Pengim në ushtrimin e detyrës, Prishtinë, 12.05.2023

    0
    24

    Gazetarët Kosovë Gjoci i Euronews Albania dhe Besarta Hoti e portalit Periskopi, janë penguar në detyrë nga mbrojtja e afërt e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Gjoci ka njoftuar se dy individë nga mbrojtja e kanë penguar në punë – njëri e ka shtyrë duke ia dëmtuar pajisjet, kurse tjetri e ka kërcënuar me fjalët “këqyrem mirë në sy e mbajmë në mend”. Sipas gazetarit Gjoci, kryeministri Kurti e ka parë skenën dhe nuk ka reaguar, që e bën rastin edhe më të rëndë.

    Ngjashëm, para disa ditësh gazetarja e Periskopit, Besarta Hoti, u pengua në përpjekjet për të bërë pyetje për Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i konsideron këto veprime të papranueshme dhe i bën thirrje qeverisë dhe dikastereve të saj të mundësojnë kushte elementare të punës për gazetarët kur raportojnë dhe kërkojnë përgjigje nga anëtarë të ekzekutivit.