PRISHTINË, 17.08.2020 – Gratë vazhdojnë të jenë të përfaqësuara në një numër shumë të vogël në strukturat vendimmarrëse, si në nivelin operacional, atë të menaxhmentit por edhe në nivele më të larta strategjike si shefe ekzekutive.
Fuqizimi i pozitës së gruas në medie si dhe përmirësimi i pozitës ekonomike të tyre ishin temat kryesore të cilat u diskutuan gjatë takimit në mes të kryetares së Bordit të AGK-së, Gentiana Begolli Pustina dhe drejtoreshës së zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi Nushi.
Drejtoresha Tuzi Nushi premtoi përkrahje të mëtejme të UN Women për AGK-në, në veçanti kur në pyetje është përmirësimi dhe avancimi i grave në pozita vendimmarrëse në organizatat mediale si dhe mbrojtja e të drejtave të tyre.
Edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, AGK së bashku me UN Women do të ndajnë çmimin vjetor për fuqizimin e gruas. Ndërkaq, drejtoresha e UN Women, Tuzi Nushi shpalosi edhe shumë aktivitete të cilat do të realizohen në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës siç janë: gratë dhe pozita e tyre në strukturat vendimmarrëse në medie, trajnime praktike për gazetaret në Kosovë si dhe hulumtime të ndryshme të cilat kanë për qëllim paraqitjen e përfaqësimit të pabarabartë të grave dhe vajzave në medie.
Ishte dakordim i përbashkët që fundviti të jetë kohë kur AGK së bashku me UN Women do të fillojmë me një cikël të ri trajnimesh dhe ndihmë konkrete për ngritjen e mëtutjeshme profesionale të grave në gazetari, nxjerrjen e statistikave të sakta dhe analizën e këtyre statistikave me një qëllim të përbashkët e që është avancimi i perspektivës gjinore në mediet në Kosovë.