SHQIPËRI – Treguesit e Nivelit të Lirisë së Medias dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2023

SHQIPËRI – Treguesit e Nivelit të Lirisë së Medias dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2023

Me mbështetjen e Komisionit Evropian, shoqatat e gazetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë krijuar një platformë të përbashkët –Safejournalists.net– për të monitoruar ndryshimet në legjislacionin dhe praktikën e vendeve të tyre dhe për t’u angazhuar në përmirësimin e mjedisit ligjor dhe institucional në të cilin punojnë gazetarët dhe mediat. Mbështetur në një metodologji të hartuar me kujdes, partnerët e Safejournalists.net bëjnë çdo vit një hulumtim të advokimit, duke iu ofruar shoqatave të gazetarëve të dhëna të mbështetura në prova, që janë të besueshme dhe të dobishme për problemet dhe pengesat kryesore që hasen në zbatimin e standardeve të BE-së në fushën e lirisë së mediave dhe sigurisë gazetarëve në Ballkanin Perëndimor. Gjetjet nga ky hulumtimi ndihmojnë në përmirësimin e aktiviteteve të partnerëve duke u ofruar atyre provat dhe shembujt më të fundit që përmirësojnë dhe forcojnë pozicionet e tyre advokuese.

Duke filluar që nga viti 2023, Safejournalists.net do të ndërthurë të dy instrumentet e kërkimit (cilësor dhe sasior) në një projekt të vetëm hulumtimi për advokim, Treguesit e Nivelit të Lirisë së Mediave dhe Treguesi i Sigurisë së Gazetarëve. Platforma monitoron situatën në shtatë vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi.  I gjithë procesi i hulumtimi është i ndarë në dy faza: në fazën e parë mblidhen të dhëna për të gjithë treguesit cilësorë, si për liritë e medias ashtu edhe për sigurinë e gazetarëve. Në fazën e dytë, treguesit cilësorë për sigurinë e gazetarëve shndërrohen në tregues sasiorë, duke vijuar më tej me procesin e pikëzimit dhe llogaritjen e Treguesit (Indeksit) të Sigurisë së Gazetarëve. Në nivel shteti, hulumtimi i advokimit kryhet nga studiues kombëtarë që mbledhin të dhënat dhe hartojnë raportet përshkruese, të cilat më pas shqyrtohen nga ekspertë vendas për median dhe nga drejtuesi i hulumtimit. Në Shqipëri, drejtuesja e hulumtimit është Blerjana Bino, ndërsa Kristina Voko shërbeu si eksperte e medias dhe Erida Skëndaj si eksperte ligjore për shqyrtimin e raportit. Anëtarë të Panelit Këshillimor në Shqipëri ishin: Besar Likmeta, Dorian Matlija, Elira Canga, Elvin Luku, Gjergj Erebara, Ilda Londo, Koloreto Cukali, Lutfi Dervishi, Orkidea Xhaferaj.

Treguesit mbi Nivelin e Lirisë së Medias dhe Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve 2023 për Shqipërinë tregon se mjedisi i përgjithshëm për gazetarinë e pavarur dhe profesionale në Shqipëri është aktualisht nën një tendosje të konsiderueshme për shkak të një kombinimi sfidash strukturore. Ndërthurja e interesave politike, ekonomike dhe mediatike, së bashku me përqendrimin e pronësisë së medias dhe transparencën e kufizuar, ka krijuar një atmosferë ku gazetaria e pavarur dhe me cilësi të lartë është gjithnjë e më e vështirë për t’u mbështetur. Këto sfida përkeqësohen më tej nga mbrojtjet e pamjaftueshme ligjore, kushtet e këqija të punës dhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë së gazetarëve. Për të nxitur një mjedis më të favorshëm për gazetarinë, ekziston një nevojë urgjente për reforma gjithëpërfshirëse që adresojnë këto çështje themelore. Kjo përfshin forcimin e mbrojtjes ligjore për gazetarët, përmirësimin e kushteve të tyre të punës dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve shtetërore për të mbrojtur sigurinë e tyre.

Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve në Shqipëri tregon një rënie të lehtë në pikë nga 2.84 në 2022 në 2.80 në 2023.

Në vitin 2023, gazetarëve në Shqipëri u mungonin masat efikase mbrojtëse; ata nuk kishin asnjë ndihmë juridike të përshtatur për ta apo mekanizma të posaçëm sigurie. Reagimi i shtetit ndaj kërcënimeve, veçanërisht ngacmimeve online, mbeti i ngadaltë dhe i pamjaftueshëm, duke i lënë gazetarët të pambrojtur. Gratë gazetare u përballën me mbrojtje të kufizuar të posaçme gjinore dhe dënimi publik i sulmeve bëhej me hope. Ne vitin 2023, në Shqipëri nuk pati asnjë përmirësim lidhur me krijimin e njësive të specializuara apo protokolleve për hetimin e sulmeve ndaj gazetarëve. Hetimet për sulme të rënda fizike dhe ngacmime në internet mbetën të pamjaftueshme, duke çuar në një ndjenjë pandëshkueshmërie. Mungon një sistem gjithëpërfshirës për mbledhjen e të dhënave që lidhen me sulmet ndaj gazetarëve Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt regjistroi 24 raste gjate vitit 2023. U regjistruan pesë raste kërcënimesh dhe ngacmimesh jo-fizike ndaj gazetarëve, shpesh të kryera nga zyrtarë publikë gjë që përbën shqetësim për sigurinë. U raportuan edhe dy kërcënime për sigurinë fizike të gazetarëve dhe nëntë sulme aktuale, përfshirë edhe sulme fizike ndaj gazetarëve gjatë punës. Përveç kësaj, ka pasur nëntë raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj mediave, përfshirë këtu një sulm me armë me fund tragjik në një televizion kombëtar.

Mësoni më shumë mbi: Treguesit e Nivelit të Lirisë së Medias dhe Indeksit të Sigurisë së Gazetarëve 2023 në Anglisht dhe Shqip.