AGK dhe Prokuroria e Shtetit pajtohen për bashkëpunim më të mirë

0
163

Prishtinë: 08.03.2017 – Përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Kryetari Shkelqim Hysenaj si dhe Hulumtuesi i Lartë Petrit Çollaku kanë takuar sot Kryeprokurorin e Shtetit z.Aleksandër Lumezi. Në takim është diskutuar për problemet e gazetarëve në raport me sistemin e drejtësisë si dhe rritjen e efikasitetit në krijimin e një ambienti më të sigurtë për gazetarët në Kosovë.

Kryetari i AGK-së Shkelqim Hysenaj i ka prezantuar Kryeprokurorit rekomandimet e dala nga raporti “Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve”. Hysenaj ka kërkuar nga Kryeprokurori z.Lumezi që prokuroria t’i trajtoj në mënyrë me aktive rastet e gazetarëve.

Gjatë takimit AGK dhe Prokuria e Shtetit u pajtuan që Kryeprokurori i Shtetit të nxjerrë një vendim me të cilin do të caktohet një prokuror nga Zyra e tij koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve në lidhje me punën e tyre. Me këtë vendim do të obligohen kryeprokurorët e Prokurorive Themelore që të caktojnë nga një prokuror, të cilët do të merren edhe me rastet e raportuara ku gazetarët paraqiten si të dëmtuar.

Poashtu kryeprokurori Lumezi informoi se prokurorët do t’i trajtojnë rastet e tilla me prioritet dhe prokurorin e ngarkuar si koordinator do ta mbajnë të informuar për të gjitha veprimet e marra në procedure.

Duke u bazuar në këtë vendim parashihet që prokurori i caktuar si koordinator të mbajë një databazë të posaçme në lidhje me këto raste dhe me vendim obligohet që në baza të rregullta mujore të informojë Kryeprokurorin e Shtetit për të gjitha veprimet e ndërmarra në këtë drejtim.

Gjithashtu Kryeprokurori u pajtua me kërkesën e AGK-së që në të ardhmen të dhënat për rastet e gazetarëve të veçohen në raportin vjetor të këtij institucioni.

Në fund AGK-ja ka kërkua nga Prokuroria që të kundërshtojnë mbylljen e seancave gjyqësore në të cilat të akuzuar janë persona të profilit të lartë.