PRISHTINË, 25.03.2021 – Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës – AGK, Gentiana Begolli Pustina, gjatë ditës së djeshme ishte pjesë e panelit diskutues në Javën e Gruas, të organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik – NDI.
Dita e tretë e debateve për politika e Javës së Gruas, filloi me fjalën hyrëse nga Nancy Soderberg, Drejtore e Lartë e NDI-së në Kosovë dhe nga kryetarja Begolli Pustina, e cila theksoi se përfaqësimi i drejtë i grave në media është qenësore për barazi gjinore.
“Shumica dërmuese e pozitave menaxheriale në mediet tona udhëhiqen nga burrat gazetarë. Por, nuk është shqetësuese vetëm sa pak janë të përfaqësuara gratë në medie, por edhe si përfaqësohen ato. Barazia gjinore mund të arrihet kur gratë të jenë pjesë e pozitave vendimmarrëse dhe të përfaqësohen drejtë në medie.”
Ajo gjithashtu falënderoi Ambasadoren Soderberg për përkrahjen ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Kjo e fundit ka thënë se kur shoqëritë kanë barazi gjinore, e gjithë shoqëria do të përfitoj.
“Paraqitja e drejtë në medie është jetike për barazi gjinore. Kështu kemi shumë punë para vetës për të pasur barazi në medie dhe kjo është e domosdoshme për të arritur barazinë e gruas edhe në politikë”.
Pjesëmarrës në ditën e tretë të debateve politike në Javën e Gruas, ishin përfaqësues të organizatave, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të komunave.
Debatet mbi politikat në kuadër të Javës së Gruas 2020 mbështeten nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Kosovë dhe Ambasada e Kanadasë në Kosovë dhe Kroaci.