Shqipëria merr renditjen më të ulët historike në Indeksin e Lirisë së Medias

0
19

Shqipëria renditet në vendin e 103 nga 180 vende në Indeksin e Lirisë së medias për vitin 2021 të hartuar nga organizatat Reporterët pa Kufij.

Krahasuar me një vit më herët Shqipëria bie 20 pozicione, si pasojë e situatës së përkeqësuar nga kërcënimet e pavarësisë editoriale, cenimin e integritetit fizik të gazetarëve nga krimi i organizuar dhe dështimin e shtetit shqiptar për t’i mbrojtur gazetarët edhe nga dhuna policore.

Indeksi bazohet në disa karakteristika për matjen e lirisë së medias në Shqipëri. Situata politike, kuadri ligjor, konteksti ekonomik, social-kulturor dhe siguria janë disa nga fushat të cilat janë vlerësuar me pikë në matjen që kryhet.

Sipas raportit, mediat private shqiptare më me ndikim zotërohen nga një pjesë e vogël e kompanive që kanë lidhje me politikanët, ndërsa operojnë në të njëjtën kohë në sektorë të tjerë sikurse ndërtimi. Raporti thekson se vetëm një pakicë e vogël e mediave ka një model biznesi të qëndrueshme dhe financim transparent.

Raporti cek edhe presionet politike të ushtruara ndaj gazetarëve në vitin 2021.

“Klasa politike kërcënon pavarësinë e redaksive nëpërmjet institucioneve shumë të politizuara të rregullimit të medias dhe menaxhimit të medias publike. Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme të rregullta politike që synojnë t’i diskreditojnë ata dhe ata kanë vështirësi në aksesin e informacionit publik, gjë që rrezikon kufizime të mëtejshme nga një centralizim i fundit i komunikimit të qeverisë”,-thekson raporti.

Sipas raportit mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme, teksa sjell në vëmendje mos heqjen dorë të qeverisë nga paketa e ashtuquajtur “anti-shpifje”.

Për më tepër, e ashtuquajtura paketë anti-shpifje, e cila do t’i jepte shtetit pushtet disproporcional mbi përmbajtjen e mediave online dhe do të përforconte autocensurën, ende nuk është hequr qartazi nga axhenda politike, megjithëse versioni i saj fillestar është kritikuar nga Këshilli i Evropës. , Bashkimin Evropian – të cilit Shqipëria dëshiron t’i bashkohet – dhe nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e shtypit”,-nënvizon raporti.

Vëmendje i është dhënë edhe rolit dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri, duke venë në dukje presionet dhe diskriminimet me bazë gjinore.

“Gazetaret femra, të cilat në fakt përbëjnë pjesën më të madhe të profesionit, përballen me ngacmime në internet dhe në disa raste me diskriminim me bazë gjinore në redaksitë, një fushë e cila megjithatë ka parë progres”,-thekson raporti.

Ndërsa si pasojë e të gjithë këtyre kushteve është përhapur vetë-censura, shkruhet në raport.

Referuar sigurisë së gazetarëve, veçanërisht në terren, raporti thekson se “në vitin 2021, reporterët që mbulonin protestat dhe operacionet e zbatimit të ligjit pësuan disa akte të dhunës policore”. Duke mos qenë kësisoj kërcënim vetëm rrjetet e organizuara kriminale, por edhe vetë policia e shtetit.

Pozitive sipas raportit është ngritja për herë të parë në Shqipëri e një platforme për vetërregullimin etik, pavarësisht kërcënimit ndaj pavarësisë editorial ndaj gazetarëve.

Rënia në Indeks më e madhja që prej 2013

Shqipëria është bërë pjesë e Indeksit të Reporterëve pa Kufij që prej vitit 2003, ku renditej asokohe në vendin e 34. Në vitet në vijim, renditja ka ardhur duke u rritur duke shënuar kësisoj përkeqësim të nivelit të lirisë së medias.

Zbritjen më të madhe e ka pësuar në vitin 2013, duke u renditur në vendin e 102. Ndërsa pas vitit 2013 pozicioni i Shqipërisë ka variuar nga vendi i 75 deri në vendin e 85, duke e bërë renditjen e këtij viti më të madhen që prej vitit 2013.

Siguria e gazetarëve në Shqipëri

Në 23 prill 2022, Edmond Hoxhaj gazetari i BIRN Albania së bashku me bashkëshorten zbuluan se në llogaritë e tyre në portalin e-Albania kishte hyrë për të gjeneruar certifikatën familjare dhe më pas të një fature për pagesën e kontributeve noteri Agron Najri.

Kjo ndërhyrje është kryer në mënyrë të paautorizuar nga gazetari dhe bashkëshortja e tij. Sipas gazetarit, noteri ka hyrë në të dhënat e tij si pasojë e angazhimit profesional të gazetarit si reporter në rastin e ish prokurores Elisabeta Imeraj.

Gazetari Hoxhaj e ka denoncuar rastin te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në nëntor të vitit 2021, gazetarja Anila Hoxha dhe grupi i xhirimit të Top Channel u dhunua teksa raportonte nga terreni, dukle u shtyrë nga një efektiv policie.

Në dhjetor të vitit 2021 gjatë raportimit për një çështje pronësie, gazetarja e televizionit “Fax News”, Sara Demushi u dhunua verbalisht dhe fizikisht.

Në tetor të vitit 2021, Ledio Guni, operator i televizionit “Fax News” u dhunua fizikisht teksa po dokumentonte një mosmarrëveshje mes mësuesve dhe familjeve të fëmijëve në një lokal pranë një shkolle të mesme.

Në gusht të vitit 2021 gazetarja Alice Taylor e platfomës “Exit News” mori mesazhe fyese dhe kërcënim me vdekje për një tekst që ajo publikoi në bogun e saj.

Në korrik të vitit 2021 gazetari Ergys Gjencaj nga “News24” u godit dhe u ndalua të filmonte një operacion anti-drogë të policisë pranë Akademisë ushtarake në Tiranë.

Më prill 2021 Prokuroria speciale kundër Krimit të Organizuar kërkoi nga gazetarët Andi Bushati dhe Armand Shkullaku të dorëzonin një “databaze” që përmbante të dhënat personale të më shumë se 910.000 votuesve në Shqipëri.

Në shkurt të 2021, gazetarja Fjona Cela pranë “Fax News” asokohe u ndalua nga zëdhënësja për median pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale të intervistonte specialistë të shëndetit publik.

Po ashtu, gjatë vitit 2021, gazetari i Ora News, Isa Myzyraj u ndalua nga roja e sigurisë së kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, teksa po tentonte te bënte pyetje ndaj këtij të fundit.

Në të njëjtën situatë u gjend edhe gazetari i Ora News, Ronaldo Sharka, i cili u dëbua nga një takim elektoral i organizuar nga kryetari i bashkisë Tiranë.

Në hartën e lirisë së medias “Mapping Media Freedom” përgjatë vitit 2021 janë regjistruar 13 raste të sulmeve verbale dhe fizike ndaj gazetarëve.

Ndërsa për vitin 2022 deri më tani janë regjistruar 10 raste të dhunës ndaj gazetarëve.

Kryeministri Rama: “Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre!”

Kryeministri Rama përmes një postimi në Twitter e konideroi gënjeshtër faktin se gazetarët janë viktimë e dhunës policore në Shqipëri, venë në dukje nga raporti i “Gazetarëve pa Kufij”.

Ai u shpreh se “në Shqipëri s’ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre. Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme!”. Ndërsa vijoi se nuk ka as gjyqe me gazetarë dhe as ligj për antishpifje.