Sot në Prishtinë u lansua raporti i misionit faktmbledhës të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, me titull “Kosovë: Rikthimi i lirisë së mediave pas rënies”, e organizuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF).
Në kuadër të konferencës u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet e raportit, të cilat trajtojnë gjendjen e lirisë së medias dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë, si dhe hapat e nevojshëm për përmirësimin e ambientit për ushtrimin e profesionit. Gjetjet e këtij raporti u preznatuan nga juristja e medias pranë ECPMF-së, Flutura Kusari. Raporti vlerëson se, megjithëse Kosova ka shënuar përparim në disa fusha, mbeten sfida të rëndësishme për lirinë e medias. Ndër rekomandimet kryesore përfshihen rishikimi i Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) në përputhje me standardet evropiane, forcimi i pavarësisë editoriale dhe financiare të transmetuesit publik, përmirësimi i mekanizmave për sigurinë dhe mbrojtjen e gazetarëve, si dhe rritja e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë në hetimin dhe ndjekjen e sulmeve ndaj gazetarëve.
Në panelin e diskutimit “Si mund të përmirësohet ambienti i të bërit gazetari në Kosovë?”, AGK u përfaqësua nga kryetari Xhemajl Rexha, i cili diskutoi së bashku me Lumturije Vuçetaj nga Prokuroria Themelore e Pejës dhe Luljeta Mehmeti nga Policia e Kosovës mbi sfidat me të cilat përballen gazetarët dhe rëndësinë e forcimit të mekanizmave për mbrojtjen e lirisë së medias dhe sigurisë së tyre. Paneli u moderua nga Prof. Jeton Mehmeti.
