SJ: Sulmohen gazetarët në Serbi dhe Kosovë

    0
    135

     

    Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve të RTV Dukagjinit (gazetar Liridon Llozani dhe kameraman Diamant Maxharraj), korrespondent i N1 nga Nis Milan Stojanoviç, si dhe kërcënimet ndaj redaktorit të revistës Karakter, Nikola Krstiq, të cilat po e shtojnë edhe më tej pasigurinë e gazetarëve në punën e përditshme në Serbi dhe Kosovë.

    Ekipi i RTV Dukagjinit, i përbërë nga gazetari Liridon Llozani dhe kameramani Diamant Maxharraj, është sulmuar fizikisht teksa raportonte në lagjen Pejton të Prishtinës për një aksion për deklarimin e të hyrave në Administratën Tatimore të Kosovës, të hënën e 21 shkurtit. Pronari i njërit prej lokaleve ku po xhironte ekipa, fillimisht ka tentuar t’i pengojë në kryerjen e detyrës, e më pas ka sulmuar fizikisht kameramanin Maxharraj. Ekipi televiziv ka lajmëruar menjëherë policinë, e cila e ka arrestuar autorin. Si gazetari, ashtu edhe kameramani kanë dhënë deklaratën e tyre në stacion për ngjarjen.

    Po ashtu, më 21 shkurt, korrespodenti i N1 nga Nishi, Milan Stojanoviq, është kërcënuar nga punëtorët e NP “Naisus” gjatë filmimit të zbulimit të një rruge nga e cila ka dalë uji gjatë fundjavës. Punëtorët filluan ta kërcënonin duke bërtitur që të mos regjistronte. Ndonëse Milan Stojanoviq u tha se ai është gazetar dhe se ai vetëm po bën punën e tij, punëtorët iu afruan grup-grup, iu futën fytyrës, e sulmuan duke u munduar ta largonin nga detyra. Më pas gazetari thirri policinë, e cila e zgjidhi problemin duke siguruar ekipin e televizionit N1 për rreth gjysmë ore derisa të përfundonin punën, për të parandaluar një sulm tjetër.

    Redaktori i gazetës “Karakter”, Nikolla Krstiq, dje nga një llogari e hapur në rrjetin social Twitter ka marrë disa kërcënime serioze nga i njëjti person. Ndaj gazetarit janë dërguar kërcënime dhe ofendime brutale, në të cilat autori ka deklaruar në disa mënyra se si do të sillet me gazetarin Krstiq dhe bashkëmendimtarët e tij, veçanërisht duke theksuar se vendi i tij është në “qese të zezë të plastikës”. Kërcënimet përmendin mënyra të tmerrshme për të penguar një gazetar. Në të njëjtën kohë, gazetari ftohet të përgjigjet për ato kërcënime dhe kjo bëhet përmes disa komenteve në një temë që lidhet me shkrimin e Nikola Krstiqit dhe diskutimin për gjenocidin në Srebrenicë.

    Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit SafeJournalists u shpreh se: Dhuna fizike ndaj punonjësve të medias është e papranueshme dhe duhet të dënohet publikisht nga autoritetet vendore dhe më pas të ndëshkohet menjëherë nga institucionet kompetente gjyqësore. Vetëm reagimi i shpejtë nga policia lokale dhe nga prokurori publik për rastet në të cilat cenohen të drejtat e gazetarëve, do të ruajë lirinë e shprehjes dhe do të parandalojë sulmet e ardhshme ndaj punonjësve të medias.

    Rrjeti SafeJournalists dënon sulmet e fundit ndaj gazetarëve dhe mirëpret arrestimin e sulmuesve në ekipin e RTV Dukagjinit. Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë kompetente për krime të teknologjisë së lartë në lidhje me kërcënimet e marra nga kolegu Krstiq. U bëjmë thirrje zyrtarëve të lartë që të dënojnë të gjitha sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve që ndodhin në vetëm një ditë dhe institucionet kompetente të marrin të gjitha masat që kanë në dispozicion për të garantuar sigurinë e gazetarëve.

    Rrjeti SafeJournalists do të informojë të gjithë aktorët përkatës kombëtarë dhe ndërkombëtarë për ato raste.

    Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

    Shkup – Beograd – Podgoricë – Prishtinë – Sarajevë – Zagreb, 22 shkurt 2022

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

    Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

    Asociacioni i Gazetarëve të BH

    Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

    Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë

    Sindikata e Mediave të Malit të Zi