuroria e Lartë se kanë pranuar ankesën e dytë dhe se prokurori ka gabuar kur ka vlerësuar se bëhet fjalë vetëm për kundërvajtje. Kjo çon në faktin se i njëjti rast aktualisht është edhe kundërvajtje dhe vepër penale, gjë që tregon një anë shumë të keqe të mbrojtjes në Mal të Zi.

    Kryetari i Sindikatës së Mediave të Malit të Zi Radomir Krackovic tha: “Rasti i koleges Jadranka Cetkovic tregoi paaftësinë e autoriteteve kompetente për të ofruar mbrojtje reale për gazetarët e sulmuar. Përpjekjet tona për të forcuar mbrojtjen penale janë të kota kur kemi një situatë ku i njëjti rast vendoset në të njëjtën kohë nga autoritete të ndryshme, vendimet e të cilave janë reciprokisht përjashtuese”, tha Krackovic. Sindikata e Mediave të Malit të Zi me këtë rast do të kërkojë përgjegjësinë e të gjithëve në zinxhir, sepse rezultati i punës së tyre mund të jetë përfundimi i rastit pa mbrojtje adekuate për viktimën e dhunës.

    Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të tij TUMM në dënimin e kësaj vepre të autoriteteve gjyqësore dhe kërkon një përgjigje nga të gjithë pjesëmarrësit në procedurë, si dhe një zgjidhje për çështjen e gazetares Jadranka Cetkoviq. Gjithashtu, rrjeti SafeJournalists beson se nga kjo sjellje janë shkelur disa nga standardet themelore profesionale, si dhe normat e vlefshme materiale dhe procedurale të legjislacionit penal dhe kundërvajtës.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë autoritetet kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 12.10.2022

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi