SafeJournalists: Sulmohet në pikë të ditës gazetari kosovar Valon Syla

    0
    184

    Valon Syla u sulmua nga një burrë i cili i thotë që të mos shfaqet më në televizion. Incidenti besohet të ketë ndodhur për shkak të disa qëndrimeve të Sylës për diasporën dhe u xhirua nga qytetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes. I dyshuari është paraqitur në polici dhe i njëjti po investigohet.

    Më 22 dhjetor, në Prishtinë, Valon Sylës nga portali Gazeta Metro iu afruan tre persona të panjohur. Një nga ta e ka pyetur “A jeni ti Valon Syla?” Ashtu që t’i evitonte problemet, Syla kishte mohuar dhe ishte larguar. Personi i njëjtë e kishte kapë dhe i kishte thënë “A mundesh mos me dalë më në televizor? A mundesh mos me folë më?”, dhe e kishte sulmuar fizikisht Sylën, në ndërkohë që dy të tjerët kanë vëzhguar. Sipas Sylës ky sulm nuk ka zgjatur më shumë se 30 sekonda dhe këtë e kanë xhiruar disa kalimtarë rasti. Syla ka arritur të largohet nga vendi dhe ta thërrasë policinë. Bazuar nga informatat që janë dhënë nga policia, i dyshuari është paraqitur në polici me avokatin e tij, ku i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Pasi që Syla u njoftua lidhur me identitetin e sulmuesit, ai gjithashtu kuptoi se personi kishte lidhje familjare me një nga komentuesit e më hershëm në postimet e tij në rrjetin social Facebook.

    “Po mendoj që është debati që unë gjithmonë kam dashtë t’a inicioj, debati i një shoqërie të dhunshme që nuk e pranon kritikën, nuk e pranon mendjen ndryshe, nuk e pranon as nivelet e tjera të komunikimit” – tha Syla, i cili u sulmua për shkak të disa qëndrimeve të veta.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), anëtar i Rrjetit SafeJournalists e dënon ashpër sulmin dhe kërkon reagim serioz dhe të menjhëhershëm nga organet kompetente.

    “Sulmi i tillë, në mes të ditës, në qendër të kryeqytetit e në prani të shumë kalimtarëve, dëshmon se sa me lehtësi dhe pa asnjë frikë nga rendi e ligji sulmohen gazetarët, vetëm se mendojnë ndryshe dhe shprehen ndryshe”, tha Gentiana Begolli Pustina, Kryetare e Bordit të AGK-së, duke shtuar se sulmi në drejtim të Sylës duhet të ndëshkohet. “Sulmi në drejtim të gazetarit Valon Syla duhet të ndëshkohet ashpër në mënyrë që të jetë mesazh i qartë për të gjithë se mendimi ndryshe dhe shprehja e lirë është vlerë e një shteti demokratik e jo diçka që duhet heshur, sulmuar dhe mbytur.”

    Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson mëse 8 mijë e 200 profesionistë të medieve  në Ballkanin Perëndimor ndanë shqetësimin e njëjtë me anëtarin e vetë. Lehtësues është fakti që i dyshuari është vetëdorëzuar në polici. Sido që të jetë, në Kosovë ka gazetarë të cilët janë kërcënuar e sulmuar dhe këto raste ende vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura. Pa praktika të duhura ligjore të cilat zbulojnë rastet në drejtim të gazetarëve nuk mund të ketë progres në fushën e sigurisë së gazetarëve, lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias. Për këtë duhet kërkuar llogaridhënie nga policia, prokuroria dhe gjykata.

    Rrjeti SafeJournalists do t’i informojë të gjithë akterët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me këtë rast.

    Secili sulm në drejtim të gazetarëve është sulm në interesin publik, demokraci dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

    Beogradi – Podgorica – Prishtina – Sarajeva – Shkupi – Zagrebi, 23.12.2020

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroat

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Medieve të Malit të Zi