Më 12 shtator 2023, gazetari Armand Bajrami ka denoncuar përdorimin e të dhënave të tij personale nga një person i paautorizuar në seksionin e krimit kibernetik në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.
Nëpërmjet adresës elektronike `armand.bajrami@protonmail.com`, ditët e fundit është dërguar një kërkesë për informacion pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Prokurorisë së Elbasanit. Në të dyja rastet, dërguesi pretendon se është Armand Bajrami, gazetar i A2CNN, ndërsa gazetari pretendon se një llogari e tillë nuk i përket atij.
Në komunikimin me email, përdoruesi i paidentifikuar ka dërguar një kërkesë për informacion mbi ecurinë e një hetimi nga Prokuroria e Elbasanit për një rast të dyshuar abuzimi në burgun e Lushnjës.
Si numër kontakti në emailin e dërguar në SHKBB është numri i saktë i gazetarit, ndërsa në emailin e dërguar në Prokurorinë e Elbasanit, është vendosur si numër kontakti numri i telefonit të bashkëshortes së gazetarit, Esiona Konomi, gazetare në ABC News. Këtij komunikimi i është bashkangjitur edhe fotokopja e kartës së identitetit të gazetarit Bajrami.
Përveç përdorimit të rremë të emrit dhe të dhënave personale të gazetarit, përdoruesi i paidentifikuar ka përdorur edhe emrin e A2CNN, televizionit ku aktualisht punon Bajrami si dhe adresën e saktë të televizionit në firmën e emailit.