SJ: Një dritare është thyer në ambientet e një gazete lokale në Serbi

    0
    21

    Natën e datës 11 dhe 12 qershor 2022, persona të panjohur kanë thyer xhamat e ambienteve zyrtare të gazetës lokale të përjavshme “Glas Podrinja” nga Sabaci. Pjesa e bllokut të betonit që është hedhur ka thyer xhamin dhe ka përfunduar në një nga zyrat. Për fat të mirë, askush nuk ishte në redaksi në momentin e sulmit.

    Rasti është raportuar në polici, e cila ka shkuar në vendngjarje, ka kryer hetimet dhe ka mbledhur provat e nevojshme.

    Drejtori i “Glas Podrinje”, Zoran Zhivkoviq, tha për rrjetin SafeJournalist se dikush paraprakisht ka planifikuar këtë sulm, duke pasur parasysh faktin se redaksia ndodhet në qendër të qytetit, ku nuk është e lehtë të gjesh një bllok betoni.

    Ky nuk ishte sulmi i parë në “Glas Podrinja”. Dy vite më parë, me një kub të ngjashëm betoni, u thye xhami i automjetit të redaksisë, që ishte parkuar pranë ndërtesës. Autorët ende nuk janë identifikuar.

    Rasti i fundit do t’i kalojë prokurorisë, me shpresë se autori do të zbulohet sa më shpejt, thuhet nga redaksia e gazetës.

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (IJAS) dënon ashpër sulmin ndaj redaksisë së “Glas Podrinja” dhe i bën thirrje policisë dhe prokurorisë që sa më parë të gjejë dhe të dënojë autorët. Fatmirësisht këtë herë nuk ka të lënduar, por duke qenë se kjo nuk është hera e parë dhe se sulmi ishte planifikuar paraprakisht, kemi frikë se do të përsëritet dhe se do të ketë të lënduar. IJAS gjithashtu kujton se gazetarët që punojnë në komunitete të vogla lokale janë të njohur dhe kështu më të ekspozuar ndaj sulmeve të mundshme dhe u bën thirrje autoriteteve për mbrojtjen e tyre.

    Rrjeti SafeJournalist, i cili përfaqëson mbi 8 mijë e 200 punonjës të medias në Ballkanin Perëndimor, i bashkohet anëtarit të tij IJAS në dënimin e sulmit ndaj redaksisë “Glas Podrinja”. Rrjeti u bën thirrje institucioneve kompetente në Serbi që të veprojnë dhe të garantojnë sigurinë e gazetarëve. Gjithashtu kërkojmë nga autoritetet që të kryejnë sa më shpejt të gjithë procedurën dhe të ndëshkojnë autorin.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë – Tiranë, 14 qershor 2022

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociaiconi i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi