Treguesi i Nivelit të Sigurisë së Gazetarëve në Ballkanin Perëndimor – Raporti përshkrues për Shqipërinë 2022

    0
    145

    Treguesi i Nivelit të Sigurisë së Gazetarëve në Ballkanin Perëndimor (Treguesi) është një instrument hulumtimi i hartuar për të matur dhe monitoruar ndryshimet në mjediset përkatëse sociale dhe politike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndryshime që kanë ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në sigurinë e gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të mediave gjatë ushtrimit të profesionit. Ky tregues mbështetet në të dhënat kërkimore të mbledhura dhe të analizuara nga partnerët e Platformës Safejournalists.net sipas një procedure rigoroze hulumtimi. Të dhënat e mbledhura për dimensione të ndryshme të konceptit kompleks të “sigurisë së gazetarëve” janë analizuar në aspektin sasior dhe përmbledhur në një tregues të përbërë – Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve – për të matur ndryshimet në të shtatë vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë periudhë.

    Viti 2020 ishte viti i parë (viti pilot) për hartimin e kuadrit konceptual dhe metodologjisë për pikëzimin, agregimin dhe llogaritjen e Indeksit. Ky raport i referohet situatës në Shqipëri për vitin 2022 dhe në të evidentohen përmirësimet apo përkeqësimi i situatës lidhur me katër dimensionet duke marrë në konsideratë vlerësimin për vitin 2021 si vit reference. Për më shumë hollësi rreth kuadrit teorik dhe procedurës së ndërtimit dhe llogaritjes së Treguesit dhe të gjitha raportet e vendit mund të vizitoni adresën: https://safejournalists.net/safety-index/ Autore e raportit është Blerjana Bino

    Zhvillimet e reja kryesore në çdo dimension

    Treguesi i Sigurisë së Gazetarëve 2022 Shqipëria 2.84

    Mjedisi ligjor dhe organizativ

    Në vitin 2022, qeveria shqiptare u tërhoq nga miratimi i një pakete të diskutueshme kundër shpifjes. Ligjet që mbrojnë konfidencialitetin e burimeve të gazetarëve u respektuan, ndërkohë që nuk u regjistrua asnjë rast i zbulimit të burimit. Gjithsesi, sfidat ligjore që lidhen me shpifjen, gjuhën e urrejtjes, të drejtën e autorit, privatësinë e individit si dhe me ligjet për mbrojtjen e të dhënave vazhduan. Nuk ka pasur ndryshime të mëdha për sa i përket statusit zyrtar apo licencimit të gazetarëve.

    Parandalimi i duhur

    Në vitin 2022, Shqipëria ka bërë përparim të vogël në drejtim të përmirësimit të mekanizmave të raportimit për kërcënimet ndaj gazetarëve por ndihma juridike nuk u ofrohej rregullisht këtyre të fundit. Edhe pse reagimi i policisë ishin i kënaqshëm për sa i përket regjistrimit të rasteve, trajtimi i tyre ishte i ngadaltë dhe joefikas. Deklaratat publike për të dënuar kërcënimet ndaj gazetarëve ishin sporadike dhe pavarësisht disa trajnimeve të policisë, problematikat, të tilla si ndalimet e pajustifikuara, vazhduan.

    Procesi i rregullt

    Në vitin 2022, problemet e vazhdueshme me hetime të ngadalta, shpesh të pushuara, për sulmet fizike ndaj gazetarëve përbëjnë shqetësim në drejtim të efektivitetit të organeve të zbatimit të ligjit. Në Shqipëri nuk ka një sistem të unifikuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave për kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve.

    Siguria aktuale

    Në vitin 2022, rastet e kërcënimit të jetës së gazetarëve nuk ishin sistematike. Janë raportuar nëntë raste të sulmeve fizike ndaj gazetarëve. Problemet strukturore, si lidhjet e politikës dhe biznesit me median, mungesa e transparencës së financimit, shantazhi ndaj mediave, konflikti i interesave, pluraliteti i kufizuar i mediave dhe aksesi i kufizuar në informacion, rritja e numrit të rasteve me informacione të rreme dhe kushtet e këqija të punës, vazhduan të ishin kërcënim ndaj mjedisit për gazetari cilësore të pavarur.

    Gjeni raportin në gjuhën shqipe këtu: Treguesi i Nivelit të Sigurisë së Gazetarëve