SJ: Gjuha e deputetes së Kosovës në drejtim të mediave rrezikon lirinë e medias

    0
    112
    photo: canva

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, në fjalën e saj të sotme në Kuvendin e Republikës së Kosovës sugjeroi që Kuvendi dhe Qeveria të marrin masa ndaj mediave, duke bërë thirrje për rregullim të mediave, veçanërisht portaleve online.

    Në Kosovë shumica e mediave janë të regjistruara si biznese në kuadër të Agjencisë Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve – ARBK, ndërsa pjesa tjetër e mediave janë të regjistruara si OJQ, teksa aktiviteti i tyre rregullohet me ligjet dhe rregulloret në fuqi, si dhe me Kodin e Etikës së Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

    Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Qeverisë së Kosovës për t’u kontrolluar mediat është e papranueshme pasi që është edhe rrezik për lirinë e fjalës dhe demokracinë.

    “Kjo është një deklaratë shumë shqetësuese nga deputetja Pacolli, dhe nuk është hera e parë që ajo kundërshton mediat. Thirrja e saj për përfshirje të drejtpërdrejtë të Qeverisë në bizneset mediatike është alarmante dhe shpresojmë se nuk është qëndrim që vjen nga partia në pushtet. Çdo ndërhyrje do të përbënte një sulm të hapur kundër lirisë së mediave dhe gjithashtu sigurisë së gazetarëve në Kosovë”, tha Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK-së.

    Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet partnerit të saj, AGK-së, në dënimin e gjuhës së tillë dhe u bën thirrje të gjithë zyrtarëve dhe politikanëve që të përmbahen nga përdorimi i kësaj narrative, e cila përbën rrezik për demokracinë. Ne dënojmë çdo iniciativë të qeverive që synojnë kontrollin mbi median, pasi këto përpjekje janë përpjekje të papranueshme në vendet demokratike. Çdo kërcënim ndaj lirisë së medias është një kërcënim për interesin publik, demokracinë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 14 korrik 2022

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi