SJ: Gazetarët shqiptarë dhe serbë u sulmuan dhe penguan në Mitrovicën Veriore

    0
    146

    Trazirat filluan në veri të Kosovës në Mitrovicë më 13 tetor, ndërsa një njësi policore nga Prishtina kreu një operacion për të parandaluar kontrabandën. Gjatë këtyre përplasjeve mes qytetarëve dhe policisë,gazetarët nga KoSSev, T7, Klan Kosova, RTV Dukagjini, ATV dhe Kanal 10 u sulmuan dhe u penguan gjatë kryerjes së detyrës.

    Demonstruesit iu afruan Ivan Miticit, gazetarit të mediave KoSSev, në disa raste dhe u përpoqën ta ndalonin atë nga filmimi i ngjarjeve në rrugë. Ata e pyetën pse po regjistronte, duke e kërcënuar se do t’i fshinin ato regjistrime dhe se do t’ia merrnin telefonin. Nga ana tjetër, sipas raporteve, disa gazetarë të mediave të ndryshme shqiptare u sulmuan në Mitrovicën e Veriut dhe një incident tjetër ndodhi gjatë rrugës për në Leposaviq ku protestuesit ndoqën gazetarët me makina.

    Ivan Mitic tha se ai ishte i rrethuar nga protestues të maskuar në një moment që i kërkonin atij t’i fshinte videot.

    “Megjithatë, nuk pati kontakt fizik, por kolegët e tjerë më treguan se ata gjithashtu kanë kaluar përvoja të pakëndshme me protestuesit”, tha ai.

    Çlirimtar Morina, gazetar i medias T7, tha se “situata është një reflektim i asaj se si ndihen qytetarët në raport me gazetarët dhe mediat”.

    “Mjedisi për të bërë punën tonë është i ashpër, dhe ngjarjet e sotme ishin dëshmuese të kësaj. Detyra jonë është t’ju informojmë, por sot jeta jonë u rrezikua vetëm sepse ne po bënim punën tonë”.

    Xhemajl Rexha, kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha se “AGK është e alarmuar me atë që kolegët tanë kaluan sot”.

    “Raportimi nga trazirat dhe tensionet në veri të Kosovës është gjithmonë i vështirë, por sot gazetarët dhe operatorët medialë nga media në gjuhën shqipe dhe serbe u sulmuan dhe u bënë presion nga protestuesit vendas. Ndërsa jeta e tyre u vu në rrezik gjatë kohës së raportimit, ne u bëjmë thirrje urgjente Policisë së Kosovës që t’i mbrojnë ata. AGK është në kontakt të ngushtë me autoritetet për të siguruar një mjedis të sigurt për gazetarët që të ushtrojnë profesionin e tyre “, tha ai.

    Rrjeti SafeJournalists dënon sulmin dhe pengimin në detyrë të gazetarëve serbë dhe shqiptarë. Ne i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës që të krijojë ambient të sigurt për gazetarët që ata të kryejnë punën e tyre në mënyrë të papenguar. Gjithashtu, ne kërkojmë që ata të mbrojnë gazetarët gjatë disa protestave të ardhshme dhe të parandalojnë incidente të reja.

    Ne do të informojmë të gjithë akterët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Shkup – Zagreb, 13 tetor 2021

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi