AGK dënon fushatën linçuese të zyrtarit shtetëror kundër gazetares

0
144

PRISHTINË, 24.11.2017 – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dënon fushatën linçuese nga një zyrtar shtetëror kundër gazetares së televizionit Kohavision.

Gazetarja, Ardiana Thaçi-Mehmeti ka paraqitur disa nga detajet e fushatës që është nisur kundër saj që nga 2 tetor, 2017 nga ana e kryesuesit të Agjencisë të Shërbimit të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini.
Thaçi-Mehmeti, në një nga shkrimet e saj, ka zbuluar një parregullsi në procesimin e një tenderi e cila ishte fituar nga një kompani, ku Nuredini me pronarin e kësaj kompanie fituese, është në bashkëpronësi në një kompani tjetër. Agjencia Kundër Korrupsion ka vërtetuar se ka ekzistuar konflikt i interesit të Nuredinit në këtë tender. Gazetarja Thaçi-Mehmeti ka raportuar edhe disa lajme tjera në lidhje me keqmenaxhimin në këtë agjenci.

Webfaqja e agjencisë mban një lajm që I bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që mos t’i besojnë gazetares Thaçi-Mehmeti dhe se ajo ka qëllime personale për të sulmuar ASHNA-në.

“Qëkur kjo Agjenci dërgoi një letër për media, më 2 tetor, në të cilën u bënte thirrje qytetarëve të Kosovës të mos binin pre e kinse “dezinformatave” të publikuara në Kohavision nga unë -Ardiana Thaçi, që në fakt ishin vetëm informacione të mirë hulumtuara dhe të bazuara në dokumente për keqmenaxhimin e këtij institucioni nga kreu i tij, Bahri Nuredini. Në ueb faqen e tyre që nga ajo ditë, vazhdon të qëndrojë emri im në formë linçimi, lajm i cili kohë pas kohe paraqitet edhe në ekranin e madh në një nga sallat e kësaj agjencie” ka thënë gazetarja Thaçi – Mehmeti.

AGK, kërkon nga ky institucion që të largojë këtë njoftim nga Ueb-faqja si dhe të mos përsërisë një praktikë të tillë në raport me gazetarët.

Kjo formë e veprimit paraqet tendencë të hapur për linçimin e gazetarëve si dhe ka qëllim të drejtpërdrejt të dëmtimit të imazhit të tyre.