SHQIPERIA: Treguesit në Nivelin e Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri 2020

    0
    357

    Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes, medias dhe informacionit, por dispozita të tilla nuk zbatohen plotësisht në praktikë dhe shenjat e përkeqësimit të lirisë së shprehjes, lirisë së informacionit dhe lirisë së shtypit mund të vërehen në ekosistemin më të gjerë. Qeveria e Shqipërisë është përpjekur të vendos disa ndryshime në dispozitat ligjore që vlerësohen se shkelin lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias. Performanca e Autoritetit të Mediave Audiovizive si autoritet rregullator është shënuar nga grindja politike në lidhje me pavarësinë e tij dhe praktikat e punës.

    Në Shqipëri, dhe në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare, shpifja është një kundërvajtje penale. 20 procese gjyqësore kundër gazetarëve, kryesisht për shpifje, janë regjistruar në vitin 2020. Në disa raste, pavarësia e punës së gazetarëve në Shqipëri është kërcënuar, përmes rritjes së numrit të proceseve gjyqësore kundër tyre, veçanërisht gazetarëve hulumtues. Aleanca Shqiptare për Media Etike krijoi mekanizmat e vetërregullimit në vitin 2020. Në përgjithësi, liria e punës së gazetarëve dhe shoqatës së tyre është e garantuar. Transparenca e kufizuar, qofshin ato të qëllimshme ose sipas detyrës zyrtare, të institucioneve shtetërore gjithashtu pengon punën e gazetarëve.

    Për sa i përket pozitës ekonomike të gazetarëve, sfidat kryesore vazhduan në vitin 2020, veçanërisht në lidhje me punësimin, kushtet e punës, sigurinë dhe zhvillimin profesional. Pavarësia editoriale ndikohet nga ndërlidhjet ndërmjet mediave, politikës dhe bizneseve. Vetëcensura është akoma e pranishme. Kushtet e punës së grave gazetare janë në shumicën e rasteve më sfiduese se burrat, veçanërisht për sa i përket pagave, kërcënimeve, pozicioneve udhëheqëse në redaksi dhe ngacmimeve. Gazetarët që punojnë për portalet e mediave në internet dhe mediat lokale jashtë Tiranës përballen me më shumë sfida sesa homologët e tyre në mediat kryesore në Tiranë. Gazetarët në terren raportojnë se ndihen të pambrojtur nga kërcënimet fizike. Gazetarët hulumtues raportojnë se kanë frikë nga proceset gjyqësore që vijnë nga palët e prekura nga puna e tyre. Gazetarët e rinj përballen me sfida shtesë duke përfshirë mungesën e solidaritetit nga kolegët e tyre me përvojë.

    Shqetësimet mbi sigurinë e gazetarëve u rritën në vitin 2020 me 17 alarme duke përfshirë kërcënime kundër jetës dhe sigurisë fizike të gazetarëve, kërcënime dhe ngacmime jo fizike, sulme reale dhe kërcënime dhe sulme ndaj institucioneve mediatike. Nuk ka dispozita specifike për sigurinë e gazetarëve dhe institucionet shtetërore kanë kapacitete, burime dhe gatishmëri të kufizuar për të garantuar sigurinë e gazetarëve. Institucionet në Shqipëri nuk publikojnë sistematikisht të dhëna për sulmet ndaj gazetarëve dhe pandëshkueshmërinë. Megjithëse sulmet ndaj sigurisë së gazetarëve janë përgjithësisht të dënuara nga zyrtarët e shtetit, hetimi i duhur për rastet mungon. Zhvillimi i mediave në Shqipëri në tre dekadat e fundit nuk ka qenë linear; përkundrazi, ai i bën jehonë një peizazhi dinamik, të pasur dhe të larmishëm mediatik me tiparin kryesor të dominimit të mediave klienteliste, të shënuar nga një ndërvarësi dhe ndërlidhje delikate midis medias, politikës dhe biznesit.

    Lexo raportin e plotë në shqip.