SJ: Kërcënime verbale dhe fizike ndaj gazetarëve në një protestë në Kroaci

    0
    69
    photo: canva

    Gjatë raportimit nga protesta e drejtuar kundër qeverisë së Andrej Plenkoviqit dhe HDZ-së (Bashkimi Demokratik Kroat) në Kroaci, protestuesit sulmuan verbalisht dhe fizikisht disa gazetarë që raportonin nga vendi i ngjarjes.

    Më 10 shtator 2022, nisma “Të lirë së bashku” mbajti një protestë në sheshin “Viktimat e fashizmit” në Zagreb me sloganin “Po ju pushojmë nga puna”. Protesta e organizuar për shkak të grabitjes në INA ishte drejtuar kundër qeverisë së Andrej Plenkoviqit dhe HDZ-së. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme brenda 90 ditëve dhe të gjitha referendumet që nuk janë shpallur deri më tani. Mirëpo, në fillim të protestës protestuesit sulmuan verbalisht dhe fizikisht gazetarët që raportonin nga aty. Fillimisht, gazetarja e HTV-së dhe presidentja e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Maja Sever u sulmua verbalisht, më pas gazetarja e Vecernji List, Bozena Matijevic dhe gazetari i kanalit televiziv Vida, Bojani Guberac u ofendua nga një prej protestuesve duke e larguar ashpër dorën në të cilën gazetari po mbante mikrofon. Një nga pjesëmarrësit ka fyer edhe gazetarin e sapo ndjerë, Vladimir Matianic.

    Maja Sever, gazetare e HTV-së njëherësh Kryetare e Federatës Evropiane të Gazetarëve, ka reflektuar për ngjarjen e djeshme. “Si gazetare në detyrë për emisionin e së dielës në orën 14, kam qenë dëshmitare dhe kam qenë në një grup gazetarësh që janë sulmuar verbalisht nga një grup protestuesish. Gjatë tubimit, disa protestues bënë një sërë ofendimesh dhe akuzash ndaj gazetarëve. Fatkeqësisht, këto situata janë bërë pjesë e punës sonë të përditshme. Ngjarjet e djeshme treguan se duhet të vendosim një sistem pune të sigurt për gazetarët, i cili do të përfshijë vlerësimin e rrezikut, mbrojtjen dhe mbështetjen pas një sulmi”, thekson Maja.

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë (HND) dënon ashpër sulmet verbale dhe fizike ndaj kolegëve që raportuan për protestën dhe kujton se gazetaria është një e mirë publike dhe se detyra e gazetarit është të informojë publikun për gjithçka që po ndodh në shoqëri, dhe se presione të tilla e vështirësojnë punën në terren. “Kjo është shqetësuese dhe e dënueshme. Njerëzit që gjoja po luftojnë për liri do t’ua mohonin të njëjtën liri kolegëve tanë që po bëjnë punën e tyre. E përsëris, po ndodh ajo për të cilën HND ka paralajmëruar prej kohësh, që është krijimi i një klime dhe ambienti të tmerrshëm dhe negativ për gazetarët. Prandaj presim që autoritetet të reagojnë dhe më në fund të fillojnë të ndëshkojnë persona të tillë. Ju thjesht nuk mund të luftoni për lirinë tuaj dhe t’ia hiqni atë dikujt tjetër. Kërkojmë që kolegët tanë të lejohen të bëjnë punën e tyre në paqe dhe siguri. E di që mes këtyre njerëzve disa do të donin të burgosnin dhe të persekutonin gazetarët, por mund t’u them se nuk do t’ia dalin kurrë dhe se nuk do t’i shtypin kurrë gazetarët që bëjnë punën e tyre. Prandaj i dërgoj mbështetjen time të plotë të gjithë kolegëve të mi që raportojnë dhe sulmuesve u them se janë vetëm frikacakë”, tha Hrvoje Zovko – kryetar i HND.

    Rrjeti SafeJournalist, i cili përfaqëson mbi 8 mijë e 200 punonjës të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet Asociacionit të Gazetarëve Kroatë për të dënuar kërcënimet dhe sulmet fizike që marrin gazetarët që kryejnë punën e tyre dhe u bën thirrje institucioneve kompetente në Kroaci që të gjejnë dhe sanksionojnë shpejt personat përgjegjës për sulmet verbale dhe fizike ndaj personave që kryejnë detyra me interes publik.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë palët kompetente kombëtare dhe ndërkombëtare për këto raste.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb – Tiranë, 11 shtator 2022