SafeJournalists: Tentohet t’i digjet vetura gazetarit Shkumbin Kajtazi

    0
    161

    Gazetari i portalit Reporteri.net, Shkumbin Kajtazi,ka raportuar se një person i panjohur ka tentuar t’i vinte zjarrin makinës së tij, por që është penguar nga banorët e kësaj zone.

    Më 13 qershor, Kajtazi përmes rrjetit social Facebook, ka njoftuar se kishte pasur një tentativë për t’i vënë zjarrin makinës së tij, në qytetin e Mitrovicës. Banorët e kësaj zone menjëherë kanë reaguar duke parandaluar këtë akt, si dhe duke e njoftuar Policinë e Kosovës. Ekipi i Forenzikës në vendin e ngjarjes ka gjetur një shishe me benzinë afër makinës së gazetarit, teksa kamerat e sigurisë që e shfaqin autorin e këtij akti, iu janë dorëzuar policisë. Policia e Kosovës ka filluar hetimet në lidhje me rastin dhe këtë akt e ka cilësuar si “Zjarrvënie në tentativë”.

    “Po mendoj qe sulmi ka qenë konkret me një qëllim te caktuar qe lidhet me punën time. Po hamendësoj që për qëllim ka pas frikësimin, për shkak se projektet që jam pjesë unë, Reporteri dhe Jepi Zë, përfshijnë gamën e gjerë të njerëzve, përfshinë shumë subjekte për të cilat shkruhet. Mirëpo, ende nuk mund të konkludoj çka realisht ka ndodhur dhe nga kush. Por, mund të them me siguri, se s’kam asnjë problem personal me askënd”, ka thënë Kajtazi për AGK-në.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), anëtare e rrjetit SafeJournalists, ka reaguar menjëherë në lidhje me rastin, duke kërkuar më shumë informacione nga Policia e Kosovës. AGK-ja, ka kërkuar që urgjentisht të hetohen motivet e këtij sulmi dhe që autori i këtij akti të dalë para drejtësisë.

    “Kërcënime të tilla janë plotësisht të papranueshme. Ato shkelin seriozisht lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë klimën e gazetarisë në Kosovë”, ka thënë Gentiana Begolli-Pustina, kryetare e AGK-së, duke shtuar se ky nuk është incidenti i parë ndaj gazetarit Kajtazi. “Në vitin 2018, ai kishte marrë një telefonatë kërcënuese. Ne reaguam atëherë, kryesi ende nuk është sanksionuar dhe tani Kajtazi po përballet me një kërcënim tjetër serioz. Kjo do të thotë që duke mos i zgjidhur sulmet e vjetra, inkurajohen të ndodhin sulme të reja”.

    Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë 200 profesionistë të mediave në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet AGK-së për dënimin e tentimit të zjarrvënies së veturës së Kajtazit. Falënderojmë banorët e zonës për reagimin e menjëhershëm, si dhe që i kanë njoftuar policinë.

    Ne e mirëpresim faktin që është hapur kaq shpejt një rast hetimi nga Policia e Kosovës dhe duke pasë parasysh që posedojnë kamerat e sigurisë, presim që të e identifikojnë autorin e aktit.

    SafeJournalists Network, do t’i informojë institucionet përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 15.06.2020

    Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

    Sindikata e Mediave e Malit të Zi

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të  Serbisë