SJ: Gazetarët dhe aktivistët bullgarë u sulmuan në Serbi, një gazetari i dogjën veturën në Bosnje dhe Hercegovinë

    0
    64
    slika: canva

    Një ekip gazetarësh hulumtues të Televizionit Kombëtar Bullgar (BNT) “Gjurmët mbeten” dhe eko-aktivistë nga Bullgaria dhe Serbia u sulmuan fizikisht në Serbi. Sulmi ndodhi dje pasdite, më 14 qershor, në një rrugë përballë Minierës së Podvirovit në fshatin Karamanicë të Komunës së Bosilegradit.

    Ekipi televiziv përfshinte gazetaren Bogdana Lazarova, kameramanët Dimitar Slavov dhe Nikolai Andreev dhe teknikun Robert Vecov. Të pranishëm ishin edhe eko-aktivistët nga Sofja, Dimitar Kumanov nga Klubi i peshkimit “Balkanka” dhe dr. Valentin Janev, Branko Mitov dhe Dimitar Dimitrov nga Bosilegradi.

    Një ekip gazetarësh nga Bullgaria erdhën në Serbi për të xhiruar një storje rreth ndotjes së mjedisit në zonën kufitare në Komunën e Bosilegradit. Ata kishin të gjitha lejet e nevojshme për të filmuar në Serbi.

    Teksa gazetarë dhe aktivistë iu afruan minierës, rreth 50 metra nga hyrja e minierës, një minibus u bllokoi rrugën, ndaj u detyruan të shkonin më tej në këmbë. Në atë moment gjashtë-shtatë veta, duke përfshirë edhe drejtorin e minierës, sulmuan ekuipazhin, fillimisht duke i hedhur gurë dhe më pas duke goditur me grushte.

    Siç njofton Televizioni Kombëtar Bullgar, në Bosilegrad ka ardhur Konsulli i Përgjithshëm i Bullgarisë në Nish, Dimitar Canev. Me ndihmën e tij është dorëzuar një kallëzim në Policinë e Bosilegradit. Gjithashtu, janë njoftuar Ambasada e Bullgarisë në Beograd dhe Konsulli i Përgjithshëm.

    Një makinë digjet në Bosnje dhe Hercegovinë

    Një veturë në pronësi të gazetares së RTRS, Natasa Miljanoviç-Zubac, është djegur mbrëmë në Trebinje të Bosnjë-Hercegovinës.

    Siç njofton administrata policore e Trebinjës, Stacioni Policor Trebinjë më datë 15.06.2022 rreth orës 03:45 ka raportuar se ka rënë zjarr në automjetin e parkuar të pasagjerëve Ford në pronësi të N.M.Z. nga Trebinja. Zjarri është shuar nga efektivët e Brigadës Territoriale të Zjarrfikësve të Trebinjës. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë së Qarkut Trebinje.

    Po punohet për zbardhjen e rrethanave të zjarrit.

    Gazetarët e BH kujtojnë se në shkurt të vitit të kaluar Natasha Miljanovic-Zubac ishte viktimë e sulmeve verbale dhe ofendimeve të drejtuara publikisht ndaj saj nga Vojislav Sheshel, lider i Partisë Radikale Serbe. Për këtë rast aktualisht është një proces në gjykatën në Beograd.

    Rrjeti SafeJournalists, i cili përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor dënon ashpër këto sulme ndaj gazetarëve dhe pasurive të tyre. Rrjeti SJ u bën thirrje institucioneve në Serbi të dënojnë sulmuesit e gazetarëve bullgarë. Gjithashtu kërkojmë nga autoritetet kompetente në Bosnje dhe Hercegovinë që të reagojnë në kohën më të shkurtërt të mundshme, dhe të gjenden autorët që dogjën veturën në pronësi të gazetares Natasa Miljanovic-Zubac.

    Edhe Dragan Sekulovski, drejtor i Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt kërkon reagim urgjent nga organet kompetente.

    “Në vend që të zvogëlohet numri i kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, çdo vit ka më shumë. Kjo do të thotë se institucionet nuk bëjnë asnjë përpjekje për të mbrojtur gazetarët dhe të drejtat e tyre. Sulme të tilla ndaj gazetarëve janë të papranueshme të ndodhin në vendet që aspirojnë të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian dhe këtë duhet t’ua shpjegojmë autoriteteve. Ata duhet të jenë proaktiv dhe të përpunojnë në mënyrë adekuate çdo sulm që ndodh”, tha ai.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 15 qershor 2022