SafeJournalists: Të papranueshme ndalimet dhe abuzimet me të drejtat e njeriut ndaj gazetarëve në Shqipëri

SafeJournalists: Të papranueshme ndalimet dhe abuzimet me të drejtat e njeriut ndaj gazetarëve në Shqipëri

Dy gazetarë u ndaluan nga policia gjersa raportonin për protestat në rrugë që u shkaktuan nga vrasja policore e Klodian Rashës më 8 dhjetor. Të dy gazetarët deklaruan se pjesëtarët e policisë kishin ushtruar dhunë dhe kishin abuzuar me të drejtat e tyre njerëzore.

Më 11 dhjetor, policia ndaloi gazetarin njëherësh spikerin e lajmeve në “Ora News RTV”, Xhoi Malësinë, teksa ai po xhironte protestat. Malësia u la i lirë pas tre orësh, por raportoi se ishin abuzuar të drejtat e tij njerëzore: “Unë u arrestova nga policia teksa po xhiroja protestën, megjithëse e identifikova veten si gazetar. Më dërguan në stacionin e policisë, ku më goditën dhe më ofenduan oficerët e policisë ”- tha Malësia për SafeJournalists, ku shtoi se nuk iu ishte dhënë e drejta për të bërë një telefonatë. – “Unë u lirova tre orë më vonë, pasi firmosa një deklaratë që nuk e shkruajta vetë, por që u vendos nga oficerët e policisë si kusht për t’u liruar”.

Malësia ka bërë një kallëzim penale kundër policisë me mbështetjen e Komitetit të Helsinkit.

Më 12 dhjetor, Qamil Xhani, kryeredaktori i gazetës “Koha Jonë”, gjithashtu u arrestua teksa ishte në detyrë. Pasi Xhani kishte mbaruar raportimin, ai ishte dëshmitar i dhunës që policisë ndaj protestuesve. Ai kërkoi nga policia që të ndalonin, por u prangos dhe u ndalua me 50 protestues të tjerë. Xhani deklaroi se ishte goditur në kokë dhe në shpinë. Policia i sekuestroi celularin dhe i fshiu të gjitha pamjet. Xhanit, gjithashtu, iu bë presion për të nënshkruar një deklaratë duke pranuar se ai ishte ndaluar për “pjesëmarrje në një tubim të paligjshëm”. Pasi botuesi i “Koha Jonë” kontaktoi drejtpërdrejt me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, dhe çështja u raportua drejtpërdrejt në programet televizive, në mbrëmje ai u lirua.

Megjithëse policia nuk bëri asnjë deklaratë zyrtare në lidhje për ndalimin e gazetarëve deri më tani, një raport paraprak nga Avokati i Popullit thotë se në rastin e Malësisë, përfaqësuesit e policisë konfirmuan verbalisht se ai nuk ishte mbajtur në një dhomë shoqërimi në stacionin policor dhe nuk ishte trajtuar si i arrestuar.

Blerjana Bino, hulumtuese e Rrjetit të SafeJournalists, deklaroi se këto nuk janë raste sporadike: “Ka pasur sjellje abuzive të mëparshme nga policia ndaj medias, të cilat nuk janë të pranueshme. Situata rëndohet nga heshtja e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Autoritetet shtetërore duhet të hetojnë çështjen siç duhet, të identifikojnë anëtarët e forcës policore që shkelën të drejtat e gazetarëve dhe t’i sanksionojnë ata. Ata duhet t’i kërkojnë falje Malësisë dhe Xhanit, të kompensojnë dëmin dhe të sigurohen se nuk do të ndodhë më.”

SafeJournalists, që përfaqëson më shumë se 8 mijë e 200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor i paralajmëron policinë të mos përdorin forcë ndaj gazetarëve që raportojnë nga protestat. Gazetarët janë në detyrë dhe duhet të jenë të sigurt si dhe të ju jepet e drejta për të ushtruar punën e tyre, e jo të pengohen. Ne jemi veçanërisht të shqetësuar që Malësia dhe Xhani raportuan se iu ishin abuzuar të drejtat e tyre njerëzore përmes dhunës, konfiskimit të pajisjeve, shantazheve dhe presioneve të tjera.

Ne presim që autoritetet shqiptare të hetojnë më tej këto dëshmi, të identifikojnë pjesëtarët e policisë që morën pjesë në to dhe t’i sanksionojnë ata.

Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë gazetarëve që të jenë të kujdesshëm kur raportojnë nga protestat e dhunshme, të kenë kartat e tyre të identifikimit në vende ku shihen dhe të qëndrojnë larg situatave të rrezikshme.

SafeJournalists do të informojë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare në lidhje me këtë rast.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Beograd – Podgorica – Prishtina– Sarajevë – Shkup – Zagreb, 12.12.2020

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës

Sindikata e Mediave e Malit të Zi

Asociacioni i Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë

Asociacioni i Pavarur i Gazetarëve të Serbisë