SJ: Media kroate Faktograf mori kërcënime

    0
    136

    Portali Faktograf.hr dhe gazetarët e tij u bënë shënjestër e një linçimi publik, të dielën, më 12 dhjetor, të iniciuar nga sipërmarrësi Nenad Bakiq, pas së cilës redaksia e Faktograf mori kërcënime të ndryshme.

    Nenad Bakiq në profilin e tij në Facebook sulmoi në mënyrë të vrazhdë Faktografin, më 10 dhe 11 dhjetor, duke bërë një sërë pretendimesh të pavërteta dhe duke u bërë thirrje ndjekësve të tij që të ngrenë padi kundër portalit dhe në këtë mënyrë të iniciojnë presione të organizuara në këtë portal. Bakiq beson se i është mohuar liria e shprehjes përmes Faktografit në Facebook dhe për këtë arsye thotë se do ta padisë Faktografin, por në postimin e tij ai thekson edhe këtë: “Më intereson nëse do të ishte e ligjshme të formohej një fond për financimin e padive të tilla? Nuk duhet të jetë shumë e ndërlikuar – padi me shabllon për të njëjtën temë?” Pas kësaj, redaksia e Faktograf ka marrë një sërë mesazhesh në Facebook, por edhe përmes e-mail-it në të cilat janë sharë por edhe kërcënuar. Në një nga emailet thuhet se dikush po ndjek gazetarët e Faktografit, se askush nuk është i paprekshëm dhe se një skenar si ai i dy viteve më parë ku mbetën të vrarë dy persona mund të ndodhë në adresën e botuesit të Faktograf.

    Më datë 14.12. Portali Faktograf.hr është nën sulme hakerësh dhe aktualisht është jashtë funksionit.

    “Që nga shkurti i vitit 2020 Faktograf ka raportuar në polici rreth 40 kërcënime të dhunshme ose me vdekje. Ndërkohë që gazetarët e Faktograf janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj ngacmimeve në internet (shpesh kërcënime apo fyerje specifike gjinore), ne kemi publikuar mbi 550 artikuj që sfidojnë dhe demantojnë dezinformatat në lidhje me pandeminë në të njëjtën periudhë. Sulmet e fundit kanë arritur një nivel të ri pasi një personazh i njohur publik postoi për Faktograf dhe gatishmërinë e tij për të krijuar një fond për të ndjekur padi të pabaza kundër botimit tonë. Shpesh, kërcënimet grafike me vdekje, si dhe fyerjet, lidhen me interpretimet e gabuara të punës së Faktograf si partner në Programin e Kontrollit të Fakteve të Palës së Tretë të Meta-s në rrjetin social Facebook. Gazetarët e Faktograf, si dhe Faktograf.hr si një media kontrolluese e fakteve i përmbahen standardeve më të larta në gazetari dhe ndjekin në mënyrë rigoroze Kodin e Parimeve të Rrjetit Ndërkombëtar të Kontrollit të Fakteve. Faktograf.hr është anëtar i IFCN-së si dhe i një rrjeti rajonal të kontrollit të fakteve SEECheck, anëtarët e të cilit shpesh marrin të njëjtat lloje kërcënimesh. Kërcënimet që marrim nuk do të na pengojnë në punë dhe as nuk do të na trembin”, tha Ana Brakus, drejtoreshë e Faktograf.

    “Sjellja e sipërmarrësit Bakiq, i cili tashmë njihet si person që i pëlqen të padisë mediat, është e papranueshme. Thirrjet publike për të paditur një media është pikërisht ajo kundër së cilës CJA po lufton, dhe kjo është frikësimi dhe vendosja e censurës përmes padive SLAPP, të cilat janë një model i ri i sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave. Kërcënimet me vdekje që ka marrë më vonë Faktograf janë për t’u dënuar dhe presim që policia të gjejë dhe arrestojë personat që qëndrojnë pas këtyre kërcënimeve”, tha Hrvoje Zovko, kryetar i CJA.

    Rrjeti i SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të vet, Asociacionit të Gazetarëve Kroatë në dënimin e këtyre kërcënimeve. Kërkojmë nga Policia kroate që t’i gjejë personat që kanë kërcënuar Faktografin dhe t’i sanksionojë, si dhe i bëjmë thirrje autoriteteve që të dënojnë publikisht fushata të tilla dhe të bëjnë të qartë se thirrja për linçim është e papranueshme.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjithë akterët relevant kombëtarë dhe ndërkombëtarë për këtë rast.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 14 dhjetor 2021

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi