SJ: Gazetari kroat Drago Hedl kërcënohet nga bashkëshorti i ish-ministrit të arrestuar

    0
    79

    Në aksionin e Prokurorisë Publike Evropiane në Republikën e Kroacisë, gjatë paradites nga policia u arrestua ish-ministrja e Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të BE-së, Gabrijela Žalac, për aferën e Softuerit, nën dyshimin për mashtrim në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe Fondet e BE-së. Pas arrestimit, gazetarët u mblodhën para shtëpisë së familjes së Zhalacit në Vinkovc, ndërsa policia kontrolloi shtëpinë dhe dy makinat para shtëpisë së ish-ministrit. Bashkëshorti i të arrestuarës, Mario Žalac është shfaqur dhe ka nisur t’u bërtasë gazetarëve: “Faleminderit të gjithëve”, më pas iu drejtua gazetarit Drago Hedl me fjalët: “Z. Hedl, si jeni? Unë di gjithçka për ty, Hedl! Ndizni një qiri për Ditën e të Gjithë Shenjtorëve”. Pas këtyre fjalëve ai ka dashur të afrohet fizikisht me gazetarët, por policia e ka penguar.

    Kjo nuk është hera e parë që gazetari Hedl sulmohet për kryerjen e detyrës; thotë se kërcënimet e tilla tashmë janë bërë “të zakonshme” për të dhe se së fundmi ka marrë kërcënime dhe ofendime të ngjashme.

    Drago Hedl nuk ka denoncuar në polici dhe thotë se ai dhe kolegu i tij kanë përfunduar pa planifikuar në Vinkovc, kur kanë marrë vesh se çfarë po ndodhte atje. Para shtëpisë së ish-ministres Zhalac kanë gjetur gazetarë të shumë mediave, por bashkëshorti i ish-ministres i është drejtuar Hedlit vetëm me emër dhe mbiemër. “Unë kurrë nuk e kam parë këtë burrë apo kam folur me këtë njeri më parë,” tha Hedl, duke shtuar “Unë mund të kem shkruar vetëm një tekst për gruan e tij, kolegët e tjerë janë marrë më shumë me këtë temë dhe nuk e di pse u fokusua tek unë. “. Kur u pyet se si ndihet tani, Hedl u përgjigj: “Jam mësuar të ndodhin gjëra të tilla, por nuk mund të them se jam indiferent. Njerëzit shqetësohen nga kërcënime të tilla, kur dikush të thotë se di gjithçka për ty dhe se duhet të ndezësh një qiri për Ditën e të Gjithë Shenjtorëve dhe ti e di se çfarë do të thotë kjo në mënyrë metaforike”.

    Hrvoje Zovko, president i Asociacionit të Gazetarëve Kroatë, u shpreh i tmerruar nga sulmi. “Këto dhe kërcënime të ngjashme janë absolutisht të papranueshme dhe duhet të dënohen plotësisht”, tha Zovko, duke shtuar se “kërkojmë nga përfaqësuesit më të lartë të Republikës së Kroacisë që të dënojnë qartë dhe pa mëdyshje kërcënime dhe sulme të tilla”.

    Rrjeti SafeJournalists, i cili mbledh më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të tij, Asociacionit të Gazetarëve Kroatë, në dënimin e këtyre kërcënimeve. Kërkojmë nga institucionet që të mbrojnë gazetarët, si dhe të dënojnë publikisht kërcënimet e tilla ndaj gazetarëve.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjitha palët relevante vendore dhe ndërkombëtare lidhur me këtë rast.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 11 nëntor 2021

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Pavarur  i Gazetarëve të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi