AGK dënon gjuhën e përdorur nga deputetja kundër gazetarit

0
131

PRISHTINË, 23.02.2018 – Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, deputetja e Vetëvendosjes! Albulena Haxhiu, ka akuzuar gazetarin Adriatik Kelmendi për kinse organizim të protestave qytetare për çështjen e bllokuar të Kosovës dhe Malit të Zi.

“Në protestën e sotme u vërejt mungesa e Adriatik Kelmendit. Organizatorët duhet të jenë në ballë të protestave, e jo të fshihen në zyra. Like-at nuk ecin në Shesh,” ka shkruar Haxhiu.

Pak minuta më vonë, deputetja Haxhiu postoi një letër të shkurtër dukek thënë se gazetari Kelmendi qe disa ditë ka filluar një fushatë dhe presion mbi deputetët që të votojnë marrëveshjen e demarkacionit.

Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar në lidhje me postimet e deputetes Haxhiu duke thënë se gjuha e saj përbënë shpifje dhe kërcënim publik për të.

“Ky është kërcënim publik për mua dhe të gjithë atyre që guxojnë ta thonë mendimin e tyre hapur, siç garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës. Më mirë heshtni se shpifim për ju dhe pastaj ju linçojmë. Jo, nuk kam asfarë lidhje me asnjë protestë. Nëse do të kisha – do ta bëja të ditur. Pra, deputetja po shpif!”, thuhet në reagimin e gazetarit Kelmendi.

AGK konsideron se kjo gjuhë dhe qasje e deputetes Albulena Haxhiu kundrejtë gazetarit Adriatik Kelmendi është e papranueshme dhe përbënë cenim të mendimit dhe fjalës së lirë.

AGK i bënë thirrje deputetes Haxhiu që të distancohet nga përdorimi i çfarëdo gjuhe e cila e cenon integritetin profesional të gazetarit Adriatik Kelmendi.

Partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë kundër marrëveshjes kufitare me Malin e Zi duke thënë se Kosova do të humb territor për shkak të kësaj marrëveshje.

Çështja e kufirit ka sjellur shumë tensione në vend që nga nënshkrimi i marrëveshjes më 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Kosova nuk do të mund të përparojë në liberalizimin e vizave gjersa nuk e zgjedh këtë problem.