SafeJournalists: Zyrtarët e lartë shtetëror targetojnë gazetarët në Kosovë

    0
    75
    photo: canva

    Blerim Vela, si Shef i Stafit të Zyrës së Presidentes Osmani, ka sulmuar dje mediat kosovare përmes rrjetit social Twitter.

    Kjo ndodhi pasi mediat raportuan për një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese që mund të çojë në shpalljen e pavlefshme të zgjedhjes së Presidentes Osmani në Kuvend dy vite më parë. Në një seri postimesh në Twitter, Vela shkroi se raportimet e mediave kosovare janë “janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të ShBA-së”.

    Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha se ky është një trend shumë shqetësues, pasi që zoti Vela vazhdimisht sulmon mediat kosovare sa herë që nuk i pëlqen lajmet për Presidenten Osmani. “Shkrimet e fundit në Twitter tregojnë synimin e tij për të lidhur mediat e Kosovës me Serbinë, dhe kjo është shumë e rrezikshme dhe çon në nxitjen e publikut për të sulmuar mediet dhe gazetarët. Me keqardhje shohim që Presidentja Osmani nuk bën asgjë për të denoncuar gjuhën e pamatur, të papranueshme të njeriut kryesor që i është besuar kryerja e detyrave në zyrën më të lartë të shtetit”, ka përfunduar Rexha.

    Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, dënon këtë lloj retorike drejtuar gazetarëve nga pushtetarët. Rrjeti u bën thirrje politikanëve që të përmbahen nga sulmet verbale ndaj gazetarëve, sepse si pasojë e sulmeve të tilla gazetarët shpesh bëhen cak i kërcënimeve dhe fyerjeve nga qytetarët, prej të cilave ndonjëherë ndodhin edhe incidente fizike.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare për këtë rast.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 31.03.2023

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

    Shoqata e Gazetarëve të BH

    Shoqata e Gazetarëve Kroatë

    Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi