Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim për ndalimin e Vjolanda Pecës, gazetare e Citizens.al, një media jofitimprurëse e përqendruar te gazetaria qytetare në Shqipëri. Peca u ndalua ndërsa raportonte nga protesta përpara Kuvendit të Shqipërisë në Tiranë, më 23 korrik 2026.
Ngjarja ndodhi gjatë një proteste qytetare përpara Kuvendit, pjesë e lëvizjes së vazhdueshme qytetare të njohur ndryshe si “Revolucioni i Flamingove”. Lëvizja nisi në mbrojtje të peizazhit të mbrojtur të Vjosë–Nartës dhe më pas parashtroi kërkesa më të gjera politike, përfshirë dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Protestuesit u mblodhën më 23 korrik, në të njëjtën ditë me seancën e fundit plenare të Kuvendit përpara pushimeve verore. Me rritjen e tensioneve, disa protestues hodhën vezë dhe shishe dhe tundën barrierat përreth Kuvendit. Policia përdori autobote me ujë dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Teksa filmonte protestën në vendngjarje, punonjësit e policisë i kërkuan Pecës të ndalonte filmimin dhe më pas e shoqëruan me forcë në Komisariatin nr. 1, ku u mbajt për më shumë se dy orë përpara se të lirohej pa iu ngritur akuzë.
Gazetarët që mbulojnë protesta kryejnë një rol thelbësor në shërbim të interesit publik, duke dokumentuar si zhvillimet në terren, ashtu edhe veprimet e autoriteteve. Prania e tyre në vendngjarje nuk duhet të çojë në trajtimin e tyre si pjesëmarrës në protestë. Çdo kufizim i punës ose i lirisë së tyre duhet të ketë një bazë të qartë ligjore dhe të jetë i nevojshëm dhe proporcional.
Ngjarja ngre gjithashtu pikëpyetje mbi zbatimin e Protokollit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve, të miratuar në maj 2025. Protokolli njeh të drejtën e gazetarëve për të raportuar, fotografuar dhe filmuar gjatë protestave, përfshirë operacionet policore, dhe kërkon nga punonjësit e policisë të mbrojnë sigurinë e tyre dhe të mos pengojnë punën gazetareske.
Rrjeti SafeJournalists i kërkon Policisë së Shtetit të sqarojë bazën ligjore dhe statusin procedural mbi të cilin Peca u mbajt, nëse punonjësit e policisë ishin në dijeni se ajo po ushtronte detyrën si gazetare, nëse u informua për të drejtat e saj dhe nëse telefoni, regjistrimet apo materialet e tjera gazetareske të saj u aksesuan ose u kontrolluan.
Gazetarët duhet të jenë në gjendje të raportojnë mbi tubimet publike dhe veprimet e policisë në mënyrë të sigurt dhe pa ndërhyrje. Rrjeti SafeJournalists pret një sqarim të shpejtë dhe transparent nga autoritetet përgjegjëse dhe do të vazhdojë ta ndjekë rastin.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Prishtinë – Shkup – Sarajevë – Zagreb – Beograd – Podgoricë, 23 korrik 2026
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata BH Gazetarët
Shoqata e Gazetarëve Kroatë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi