AGK kërkon drejtësi për gazetarët e vrarë dhe të zhdukur në Kosovë

0
214

 

Prishtinë, 05 dhjetor 2019-Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar drejtësi për të gjithë gazetarët e vrarë dhe të zhdukur në Kosovë gjatë periudhës 1998-2005. Në konferencën e organizuar nga AGK në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, ku ishin të pranishëm dhe familjarë të gazetarëve të vrarë u tha se mungesa e drejtësisë për këto raste paraqet një njollë të zezë për institucionet e të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë.

Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli-Pustina, tha se gazetarët nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për kolegët e tyre të vrarë duke u bërë thirrje për ndihmë organizatave ndërkombëtare në themelimin e një fondi të veçantë që do të përkrahte hulumtimet e gazetarëve, jo vetëm për të kontribuuar për ndriçimin e fatit të kolegëve tonë, por edhe në shenjë kujtimi për veprën e tyre.

“Per mua si nënë e dy fëmijëve, si gazetare, si përfaqësuese e gazetarëve të Kosovës, nuk më intereson as edhe një moment se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni mund të ketë, çfarë funksioni mund të ketë urdhërdhënësit e vrasjeve, për mua e rëndësishme është t’i shoh aty ku e kanë vendin, bashkë me kriminelet e tjerë. E të njëjtën e presim të gjithë,ashtu si ju familjarët e dhe ne gazetarët.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se rastet e gazetarëve të zhdukur dhe të vrarëve nuk janë çështje etnike.

” Kjo nuk është është një çështje etnike në mes të serbëve dhe shqiptarëve. Kjo ka të bëj me njerëzit , civilët, gazetarët që kanë bërë punën e tyre. Ne duhet të flasim për këta njerëz. Ata nuk janë statistikë, ata janë baballarë, vëllezër të dikujt, këtë ia kemi borxh familjeve të tyre,” tha ai.

Zbardhja e këtyre rasteve u kërkua edhe nga përfaqësuesi i gazetarëve serb në Kosovë, Budimir Nicic.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe sekretari i Përgjithshëm i Federatë Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i cili theksoi se për institucionin që përfaqëson zbardhja e këtyre raste ka rëndësi të veçantë dhe se si mekanizëm do t’u qëndrojnë pranë AGK-së dhe asociacioneve të gazetarëve serb për të thelluar bashkëpunimin në këtë pikë.

Këtë ngjarje e ka përshëndetur edhe përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medieve Harlem Desire.