Në Shqipëri, sulmet ndaj gazetarëve mbeten të pandëshkuara

Burimi: Citizens Channel - Erisa Kryeziu
Në Shqipëri, sulmet ndaj gazetarëve mbeten të pandëshkuara

Në Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund Pandëshkueshmërisë për Krimet kundër Gazetarëve, organizatat që punojnë në fushën e medias dhe institucione të pavarura në Shqipëri bëjnë thirrje për ndërgjegjësim kundër mosndëshkimit të sulmeve ndaj gazetarëve.

Deri më sot, numërohet 21 raste të regjistruara për sulme, kërcënime dhe intimidime për gazetarët dhe punonjësit e medias në Shqipëri. Sipas hartëzimit të rasteve të dhunës, Shqipëria në vitin 2022 ka 17 alarme drejt 30 personave, teksa në vitin 2021 kishte 14.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt bëri publikoi sot mekanizmin “SafeJournalist.net”, ku gazetarët nga i gjithë Ballkani mund të raportojnë sulmet.

“Edhe pse në të kaluarën, një numër i vogël i rasteve kanë përfunduar ligjërisht me dënime, është shumë e rëndësishme që gazetarët të mos dekurajohen dhe të vazhdojnë t’i raportojnë të gjitha sulmet tek institucionet kompetente dhe shoqatat e gazetarëve sepse vetëm kështu mund të luftohet për një mjedis më të mirë dhe më të sigurt”,-thuhet në komunikimin e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt.

Sipas Blerjana Binos, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri, një nga problemet kryesore të identifikuara në raportimin e rasteve është mungesa e pikave të kontaktit të dedikuara në polici dhe prokurori, ku mund të raportojnë gazetarët.

Blerjana Bino, përfaqësuese e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt

“Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit që kane këto mekanizma specifike ne nuk i kemi, përveç numrit të përgjithshëm të emergjencës 112. Gjithashtu, të dhënat tona tregojnë qe nuk ka protokolle specifike për hetimin e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve si fizike, si kërcënime jo fizike dhe ato digjitale. Ndaj ne rekomandojmë një kuadër kombëtar që përforcon mekanizmat për sigurinë e gazetarëve që nga rritja e ndërgjegjësimit, tek parandalimi i duhur dhe procesi i rregullt”,-tha për Citizens Channel, Blerjana Bino.

Sipas Binos, sulmet fizike kundër gazetarëve mbeten ende të pazgjidhura.

“Në 2023, kemi pasur përfundim të hetimeve dhe vendim nga gjykata për rastin e Elvis Hila, ndërkohë që të dhënat për 2022 na tregojnë qe sulmet fizike kundër gazetarëve gjatë viteve të fundit mbeten ende të pazgjidhura dhe hetimet janë të ngadalta dhe joefikase ose pushohen plotësisht”.

Gjithashtu edhe në kuadër të konsultimit të Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës – Kapitulli 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt dhe Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCIDEV) kanë dhënë sugjerime për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve.

Mes sugjerimeve përmendet rishikimi i masave të ndëshkimit në Kodin e ri Penal për ata që gjenden fajtor me vendim gjykate për sulme ndaj gazetarëve apo punonjësve të medias; shprehja e qëllimit për të dekriminalizuar shpifjen plotësisht dhe rishikimin e nivelit të gjobave sipas standardeve të BE-së, pasi që gjobat shumë të rënda, zvarritja e procedurave dhe gjasat për të bërë padi penale mund të çojnë në autocensurë të gazetarëve; Policia e shtetit të publikojë në mënyrë periodike raste e sulmeve ndaj gazetarëve apo punonjësve të medias etj.

Në Ballkanin Perëndimor kanë humbur jetën 110 gazetarë vendas në 30 vitet e fundit gjatë luftës. Ndërsa në kohë paqeje kanë humbur jetën pesë gazetarë. Sipas Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt, vetëm dy raste janë zgjidhur me aktgjykim të formës së prerë.

Avokati i Popullit: Duhet të reflektojmë mbi rëndësinë e medias së lirë

Përmes një komunikimi në rrjetin social “Facebook”, u solidarizua me rëndësisë e kësaj dite dhe u shpreh se institucionet dhe shoqëria duhet të jenë më të ndjeshme ndaj çdo akti dhune që cenon integritetin personal dhe profesional të çdo gazetari.

“Rikujtesa e vazhdueshme kundër këtij fenomeni sjell në vëmendje rëndësinë e lirisë së shtypit, si dhe rolin thelbësor që luajnë gazetarët në shoqëri. Gjithashtu, kjo ditë duhet të shërbejë për të inkurajuar të gjithë gazetarët që profesionin e tyre ta konsiderojnë një mision ndaj shoqërisë, sepse përmes çdo fjale që përcjellin me besueshmëri dhe maturi, ata kanë fuqinë për të frymëzuar ndryshim”, -thuhet në komunikimin e Avokatit të Popullit.

Raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve në Shqipëri

Në 24 tetor të 2023, korrespondentja e televizionit Fax News në Vlorë, Afrovita Hysaj u kërcënua me jetë dhe u sulmua publikisht nga pronari i televizionit 6+1 Vlora, Albert Deliaj. Kërcënimet erdhën pas raportimeve të gazetares për përdhunimin në grup të një vajze 26-vjeçare në Vlorë, ku gazetarja ngriti  për përfshirje në këtë ngjarje edhe të familjarëve të pronarit të televizionit.

“Bashkë jemi në gjak” është mesazhi kërcënues që mori gazetarja nga pronari i televizionit, ndërsa pak më herët një artikull sulmues ishte publikuar në faqen online të televizionit.

Pas kërcënimit gazetarja e denoncoi në polici, sipas të cilëve kërcënuesi u procedua në gjendje të lirë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë referuar materialet në Prokurori dhe u procedua në gjendje të lirë, për veprën penale “Kanosja”, shtetasi A. D., 57 vjeç, banues në Vlorë”,– thuhet në njoftimin e Drejtorisë vendore të Policisë së Vlorë.

Në korrik të vitit 2023, gazetarja Ola Xama publikoi detaje të dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme ku zbulohej roli i kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj si propozues i PPP-së që u finalizua më pas me kontratën e inceneratorit të Tiranës.

Pas këtij publikimi në median Reporter.al të Birn Albania, gazetarja mori kërcënime përmes mesazheve në Whats App nga kryebashkiaku i Tiranës.

“Pasi më quajti “njeri që nuk njoh turpin” dhe “killer me pagesë”, i mbylli mesazhet kërcënuese me përshëndetjen “Fundjavë të mbarë”. Në fundjavë, gazetat që i shërbejnë, më sulmuan duke më quajtur… “killer me pagesë”. Fundjava vazhdoi me një fushatë sulmesh e shpifjesh ndaj meje në mediat sociale dhe forumet online nga një ushtri komentuesish të koordinuar”, ka shkruar Xama në profilin e saj në Facebook.

Ky sulm u dënua nga organizatat ndërkombëtare të medias, sikurse Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, të cilët i kërkuan kryebashkiakut Veliaj që të ndalë sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarëve dhe të trajtojë punën e tyre me respekt.

Në qershor të 2023-it, pesë gazetarë që raportojnë nga selia e Partisë Demokratike u përballën në orët e para të 6 qershorit me kërcënime dhe dhunë verbale.

Në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, në ambientet e jashtme mbështetës të deputetit Lulzim Basha, njëkohësisht ish-drejtues i partisë, u përpoqën të hiqnin kamerat dhe mikrofonat si dhe të shtynin gazetarët, duke mos i lejuar ata të filmonin apo raportonin. Në këtë mbledhje u vendos që të hapej gara për kryetar të partisë, ndërsa gazetarët dëshmuan presion të ushtruar nga mbështetësit e Bashës kundrejt deputetëve dhe më pas gazetarëve të pranishëm.

Gazetarët e pranishëm dëshmuan se situata mund të kishte kaluar edhe në dhunë fizike.

Në janar të vitit 2023, gazetari Elvis Hila dhe bashkëshortja e tij u sulmua në Lezhë për shkak të detyrës. Në dëshminë e dhënë në polici, gazetari Hila u shpreh se sulmi fizik ka ardhur pas raportimit mbi një vendim gjykate që prekte babain e njërit prej dhunuesve.

Në një reagim në rrejtet sociale Elvis Hila u shpreh se këto veprime nuk e pengojnë misionin e tij.

“Te nderuar miq, koleg e bashkëpunëtor. Ju falenderoj për mbështetjen, pas incidentit te ndodhur një dite me pare për shkak të detyrës time si gazetar. Reagimi i strukturave ligjzbatuese ka qene i menjëhershëm dhe kam besim ne zbardhjen e ngjarjes, e cila është një goditje e rëndë për fjalën e lirë. Këto veprime nuk e pengojnë misionin tim ne shërbim te se vërtetës, pune të cilën e bej me plot dëshirë dhe pasion prej 12 vitesh”, -u shpreh Hila.

Sulmin ndaj gazetarit e dënuan organizatat ndërkombëtare të medias, si dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolli, duke e konsideruar dhunën ndaj medias si dhunë ndaj të gjithëve.

Në orët e para të 30 gushtit të vitit 2018, shtëpia e prindërve të gazetares Klodiana Lala u godit me breshëri kallashnikovi. Në shtëpinë e prekur nga breshëria e plumbave gjendeshin dy vajzat e gazetares, vëllai dhe prindërit e saj. Fatmirësisht, askush prej familjarëve të saj nuk mbeti i lënduar. Vetë gazetarja përmes një statusi në Facebook deklaroi se dyshon që sulmi është rezultat i punës së saj si gazetare, pasi as ajo dhe as familjarët e saj nuk kanë ndonjë konflikt personal.

Një numër i madh gazetarësh kanë reaguar në bllok ndaj sulmit me armë drejtuar koleges Lala, duke publikuar raste kur ata vetë kanë qenë viktima të kërcënimeve, e duke i kujtuar autoriteteve përgjegjësinë që kanë për zbardhjen e ngjarjes.

Situata e medias sipas raporteve ndërkombëtare

Raporti i fundit për Lirinë e Medias tregoi se Shqipëria ka shënuar një rritje të rasteve të dhunës dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve gjatë vitit 2022.

Raporti i Parë Screening i Komisionit Evropian për Shqipërinë i publikuar në gusht të vitit 2023, nxori në pah faktin se Shqipëria ka një nivel përgatitjeje mesatare sa i përket fushës së lirisë së shprehjes ndërsa edhe kuadri ligjor i vendit tonë është pjesërisht i përafruar me atë të BE-së.

“Janë marrë disa hapa në lidhje me masat për garantimin e ushtrimit të lirë të profesionit të gazetarit. Megjithatë, do të nevojitet një ndjekje e vëmendshme në mënyrë që masat mbrojtëse formale të zbatohen në mënyrë efektive dhe të ndikojnë rutinën e përditshme të gazetarëve”,-thuhet në raport.

Në raport bëhet thirrje për të marrë masa për të mbrojtur sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medias kundrejt kërcënimeve, sulmeve dhe një hetim të rasteve të ndodhura në të kaluarën. Ndërsa vihen në dukje kushtet e vështira të punës të punonjësve të mediave.

“Punonjësit e medias kanë kushte të këqija pune dhe kushte të pasigurta kontraktuale, të cilat i bëjnë ata të cenueshëm ndaj vetëcensurës dhe më pak elastik ndaj dezinformimit. Qeveria duhet të mbështesë një organ të pavarur vetërregullues për sektorin e medias online, si dhe edukimin dhe trajnimin cilësor të gazetarisë. Organet e pavarura vetërregulluese duhet të mbështesin zbatimin e të drejtave të punës së gazetarëve”.

Shqipëria u ngjit me shtatë vende në Indeksin e Lirisë së Medias, megjithatë mbetet e fundit në rajon.

Sipas raportit të hartuar nga “Reporterët për Kufij”, në Shqipëri pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullimi partiak. “Gazetarët janë viktima të krimit të organizuar dhe, nganjëherë, të dhunës policore, të nxitur nga dështimi i qeverisë për t’i mbrojtur ata”, -citon raporti.

Krahasuar me një vit më herët, Shqipëria renditet shtatë vende më sipër, megjithatë sipas raportit në Shqipëri pavarësia editoriale është e kërcënuar.

Sipas indeksit të sigurisë së gazetarëve për vitin 2022 të publikuar nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt është bërë pak përparim në mekanizmat parandalues të kërcënimeve dhe sulmeve.

“Përgjigjet e policisë ishin të kënaqshme në regjistrim, ndjekja ishte e ngadaltë dhe joefektive. Dënimet publike të kërcënimeve ndaj gazetarëve ishin sporadike, dhe pavarësisht disa trajnimeve të policisë, çështjet si ndalimet e pajustifikuara vazhduan”, thuhet në raport.