Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve të Ballkanit Perëndimor (WB-JSI)

    0
    324

     

    Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve të Ballkanit Perëndimor (WB-JSI) është një mjet i bazuar në hulumtim i krijuar për të matur dhe monitoruar ndryshimet në mjediset përkatëse sociale dhe politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në sigurinë e gazetarëve dhe aktorët e medias gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. WB-JSI mbështetet kryesisht në provat kërkimore të mbledhura dhe të analizuara nga partnerët e Platformës Safejournalists.net në përputhje me një procedurë rigoroze hulumtimi. Të dhënat e mbledhura mbi dimensione të ndryshme të konceptit kompleks të ‘sigurisë së gazetarëve’ janë kuantifikuar dhe agreguar në një tregues të përbërë – Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve, për të matur ndryshimet me kalimin e kohës në shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor. Bazuar në provat kërkimore, nëntë anëtarë të Panelit Këshillimor në secilin vend vlerësojnë situatën dhe caktojnë pikë për secilin prej 19 treguesve brenda dimensioneve të mëposhtme:

    • Mjedisi ligjor dhe organizativ – ekzistenca dhe zbatimi i masave mbrojtëse ligjore të rëndësishme për sigurinë e gazetarëve
    • Parandalimi i duhur – ekzistenca dhe zbatimi i një sërë masash parandaluese që kanë efekte të drejtpërdrejta në mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve;
    • Procesi i rregullt ligjor – sjellja e institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë ndaj gazetarëve dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë penale dhe civile në lidhje me hetimin e kërcënimeve dhe akteve të dhunës ndaj gazetarëve;
    • Siguria aktuale – incidente dhe raste të formave të ndryshme të kërcënimeve dhe akteve të dhunës ndaj gazetarëve dhe mediave.

    WB-JSI u zhvillua bashkërisht nga studiuesit e Institutit RESIS me bazë në Shkup dhe partnerët e Platformës Safejournalists.net: Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë, Shoqata e Gazetarëve të Bosnje dhe Hercegovinës, Sindikata e Mediave të Malit të Zi, Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Shoqata e Gazetarëve Kroatë dhe kërkuese e pavarur në Shqipëri. Si i tillë, Indeksi është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të Platformës Safejournalists.net dhe mbulon të gjitha çështjet specifike që partnerët lokalë i identifikuan si të rëndësishme për kontekstin e vendit të tyre.

    Ky raport i referohet situatës në Shqipëri në vitin 2020, i cili u caktua si viti i parë (pilot) për zhvillimin e kuadrit konceptual dhe metodologjisë për pikëzimin, agregimin dhe llogaritjen e Indeksit. Në vitet në vijim, përmirësimi apo përkeqësimi i situatës në të gjitha vendet do të matet duke marrë në konsideratë vlerësimin për vitin 2020 si vit referencë. Më shumë detaje rreth kornizës teorike dhe procedurës së ndërtimit dhe llogaritjes së WB-JSI dhe të gjitha raportet e vendit mund të gjenden në: https://safejournalists.net/safety-index/

    Në Shqipëri, Paneli Këshillimor u përbë nga: Gjergj Erebara, Emiljano Kaziaj, Kristina Voko, Orkidea Xhaferaj, Alice Taylor, Elira Çanga, Erlis Çela, Klodiana Kapo dhe Koloreto Çukali.

    Studiuesit e Institutit RESIS (www.resis.mk), Snezhana Trpevska, Igor Micevski dhe Ljubinka Popovska Toševa kanë zhvilluar kornizën konceptuale për Indeksin dhe modelin e agregimit, peshimit dhe llogaritjes së tij, i cili iu nënshtrua konsultimeve të gjera me të gjithë partnerët në çdo fazë të zhvillimit të tij, duke përfshirë ekspertë ligjorë dhe të medias nga çdo vend.

    Blerjana Bino, kërkuese e pavarur e platformës Safejournalists.net në Shqipëri.

    Aksesoni këtu raportin e plotë: Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve të Ballkanit Perëndimor: Raporti Narrativ – Shqipëri 2020