Prokuroria e Shtetit paraqiti rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve

0
199

PRISHTINË, 21/06/2017 – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit shpalosi të enjten statistikat e saj në lidhje me të gjitha rastet e kërcënimeve dhe sulmeve të gazetarëve që nga pas lufta.

Në tryezën e mbajtur në Prishtinë “Prezantimi i rasteve të veprave penale ndaj gazetarëve” morën pjesë përfaqësues nga Prokurori i Shtetit, prokurorë nga prokuroritë e Kosovës, Policia e Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, shoqëria civile, gazetarë dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare.

Prokurori Besim Kelmendi tha se që nga viti 1999 e deri me sot janë të evidentuara 120 raste të sulmeve, kanosjes, kërcënimeve  ndaj gazetarëve.

Statistikat treguan se në Prishtinë janë 90 raste, në Pejë 4 raste, në Mitrovicë 16 raste, në Gjilan 9 raste, në Ferizaj 1 rast, ndërsa në Prizren nuk ka pasur asnjë rast.

“Do ti rrimë mbi kokë secilit prokuror që ka rast të gazetarëve dhe do të kërkojmë që ti trajtojnë me prioritet,” tha prokurori i shtetit, Besim Kelmendi.

Kelmendi është caktuar edhe Koordinator në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për rastet e gazetarëve që nga marrëveshja ndërmjet AGK-së dhe Kryeprokurorit të Shtetit e marë më 9 mars 2017.

Në prokurorinë themelore të Prishtinës janë dorëzuar 22 aktakuza dhe janë shtatë aktgjykime. AGK do të vazhdojë punën me gjykatën themelore në Prishtinë për të parë se cili është statusi i rasteve tjera.

Shkelqim Hysenaj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve tha se ka pasur ndryshime pozitive sa i përket prokurorisë lidhur me punën e tyre në rastet e sulmeve ndaj gazetarëve dhe njëkohësisht përshëndeti vendimin e Kryeprokurorit të Shtetit  për caktimin e nga një prokurori në të gjitha prokuroritë e Kosovës si koordinator për rastet e kërcënimeve te gazetareve.