SafeJournalists: Sulmohet fizikisht kameramani në Kosovë, merr lëndime të rënda trupore

    0
    117
    photo: canva

    Kameramani i Radio Televizionit të Kosovës, Bardh Bekteshi, sot u sulmua fizikisht gjatë raportimit në Leposaviq.

    Siç shihet në videon shqetësuese që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka publikuar nga kolegia e Bekteshit, Venera Xhoxhaj, e cila ishte e pranishme gjatë sulmit, Bekteshi u goditë dhe pastaj u rrah. Siç shpjegoi gazetarja Xhoxhaj, Bekteshi ka pësuar lëndime të rënda në kokë, si dhe në trup.

    Protestues të maskuar na godisnin me gurë, derisa disa kolegë po iknin. Kameramani ynë, Bardh Bekteshi, u shty dhe u rrëzua, ku u sulmua fizikisht, duke i shkaktuar lëndime në kokë dhe trup“, u shpreh ajo.

    Përveç sulmit fizik, kamera e Bekteshit u demolua. Gjithashtu, u konfirmua se protestuesit goditën me gurë edhe ekipe të tjera mediale që ishin të pranishme, si: Tëvë1, RTV Dukagjini, RTK, Klan Kosova dhe KTV.

    “Jemi të tronditur nga sulmi më i ri, më brutal kundër gazetarëve në Leposaviq. Ata u ndjekën dhe të paktën dy prej tyre u goditën sa ishin të rrëzuar në tokë. I bëjmë thirrje të gjithëve, fillimisht nga Kryeministri i Kosovës, Kurti, dhe faktorët e tjerë, që të bëjnë maksimumin e tyre për të siguruar një ambient të sigurt për gazetarët për të kryer punën e tyre”, tha Xhemajl Rexha, kryetari i bordit të AGK-së.

    Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, bashkohet me anëtarin e saj, AGK-në, për të kërkuar nga KFOR-i që të garantojë siguri për gazetarët, veçanërisht kur ata po kryejnë detyrat e tyre në këtë pjesë të vendit. Rrjeti e sheh tejet shqetësuese të shohë videon në të cilin KFOR-i nuk reagon, ndërsa jeta e disa punonjësve të medias ishte në rrezik.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 16.06.2023

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

    Shoqata e Gazetarëve të BH

    Shoqata e Gazetarëve Kroatë

    Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi