SJ: Kërcënime kundër blogerit, kolumnistit dhe aktivistit nga Bosnje dhe Herzegovina Srxhan Puhalo

    0
    287

    Një bloger i njohur, kolumnist dhe aktivist nga Bosnja dhe Hercegovina Srxhan Puhalo mori kërcënime të shumta, duke përfshirë kërcënime me vdekje, pasi ai botoi një koment të autorit në portalin Analiziraj.ba mbi temat e titujve të mediave dhe deklaratat e zyrtarëve për numrin e fëmijëve të vrarë në Sarajevën e rrethuar.

    Dhjetëra kërcënime ndaj Puhalos ishin kryesisht të drejtuara nga profile të ndryshme përdoruesish në Twitter. Në këto kërcënime, Puhalos i ishte thënë, mes të tjerash, të “shikonte ku ecën”, se duhej “vrarë”, “torturuar”, “rrahur”, se nuk duhej lejuar të ecte më nëpër Sarajevë, etj. Puhalo raportoi kërcënimet tek Linja e Ndihmës së Mediave të Lira.

    “E lexova artikullin tim përsëri dhe përsëri shumë herë dhe nuk e kuptoj se si ofendova fëmijët e vrarë të Sarajevës dhe prindërit e tyre? Pse është një fyerje nëse, 27 vjet pas luftës, këmbëngul se numri i saktë i fëmijëve të vrarë në Sarajevë duhet të përcaktohet përfundimisht? Në asnjë nga tekstet e mia nuk pretendoja se numri ishte i pasaktë, por se nuk mbështetej nga faktet », — tha Puhalo.

    Sekretarja e Përgjithshme e Asociacionit të Gazetarëve të BH Borka Rudiç tha se dhuna verbale kundër Srxhan Puhalos dhe të drejtës së tij për lirinë e shprehjes, është e papranueshme.

    “Kërcënimet me vdekje dhe kërcënimet ndaj sigurisë nuk duhet të jenë motivi apo reagimi ndaj mosmarrëveshjes me pikëpamjet e autorit dhe orvatja e tij për të hapur një debat publik mbi temat e dhimbshme të numrit të viktimave të Sarajevës së rrethuar. Me shqetësim të veçantë janë veprimet nxitëse të disa mediave, të cilat duke transmetuar drejtpërdrejt komente urrejtëse dhe postime të tjera nga rrjetet sociale rreth Puhalos krijojnë një platformë për shumëfishimin e dhunës”, tha Borka Rudić.

    BHJA u bën thirrje policisë dhe autoriteteve gjyqësore që të hetojnë këtë rast dhe të sanksionojnë përhapësit e urrejtjes dhe të gjithë ata që rrezikojnë të drejtat personale dhe profesionale të Srxhan Puhalos.

    Rrjeti SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet Asociacionit të Gazetarëve të BH në dënimin e kërcënimeve në drejtim të Srxhan Puhalos. Kërkojmë reagim urgjent të organeve hetuese si në Federatën e BeH ashtu edhe në Republikën Sërbska, për të hetuar këtë rast dhe për të sanksionuar personat prapa kërcënimeve.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë akterët relevantë kombëtarë dhe ndërkombëtarë në lidhje me këtë rast.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë shtetasve.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 11 maj 2022

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH-së

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

    Sindikata e Mediave e Malit të Zi