Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) i Shqipërisë paraqiti raportin e tij vjetor për vitin 2023 në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Më 27 maj 2024, Armela Krasniqi, Kryetare e Bordit të AMA-s, gjatë prezantimit në Komision, theksoi si arritje miratimin e Kodit të Ri të Transmetimit. Kodi i ri është në përputhje me kuadrin ligjor kombëtar dhe ndërkombëtar dhe përfshin rekomandimet e ekspertëve vendas dhe të huaj. Seanca e dytë u zhvillua më 11 qershor 2024, ku Komisioni shqyrtoi dhe miratoi unanimisht projektrezolutën që vlerëson aktivitetin e AMA-s për vitin 2023.
Projekt rezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së AMA-s nga Kuvendi i Shqipërisë, përmban disa rekomandime kryesore për vitin 2024:
- AMA të japë kontributin e saj në ndryshimet e ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, në përputhje me standardet dhe rekomandimet e BE-së, për adresimin e problematikave të rëndësishme që kanë të bëjnë me çështje, si: transparenca e financimit të mediave, përqendrimi i lartë i pronësisë së mediave, reklamat publike, rritja e pavarësisë së rregullatorit, etj..
- AMA të luajë një rol proaktiv në organizimin e tryezave të diskutimit me operatorët audiovizivë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, për nxitjen e procesit të matjes së audiencës, si një instrument i rëndësishëm për vetë operatorët, por dhe me ndikim të drejtëpërdrejtë në mbarëvajtjen dhe transparencën e tregut audioviziv në Shqipëri.
- Të marrë masat e nevojshme për zbatimit e Kodit të Ri të Transmetimit, veçanërisht lidhur me luftën ndaj diskriminimit dhe promovimit të barazisë gjinore, parandalimin dhe luftën ndaj gjuhës së urrejtjes në transmetimet audiovizive, të cilat janë përfshirë për herë të parë në Kodin e Transmetimit.
- AMA të luajë një rol proaktiv, nga njëra anë, duke reaguar me vendosmëri në rastet e kanosjeve dhe sulmeve kundër gazetarëve dhe, nga ana tjetër, në përmirësimin e kushteve të punës për gazetarët, veçanërisht duke forcuar mbrojtjen e të drejtave të punësimit dhe sociale të tyre.
- AMA të ketë në fokus të punës së saj nxitjen dhe mbështetjen e standardeve profesionale të transmetimeve audiovizive nëpërmjet praktikave më të mira ndërkombëtare si dhe sigurimin e diversitetit në transmetimet audiovizive.
Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (SJN) bën thirrje për një proces transparent për çdo ndryshim ligjor në ligjin e mediave audiovizive dhe të sigurohet që këto ndryshime do të jenë në përputhje me Aktin Evropian të Lirisë së Medias dhe standardet e Këshillit të Evropës, duke reflektuar njëkohësisht rekomandimet e Komisionit të Venecias. Përveç kësaj, SJN i bën thirrje AMA-s të qartësojë planet e saj për sigurisë së gazetarëve dhe e inkurajon të bashkëpunojë ngushtë me rrjetet dhe organizatat vendase, rajonale dhe evropiane që janë tashmë të fokusuara në sigurinë e gazetarëve.