SafeJournalists: Sulmohet gazetari në Prishtinë

    0
    68
    photo: canva

    Tre persona kanë sulmuar fizikisht gazetarin dhe udhëheqësin e Gazetës Metro, Valon Syla, në Prishtinë mbrëmjen e së martës.

    Syla është sulmuar pas daljes së tij në Televizionin 7, ku ka debatuar në një panel për gjykimin e ish-liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

    Sulmi është raportuar në Policinë e Kosovës dhe Syla ka pranuar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

    Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), ky sulm ndaj Sylës është krejtësisht i papranueshëm dhe e konsiderojnë si një përpjekje serioze për të penguar dhe dobësuar lirinë e shprehjes dhe mediave në Kosovë. “Jemi thellësisht të tronditur nga sulmi brutal ndaj Valonit. Ky është një nga sulmet më të rënda që synon t’i heshtë gazetarët dhe i cili nuk ka vend në një demokraci të cilën po përpiqemi ta ndërtojmë në Kosovë. Është momenti i fundit që të gjithë akterët relevantë të sigurisë dhe drejtësisë të bëjnë një punë të shpejtë dhe efektive për të kërkuar llogari nga përgjegjësit për këtë akt të neveritshëm”, tha Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të AGK-së.

    Edhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) e dënoi sulmin e dhunshëm ndaj gazetarit Syla.

    Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8.200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet dënimit të këtij sulmi dhe u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të gjejnë dhe arrestojnë menjëherë përgjegjësit për sulmin. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të dënojnë sulme të tilla dhe të demonstrojnë se kujdesen për lirinë e shtypit.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjithë akterët relevantë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve. Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 12.04.2023

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

    Shoqata e Gazetarëve të BH

    Shoqata e Gazetarëve Kroatë

    Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi